19 Janar, 2023 - 6:45 pm
Era Berisha
Janë ca momente në jetën e njeriut që arrijnë të krijojnë një rrugëtim të suksesshëm drejt një karriere të bukur. Ca nga to janë jetësuar edhe në udhën e Lumnije Kqikut, ligjëruese e lartë për studentët e Mjekësisë së Përgjithshme, Stomatologjisë dhe studimeve postdiplomike, udhëheqëse e Klinikës Speciale të Endodoncionit dhe Traumatologjisë Dentare në Klinikën Dentare të Universitetit të Gracit, Prodekane për Studimet e doktoratës në seksionin e Stomatologjisë si dhe koordinatore për CEEPUS (Central European Exchange Program for University Studies), e cila qysh e vogël ka pasur një dashuri më vete për mantelin e bardhë që e shihte kudo. Pasioni për degën e stomatologjisë i është shfaqur qysh në shkollën e mesme, atëherë kur dëshira e madhe për t’i shërbyer njerëzve të sëmurë dhe ata që me padurim prisnin ndihmën, ka ekzistuar, shkruan KultPlus.
Ëndrra e saj për tu bërë një doktoreshë natyrisht që ka pasur edhe bazat mbi të cilat është mbështetur, por mbi të gjitha, dashuria për mjekësinë, humanizmi e sakrifica, kanë qenë elementet kryesore që kanë gdhendur fillet drejt një pune të palodhshme, me plot gropa por me shumë suksese të cilat kanë lënë gjurmë të konsiderueshme në jetën e Kqikut dhe jo vetëm.
Ka përfunduar Fakultetin e Stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës, dhe për këtë gjë, ajo mburret plotësisht, por tashmë karriera e saj shkencore vazhdon të zhvillohet në Grac të Austrisë.
“E dua bardhësinë, pastërtinë, higjienën orale dhe mbi të gjitha pjesët e njeriut që janë ekspozuese. Stomatologu i mirë është prind i dashur, pedagog i sinqertë dhe njeri që duhet nderuar e respektuar sepse një stomatolog i mirë mund ta shpëtojë një shoqëri ose familje duke investuar në shëndetin oral”, thotë Kqiku në këtë intervistë për KultPlus. Por ajo që atë e bënë kaq modeste, nuk janë vetëm sukseset e saj të arritura, por është pikërisht puna e saj e përkushtuar, e sinqertë dhe shpirti i saj që asnjëherë nuk është ndalur drejt arritjes së synimeve të menduara në jetë.
Pozitat në Perëndim ajo i konsideron si aspak privilegje por përkundrazi, për të janë një përgjegjësi tejet e lartë profesionale. Por me përgjegjësitë e shumta ajo është përball gjithmonë duke reflektuar përherë zotësi dhe dije në të gjitha fushat profesionale. Një nga motot e saj që akoma e përdorë edhe sot është “Jetoj për sot për të qenë e sigurt nesër”, dhe kjo si duket e ka shtyrë Kqikun që të jetë një studiuese e “ashpër” por në të njëjtën kohë edhe delikate, për arsye që në Perëndim dhe realisht, kudo ku ka vlera e cilësi, është konsideruar problematike, marrja me këto dy veprimtari. Por në fund të fundit, shkenca dhe mjekësia, për Kqikun thjesht janë dy copëza që ajo i përjeton, i do dhe i ndjen thellë në shpirt.
Doktoresha dhe profesoresha Lumnije Kqiku është njashtu edhe gruaja e parë nga Kosova dhe Shqipëria që në vitin 2011 ka hyrë në librin enciklopedik më prestigjioz në botë, siç është “Who´s Who in the World”. Ajo është shprehur se ky sukses është arritur nëpërmjet punës së saj, angazhimit të madh që e ka bërë ndër vite si eksperte dhe studiuese në fushën e Stomatologjisë e jo vetëm.
“Është një revistë prestigjioze që nderon dhe respekton personalitete kudo në botë dhe isha me fat që edhe unë isha njëra ndër të përzgjedhurat. Janë meritat ato që më kanë renditur në këtë revistë prestigjioze dhe sigurisht që nuk jam imponuar aspak, por përzgjedhja është bërë në bazë të kritereve të tyre”, thotë Kqiku.
Ndërsa kur ndalemi tek viti i kaluar, atëherë Kqiku ka treguar edhe disa nga momentet më të bukura si dhe ato të vështirat, që i ka hasur përgjatë 2022-tës.
“Nuk e mendoj se ka vit të mirë ose të keq, ka vit me detaje dhe specifika për punën tonë. Megjithatë ishte koha e pandemisë ajo që na bllokoi shumë dëshira dhe realisht kam kujtime të mira në afirmimin e shkencës kosovare në perëndim dhe angazhimi im si këshilltare e ish-ministrit të Shëndetësisë, Prof. Dr. Rifat Latifit. Aty u munduam të japim kontributin tonë profesional, por Kosova është ende larg këtij caku. Duke se kuadrot e mira nuk po çmohen sa duhet”, shpalos ajo.
Si ligjëruese e lartë për studentët e Mjekësisë së Përgjithshme, Stomatologjisë dhe studimeve postdiplomike në Austri, natyrisht që në punën e saj hasen edhe sfida nga më të ndryshmet me të cilat përballet në përditshmëri, por ajo punën ekipore e cilëson të lartë.
“Të jesh ligjëruese dhe udhëheqëse e departamenteve mjekësore në Austri me një staf të përkushtuar e profesional normalisht që është pozitë me përgjegjësi, por mua më ndihmon shumë përvoja dhe gjërat i bëj me pedanteri. Asnjë punë që duhet ta kryej sot nuk e lë për nesër dhe kjo më ka dhënë pastaj energji për orientime tjera. Sfidat janë të shumta sepse këtu kërkohet precizitet dhe dashuri ndaj profesionit”, tregon Kqiku e cila më tutje shprehet se puna ekipore atje është e njohur shumë, edhe pse natyrisht që secili e ka pjesën e vetë të përgjegjësisë.
Së fundmi doktoresha dhe profesoresha Kqiku ka fituar çmimin “Udhëheqja përmes Shembullit” nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës në Kongresin e Dytë Klinikë, të mbajtur në Prishtinë në muajin shtator. Ky çmim për të mban një vlerë tejet të madhe.
“Prej shumë çmimeve që kam fituar në arenën ndërkombëtare, çmimi që kam marr “Udhëheqja përmes Shembullit”, nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës në Kongresin e Dytë Klinikë, është çmimi jo vetëm më i rëndësishëm, dhe i veçantë, por më domethënësi në karrierën time shkencore. Dhe më e rëndësishmja është se çmimi më është dhënë nga vendi ku jam lindur dhe rritur, dhe nga një personalitet me renome botërore në fushën e shkencës siç është Prof. Dr. Rifat Latifi”, thotë Kqiku.
Kushtet tashmë janë të dijshme në Kosovë dhe ajo e ka cilësuar nivelin e arsimit si diçka që lë shumë për të dëshiruar, por ajo mban shpresa të mëdha që Kosova të zhvillohet akoma më shumë, e në veçanti që edhe Fakulteti i Stomatologjisë të jetë një nga fakultetet më të njohura jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
“Unë jam produkt i Universitetit të Prishtinës, përkatësisht kam përfunduar fakultetin e Stomatologjisë, dhe mburrem me këtë gjë. Por, karrierën time shkencore e kam zhvilluar në Austri-Grac. Do të doja shumë që Kosovën, vendin tim ta shoh të zhvilluar shkenctarisht siç janë vendet në zhvillim. Arsimi në Kosovë lë për të dëshiruar, por shpresoj se shumë shpejtë do të bëhen reforma të mëdha në të mirë të zhvillimit të shkencës. Pres që edhe fakulteti i Stomatologjisë të jetë në një fakultetet më të njohura jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë”, shpalos ajo.
Ndërkaq, krejt në fund, doktoresha dhe profesoresha Kqiku ka treguar edhe disa nga planet e saj që mund t’i presim këtë vit nga ajo.
“Planet e mija për këtë vit, si zakonisht janë hulumtimet shkencore, pjesëmarrja në Konferenca, Simpoziume dhe Kongrese me renome botërore ku në epiqendër janë punimet shkencore me metodat më të avancuara të kohës. Po ashtu, janë edhe detyrat dhe titujt që më janë besuar t’i zhvillojë dhe realizoj në mënyrën më profesionale të mundur dhe të jem në shërbim të studentëve dhe pacientëve të mi, që për mua janë të shenjtë”, përfundon Kqiku duke shtuar se plani tjetër që vlen edhe për vitet në vazhdim, është bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, ku ajo do të punojë në vazhdimësi me këta partnerë, me ç’rast edhe është duke u diskutuar për shumë projekte të rëndësishme të cilat do të bëhen publike me kohë. / KultPlus.com