30 Dhjetor, 2024 - 9:00 pm
Flonja Haxhaj
Ilire Vinca, një nga aktoret më të njohura dhe të respektuara të skenës shqiptare, vazhdon të frymëzojë audiencën me rolet e saj të thella dhe përkushtimin ndaj artit. Me një karrierë të gjatë e të pasur, ajo ka ndërtuar një emër të spikatur si në teatër, ashtu edhe në kinematografi, duke kombinuar mjeshtërinë artistike me ndjeshmërinë njerëzore. Në një intervistë të për KultPlus, Vinca ndau kujtime nga fillimet e saj artistike, përvojat që e kanë formësuar, dhe vizionin për artin e brezave të rinj.
Lidhja e saj me artin filloi që në moshë të re, e frymëzuar nga një mjedis familjar i pasur me kulturë dhe krijimtari. Babai i saj, një studiues dhe poet, i dha një bazë të fortë për zhvillimin e dashurisë ndaj artit. Megjithatë, rruga drejt aktrimit nuk ishte e lehtë. Përpara se të vendoste përfundimisht të ndiqte këtë profesion, ajo ndodhej në një dilemë mes mjekësisë dhe artit. Zgjedhja për aktrimin u bë një pikë kthese që do të formësonte karrierën e saj dhe do ta bënte një zë të rëndësishëm në artin shqiptar.
Për Ilire Vincën, arti është shumë më tepër se një profesion – është një mision për të ndihmuar dhe për të frymëzuar shpirtin e njerëzve. Ajo e përshkruan aktrimin si një formë të “mjekësisë shpirtërore,” që krijon lidhje të fuqishme emocionale mes aktorit dhe publikut. Ky përkushtim i saj e ka bërë të spikatur jo vetëm në interpretimin e roleve komplekse, por edhe në adresimin e temave shoqërore që prekin thellësisht komunitetin shqiptar.
Përvoja e saj e pasur në teatër dhe kinematografi i ka dhënë dy dimensione të ndryshme të artit. Në teatër, energjia e drejtpërdrejtë dhe reagimi i menjëhershëm i publikut krijojnë një përvojë unike, ndërsa filmi i ofron mundësinë për të eksploruar intimitetin emocional të një roli. Kombinimi i këtyre dy botëve i ka mundësuar Vincës të zhvillojë një qasje artistike të gjithanshme, që reflekton fuqishëm në interpretimet e saj.
Gjatë një interviste të ndjerë e të përfshirë në emocione të përziera, Vinca flet edhe për rolin e saj në shfaqjen “Babai dhe Babai” si një prej përvojave më të veçanta dhe domethënëse të karrierës së saj. Për të, ky rol përfaqëson jo vetëm një sfidë artistike, por edhe një barrë emocionale që kërkon përkushtim të plotë dhe ndjeshmëri të thellë. Vinca thekson se kjo shfaqje, e cila trajton temat e humbjes dhe shpresës, ka arritur të krijojë një lidhje të fuqishme me publikun dhe ka përmbushur jo vetëm karrierën e saj si aktore, por edhe atë si individ.
Përveç suksesit të saj artistik, Ilire Vinca kontribuon gjithashtu në edukimin e brezave të rinj si profesoreshë në Universitetin e Prishtinës. Ajo ndjen një përgjegjësi të madhe për të transmetuar përvojën dhe pasionin e saj tek aktorët e rinj, duke e parë këtë si një mënyrë për të siguruar një të ardhme të ndritur për artin në Kosovë. Përmes punës së saj, ajo vazhdon të jetë një shembull frymëzues për artistët e rinj dhe një ambasadore e denjë e kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Në vijim gjeni intervistën e plotë të Ilire Vincës, dhënë për KultPlus:
KultPlus: Le të flasim fillimisht nga zanafilla, si filloi lidhja juaj me aktrimin
Ilire Vinca: Ndoshta për ata që pak e kanë përcjellur punën time nga fillimi, zanafilla që më ka lidhur me artin ka qenë familja, sepse babai im i ndjerë ka qenë studiues dhe poet, kështu që pak a shumë konktakti im i parë ka qenë në familje, kur unë nuk e kam pasë vetëdijen se çka do të bëhem më vonë, megjithatë dashuria dhe dëshira për artin ka lindur aty, si edukatë, si fill, prej familjes, nga babai specifikisht. Kurse nëna ka qenë më racionale sa i përket çështjes sNë profesionit, ajo ka dashur që unë të jem mjeke, e unë i zgjodha të dy profesionet në të njëjtën kohë. Fati im ka qenë fati i kohës që është hapur dega e arteve dramatike këtu dhe si gjeneratë e parë kam konkuruar, po ashtu jam pranuar edhe në mjekësi dhe i kam ndjekur të dy studimet paralelisht deri në kohën kur në vitin 1990, sistemi, politika dhe u ndaluan shkollat shqipe e ne u detyruam që të kalonim në sistemin paralel, e atëherë teknikisht për mua ishte e vështirë që t’i përcjelli të dyja drejtimet dhe erdha në një moment vendimtar që më duhej të përcaktohesha duke e njohur peshën e njërit profesion dhe tjetrit, mu duk që ishte momenti që të përcaktohem në vetëm një profesion dhe me u marr profesionalisht si duhet. Në vitin e tretë të studimeve, vendosa të merrem përfundimisht me aktrim.
KultPlus: Pa dyshim se duhet të ketë qenë një arsye shumë e fortë që ju bëri që të merreni me aktrim, kur e kujtoni tani çka mendoni që ju bëri që të fokusoheni në këtë fushë?
Ilire Vinca: E kam kuptuar që ‘diagnoza’ shoqërore dhe çdo rrethanë që e jetojmë, zanafillën e ka te njeriu, dhe duke e kuptuar forcën e fjalës kam menduar që do të jem një ‘mjeke’ e përsosur e shpirtit të njerëzve që do të më shohin në skenë. Duke e njohur njëriun për së afërmi e duke i portretizuar e luajtur jetëte njerëzve e kam menduar që kjo është një forcë shumë e madhe, një luks ta them për një profesion, që ta ushtroj. Për mua, duke e kuptuar rëndësinë e artit, sa është i domosdoshëm për një shoqëri por edhe duke e parë për së afërmi që më pëlqente dhe mund ta bëjë këtë punë, në atë moment kjo ka qenë kthesa vendimtare. Nuk jam bërë asnjëherë pishman sepse arti është jo pak i domosdoshëm dhe arti ekziston pikërisht për shkak të domosdoshmërisë kur në kohë krizash e në kohë kur shoqërisë i duhet shumë.
KultPlus: A keni pasë ndonjë artist që ka qenë si inspirim për ju që të merreni me këtë profesion?
Ilire Vinca: Nuk kam qenë asnjëherë një person që kam krijuar idhuj dhe nuk kam idhuj në jetën time, mirëpo jam e fokusuar më shumë tek ndjesia që arti të krijon dhe emocionalisht mendoj që kjo është një pasuri shumë e madhe kur ti përballesh me një vepër artistike dhe që të fut në rrugën e reflektimit, të zbulimit, të kërkimit që është një proces shumë i bukur, sepse ti e rizbulon veten përmes çdo personazhi dhe e sheh botën në një prizëm komplet tjetër. Këto janë ato të vërtetat universale, prandaj edhe dramaturgjia dhe arti i mbijetojnë çdo kohe, sepse këto të vërteta universale në çdo kohë ekzistojnë, nuk zbehen dhe vazhdojnë të jenë të njëjta, kështu që idhuj nuk kam pasur, por më tepër aspekti se si e kam përjetuar unë dikë që ka bërë një rol bukur, ose një shfaqje ose një këngë, apo cilido art që ka ndikuar emocionalisht, ai moment ka ndikuar që të plotësojnë karakterin tim në aktrim.
KultPlus: Ju padyshim që keni pasur role të ndryshme edhe në filma edhe në teatër, si e përjetoni eksperiencën, si në teatër si në film, a ka diçka që i bën të dallueshme në rolet e tua?
Ilire Vinca: Teatri dhe filmi kanë një dallim për shkak të mënyrës së punës, filmi krijon një lloj intimiteti tjetër, ti e ke partner kamerën, e prapa kamerës janë njerëzit që do ta shohin atë film dhe kur e sheh filmin, je ti në të njëjtën anë ku është edhe publiku dhe ti arrin me e pa edhe me e ndi reagimin e njerëzve duke qenë në një sallë me ta. Ndërkohë teatri është diçka që ndodhë aty për aty dhe ti je në anën tjetër, publikun e ke përballë mirëpo energjinë edhe reagimet tyre i ndjen hap pas hapi bashkë, për aq kohë sa zgjat jeta e një storie, ngjarje apo jeta e një personazhi. Të dyja janë shumë të bukura, e kanë përjetimin e veçantë. Edhe teknikisht si aktrim ndryshon pak, mirëpo emocionalisht nuk ndryshon shumë. Secila e ka të veçantën e vetë, nuk krahasohen se cila është më e mirë, janë të ndryshme dhe në atë ndryshueshmëri e kanë të dyja atë natyrën e vetë të kënaqësisë.
KultPlis: Të flasim pak për rolet, a hyni në atë rol me natyrshmërinë tuaj, apo i përshtateni standardeve që u kërkohet?
Ilire Vinca: E para, kontakti i parë me tekstin apo me idenë, kur më ftojnë që të marr një rol, për mua gjithmonë është prioritet nëse mua më pëlqen ai tekst dhe nëse ka brum të mjaftueshëm që unë ta plotësoj, e dyta, kjo vjen në kontakt me regjisorin, i cili e jep botën e tij dhe idenë e tij se çka dëshiron ai që të mbërrijë me këtë shfaqje, në çfarë mënyre e zhanri dëshiron që ai të punojë, cilit lloj të teatrit i përket e shumë të tjera. Më pas fillon puna, unë gjithmonë mundohem që ai lexim i parë i imi me qenë një përshtypje që e shkruaj gjithmonë sepse është shumë e rëndësishme ky kontakti i parë me veprën dhe personazhin, çka ti zbulon për herë të parë dhe ajo përshtypje e parë është mirë që të ruhet sepse atë do ta marrë edhe shikuesi. Për mua çka është më e rëndësishme është përzgjedhja, kam dëshirë që vepra të më pëlqejë dhe të kem një synim se pse duhet ta punoj. Janë disa pyetje që quhen pyetje të arta: pse dëshiron ta bësh këtë personazh, çka do t’i japësh atij roli e asaj pjese dhe çka dëshiron që publiku të marrë nga ajo pjesë, kështu që është shumë e rëndësishme që si artist, me e pasë një lloj qëndrimi individual mbi veprën artistike. Ky kombinim për mendimin tim e thellon, e bën më kuptimplote. Kjo është një prej kualiteteve që unë kërkoj edhe mundohem me qenë gjithmonë në kontakt me to.
KultPlus: Të kthehemi pak në aktrimin gjatë periudhës së luftës, sa ka qenë e dhimbshme për juve si aktorë ajo periudhë kur ndoshta aktrimi ka qenë e fundit gjë që mund të bëhej.
Ilire Vinca: Secila ngjarje që të rrethon ndikon shumë edhe në formimin e një aktori/e por edhe tek çdo njeri në çfarëdo profesioni që bën, gjithçka tek ne len gjurmë në mënyrën se si rritemi e sidomos në rastin e luftrave. Për mua nuk ka qenë e lehtë me qenë dëshmitare e thyerjes së murit të katërt siç thotë Stanislavsky, kur jeta, drama dhe shfaqja nuk kanë më kuufi mes njëra tjetrës. Drama që përjeton në jetë, lufta jote që të mbijetosh si njeri, synimi yt që të jesh një person që e kërkon të drejtën që të jetosh si një njeri i lirë. Natyrisht se edhe në karrierën time ka ndikuar sepse shfaqjet e para i kam pasur në vitet e 90-ta kur e gjithë krijimtaria jonë në skenë ka qenë e ndikuar dhe reflektim i asaj që e kemi jetuar në rrugë dhe në përditshmëri. Forca dhe gjetja e motivit të brendshëm akoma më shumë e ka rritur atë detyrimin tonë që të jemi në skenë. ‘Lehtësia’ që e krijon petku i personazhit dhe i dramës e krijon në mundësi akoma më të madhe që të jetë një vegël e zëshme kështu që pak a shumë kjo ka qenë ajo lufta ime personale edhe pse kemi pasë faza që kjo fuqi është larguar komplet kur nuk kemi pasë mundësi as të luajmë sidomos në kushtet kur masat e dhunshme kanë pushtuar gjithçka. Megjithatë kjo i ka dhënë një karakter shumë interesant edhe aspektit profesional, sepse situatat e tilla lënë gjurmë të thella edhe tek rolet.
KultPlus: Të flasim, pak për shfaqjen ‘Babai dhe Babai’, shfaqje kjo që ju dha pas shumë çmime. Si erdhi tek ju kjo shfaqje?
Ilire Vinca: Ndonjëherë ne kemi fat si aktorë që të takohemi me njerëz të cilët mendojnë përafërsisht njëjtë me ne. Shfaqja ‘Babai dhe Babai’ ka ardhë si ide nga regjisori Kushtrim Koliqi, i cili ka kërkuar që të punojë me një shfaqje që do të trajtojë temën e të pagjeturve, një temë e një plagë që vazhdon të jetë prezente, e duke qenë dëshmitarë të një kohe kur luftërat nuk kanë fund, kjo dramë njerëzore vazhdon, padrejtësitë vazhdojnë, sado që drama mund të jetë specifike në një kontekst kohor të luftës sonë të fundit, i flet gjithë botës. Shfaqja ‘Babai dhe Babai’ flet për humbjen dhe shpresën. Në fillim e kam marrë si një sinopsis të zgjeruar se çka trajton tema, mirëpo që në momentin që e kam lexuar, i kam thënë vetes ‘A mund ta mbash këtë barrë, sepse nëse e merr duhet ta bësh deri në fund në mënyrën më të mirë të mundshme’. Për mua ka qenë hera e parë që kam punuar me Kushtrimin dhe ka qenë e jashtëzakonshme si përvojë. Shfaqja vazhdon akoma dhe me ndjeshmëri shumë të lartë të secilit prej nesh, është vërtet kënaqësi ta shohim edhe se sa e përjetojnë njerëzit. Jam shumë e lumtur që më është dhënë kjo detyrë kaq e dinjitetshme. Është një prej veprave që e ka përmbushur karrierën time, por edhe mua si person.
KultPlus: Kjo punë mund të themi se edhe është shpërblyer ngaqë edhe keni marrë shumë çmime për rolin tuaj në këtë shfaqje, së fundi e morët çmimin në festivain ‘Prishtina International Theatre Festival’, si ndjeheni për këtë vlerësim?
Ilire Vinca: Kjo ka qenë e fundit, megjithatë shfaqja ‘Babai dhe Babai’ ka marrë pjesë në disa festivale të rëndësishme, jam vlerësuar shumë për rolin, si unë si aktorët e tjerë, regjisori, skenaristi dhe shfaqja në përgjithësi. Mirëpo, më i bukuri e çmimi më i rëndësishëm është kur e sheh publikun se si del prej shfaqjes, është një shfaqje që nuk mbyllet aty por vazhdon me secilin prej shikuesve dhe këtë ndjenjë kur e marr prej publikun është vërtet një kënaqësi shumë e madhe.
KultPlus: Gjatë karrierës suaj, po ashtu ju keni luajtur në shumë projekte së bashku me vajzën tuaj, a mund ta përshkruani si eksperiencë?
Ilire Vinca: Arti lind natyrshëm nëse ti rritesh në një ambient arti, sepse ti e njeh atë ambient edhe identifikon. Edhe pse shumë herë mund të ndodhë edhe e kundërta kur fëmijët e kuptojnë që nuk duan të jenë në profesionin e prindërve. Rozafa ka diplomuar për regji të filmit, pra nuk është aktore e diplomuar, mirëpo aktrimin ajo e ka marrë duke u rritur me mua, ka qenë prezente në shumë provime të aktrimit, në punën time. Megjithatë, unë mendoj se aoj vërtet ka talent. Propozimi i parë si aktore i erdhi nga regjisorja Lendita Zeqiraj, e cila ja dha një mundësi për film. Ajo e provoi, i pëlqeu dhe rezultoi shumë e suksesshme ku më pas i erdhën edhe shumë oferta të tjera dhe po vazhdon. Bashkëunimi me të vjen shumë natyrshëm, sepse e kuptojmë cila është puna, cila është detyra e profesioni jonë.
KultPlus: Ju tani jeni edhe vetë profesoreshë në degën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, si është për juve që dijen dhe zhvillimin tuaj në këtë fushë ta transmetoni te gjeneratat e reja dhe sa mendoni se kanë potencial aktorët në ardhje?
Ilire Vinca: Unë mendoj se kemi shumë talentë dhe për mua si profesioniste është edhe një fat tjetër dhe detyrë që ta përcjelli dijen tek gjeneratat e reja. Ka shumë vite që punoj si edukatore dhe mendoj që krahas edukimit dhe të qenit profesor i aktrimit duhet të kesh edhe karrierë të mirë, sepse studentëve mund t’ju japësh mësime shumë të mira, por kur mund t’ju japësh edhe pjesën praktike kur ti vetë je në skenë, kur ndërrohen pozitat është një mësim tjetër. Duke e pasur këtë mundësi, procesi i mësimit është më i lehtë për mua. Gjeneratat ndryshojnë dhe ndryshimet janë shumë të mëdhaja në aspektin psiko-social sepse jemi në një kohë kur teknologjia është zhvilluar shumë dhe mjetet e punës dhe mësimdhënia duhet pak a shumë të transformohen. Kështu që, si proces i mësimdhënies, sado që je profesor, ti duhet ta përshtatësh mësimdhënien me atë që e ke përballë. Po provoj që si profesoreshë, ta përshtati dijen time, duke ua servuar atyre në mënyrën më të lehtë.
KultPlus: Duke qenë pjesë e aktrimit në Kosovë tash e sa dekada, si mendoni për zhvillimin e këtij lloji të artit në Kosovë, por edhe në Shipëri?
Ilire Vinca: Arti po zhvillohet në botë shumë dhe ka forma të ndryshme të artit. E mira më e madhe për momentin është që ne duhet të lëvizim dhe të përcjellim trendët e kohës dhe me i mbajt ato që janë të vlefshme dhe me i sofistiku disa të tjera. Meqë tani edhe liberalizimi i vizave është bërë, politikat kulturore dhe vizioni duhet të lëvizin në mënyrë që të jemi më të hapur dhe të bëjmë përpjekje që të bëjmë projekte dhe shfaqje jo në mure të mbyllura dhe vetëm disa njerëz sepse ajo mendoj që e dëmton edhe aktorin, sepse aktori ka nevojë që të shohë, të reflektojë, ta sfidojë veten dhe me të mendojë me kokë më të hapur. Mendoj që ka pasur zhvillime. Megjithatë nuk duhet t’ia lejojmë vetes që të jemi të kënaqur me atë ku kemi mbërritur, duhet të punojmë më shumë
KultPlus: A mund të na zbuloni më shumë rreth projekteve tuaja të radhës, në çka po punon tani Ilire Vinca?
Ilire Vinca: Momentalisht po punoj në projekte të cilat më janë ofru, megjithatë janë akoma në proces. Ka disa projekte që janë më janë ofruar dhe për to planifikoj të punoj në mars, kam edhe disa projekte individuale përmes të cilave po tentoj që të sjelli diçka të re nga vetja. Janë disa filma që i kemi xhiruar dhe po presim premierën. Po ashtu po vazhdoj edhe me shfaqjen ‘Babai dhe Babai’.
KultPlus: Ju keni qenë shqiptarja e parë që jeni nominuar në ‘League of Professional Theatre Ëomen’, si ka qenë për juve ajo periudhë?
Ilire Vinca: Ajo periudhë për mua ka qenë shumë e mirë për shkak sepse rëndësia e të dalurit nga vendi yt, dhe kjo është edhe detyrë e artit që të thejë disa kufinj, sepse njerëzit duhet ta njohin punën tonë dhe ne duhet ta njohim punën e dikujt tjetër. Unë kam punuar në Nju Jork me disa shfaqje dhe në një nga regjisoret të cilës i është kërkuar që të nominojë dikë nga vendet me të cilat ajo ka punuar. Ajo më nominoi mua dhe kur më thirrën që të më lajmërojnë se isha në mesin e 20 të nominuarave për mua ishte shumë befasi. Kur shkova më bënë të kuptoj që në vendet që ballafaqohen me shumë kriza, qoftë luftë ose histori që ne i kemi kaluar, të qenit artist në këto kushte të vështira, praktikisht ti shndërrohesh në një person i cili jep një mesazh, ke një lloj impakti dhe ndikimi tek njerëzit, bëhesh një lloj inspirimi tek të tjerët që ndoshta munden edhe të hezitojnë që të merren me një profesion që jo domosdoshmërisht është i sigurt. Në njëfarë mënyre ky nominim më ka rikujtuar që forca e artit është shumë e fuqishme.
KultPlus: Vitin e kaluar ju edhe jeni shpërblyer me çmimin ‘Aktorja e Vitit’ nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si është për juve kur e gjithë puna dhe sakrifica juaj shpërblehet?
Ilire Vinca: E gëzoj gjithmonë momentin kur vlerësohem për punën që e bëj, por në të njëjtën kohë, gjithmonë vazhdoj të punoj sepse këtë punë do të vazhdoj për gjithë jetën. Vlerësimet e tilla ta rikujtojnë që ke bërë një punë të mirë, por në të njëjtën kohë është edhe ajo që nuk duhet të vetëkënaqemi dhe të vazhdojmë më tutje.
KultPlus: Nëse e sheh karrierën tuaj që nga fillimi, cili është roli që krenoheni më së shumti me të?
Ilire Vinca: Vërtet është shumë e vështirë që t’i ndaj rolet e mia sepse gjithmonë kur e marr një rol, kushti i parë është që të më pëlqejë ai rol dhe nëpër të gjitha fazat që i kaloj, unë njihem me atë personazh shumë dhe gati ai bëhet si person i imi dhe krijohet një lloj simbioze shumë e bukur e përjetimit. Secilin nga rolet e mia e du, megjithatë po them për ‘Babai dhe Babai’ sepse është më e freskëta dhe është një rol që për aq kohë sa do të ekzistoje dhimbja e humbjes dhe e padrejtësisë, ai personazh do të jetë i gjallë edhe prezent në çdo moment.
KultPlus: Cili është mesazhi juaj për lexuesit e KultPlus në këtë fundvit?
Ilire Vinca: Kur vijnë fundvitet, gjithmonë i thërrasim mendjes se po vjen një fund dhe realisht aty e kuptojmë se fund nuk ka, çdo fund është një fillim i ri. Mendoj që është shumë e vlefshme që të jemi të sinqertë me veten, të dijmë çka duam nga vetja, çfarë ndikimi duam të kemi në shoqëri, cili është versioni më i mirë i vetvetes sepse në kohën që po jetojmë njeriu ka fillu me e humb ndjesëinë e komunitetit, prandaj arti është i domosdoshëm që t’i bëjë njerëzit bashkë, që të dëgjojnë përtej paragjykimeve dhe të jenë për njëri-tjetrin. Kjo është ajo që do shpetojmë botën nëse njeriu i kthehet njeriut./KultPlus.com