26 Janar, 2019 - 10:30 pm
“Mullixhiu” nuk është vetëm një restaurant që ka vetëm emrin mullixhiu, por edhe brenda hapësirës së këtij restauranti në Tiranë, janë mullinjtë që shërbejnë për gatimet e kryekuzhinierit Bledar Kola, i cili tash e pak vite ka hapur portën e tij për ti mahnitur edhe të huajt.
Para shumë viteve ia kishte mësyer rrugëve të Evropës që të gjente ndonjë punë, dhe si pjatalarës arrinte që të siguronte kafshatën e gojës. Nga një pjatalarës, ai më pas arriti të realizohej në një kuzhinier profesional dhe asnjë nga kontratat me restaurantet e famshme në Evropë nuk e bindi që të qëndronte atje, madje as ajo e Rene Rexhepit, kuzhinierit super të famshëm në botë. Kola i kishte vënë vetës një qëllim, dëshironte që ti vënte në lëvizje mullinjtë e kuzhinës së tij, për ta bërë kështu një ndër restaurantet më të renditura në gazetat e famshme të kuzhinës nëpër botë. Në një intervistë për KultPlus ai ka treguar se gjatë këtij viti, mediat e huaja do ta realizojnë edhe një dokumentar për të. Bledari i cili kënaqet duke shikuar fytyrat e mysafirëve derisa shijojnë ushqimin e tij ka treguar edhe faktin se për një pjatë të shijshme duhet të kesh prapa: fermerë, blegtorë, artizane, menaxherë, lavapjatës, e kuzhinierë.
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Ngadalë po sigurtë, jeni duke u renditur në mesin e majeve të restuaranteve të Tiranës, duke u listuar shumë shpesh edhe nëpër revistat më prestigjioze të kuzhinës nëpër botë. Të tjerët po e shijojnë ushqimin e “Mullixhiut”, kurse ju po e shijoni suksesin, të jep kënaqësi ky vlerësim apo po të shton edhe më shumë përgjegjësinë për punën tuaj?
Bledar Kola: Faleminderit për vlerësimin. Po është e vërtetë që gjatë këtyre dy viteve punë “Restaurant Mullixhiu” është renditur në mbi 30 medie prestigjoze nderkombetare si: Süddeutsche Zeitung, Der Spiegel, Frankfurter AllgemeineZeitung, B-Eat, Monopol, Abenteuer und Reisen, DW, Euromaxx, BBC 4, Standard, The Independent, Metro, Vogue, South China Morning Post, China Radio International, China Global Television Network, Get Lost, Star Tribune, Courrier International, Le Monde, La Republica, Vanity Fair, Fine Dining Lovers, IdentitaGolose, GamberoRosso, Travie, Globes, Food and Wine, Munchies VICE, Travel Weekly.
Ky është edhe viti i dytë me radhë që Mullixhiu e vendos Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të gastronomisë në Guiden IdentitaGolosewww.identitagolose.it/sito/it/203/guida-online.html
Këto vlerësime ndërkombëtare padyshim na japin kënaqësi, po gjithashtu na vendosin para përgjegjësisë që ti përgjigjemi pritshmërive të klientelës së huaj dhe gjithashtu edhe spekticizmit te klienteles lokale.
KultPlus: Ju ishit një pjatalarës në vitet e 90-ta, kurse tashti jeni një shef kuzhine që me recetat e juaja po mahnitni, kryesisht të huajt. Rrëfimi i juaj na bën të kuptojmë që suksesi nuk është vetëm në përralla?
Bledar Kola: Unë mendoj që shkallët e karrierës duhet të kalohen hap pas hapi. Nuk e di nëse do isha ky qe jam, nese do i kisha kaluar disa shkallë njëherësh. Kështu që besoj që të qenit pjatalarës, është mbase një kusht i nevojshëm për cdo shef kuzhine të suksesshëm.
KultPlus: Përgjatë kohës kur e konsideronit vetën të varfër dhe kërkonit punë në Londër, ju patët fatin të punonit me shefa të njohur të kuzhinës, duke përfshirë edhe kuzhinierin e famshëm Rene Rexhepi, në restaurantin e tij të famshëm “Noma”. Dhe pikërisht kur hapej një portë e madhe në Evropë, ju vendosët ta mbyllni atë portë dhe ta rihapni portën e shtëpisë suaj. E ndjeje me të vërtetë këtë sukses, që për shumë të tjerë mund të vlerësohej si një hap shumë i rrezikshëm?
Bledar Kola: Emigrimi dhe të jetuarit në një vend të huaj është një sfidë në vetvete. Pas një ekperience pothuajse 10 vjecare me kuzhina të ndryshme si ajo:franceze, italiane, japoneze dhe se fundmi me ate nordike, vendosa të kthehem në Shqipëri. Në fakt nuk e kam konsideruar kurrë mbylljen e një porte, faktin që jam kthyer në Shqipëri, aq më tepër e mendoj që ky kthim ka qenë një inspirim në vetevete, kot nuk thonë “Guri i randë peshon n’vend t’vet”
KultPlus: Ju lëshuat Shqipërinë për të larë enë, në mënyrë që të siguroni ushqim për familjen tuaj, kurse tashti jeni një shef kuzhine që ushqeni jo vetëm shqiptarët por edhe të huajt, si e shijojnë menunë, prindërit e tuaj? Merrni kritika nga ta?
Bledar Kola: Mendoj që nuk ka rëndësi se kush je dhe ku ke arritur, kritika e sinqertë e prindërve është ajo që të mban me këmbë në tokë. Kështu që edhe nëse nuk marr kritika nga prindërit, jam unë ai që i kërkoj me ngulm këto kritika, dhe jo vetëm rreth gatimit.
KultPlus: Të ka marë malli që dikush tjetër të gatuaj për ju, apo më nuk ja jepni këtë kënaqësi dikujt tjetër?
Bledar Kola: Herë pas here bëjmë vizita të ndërsjella me miqtë kuzhinierë në Tiranë, dhe qytetet e tjera, dhe shijojmë gatimet e njëri tjetrit. Gjithësesi, dreka dhe darka e stafit tek Mullixhiu është gjithmonë e ndryshme nga menuja, kështu që pothuajse ha cdo ditë nga duart e stafit të restorantit.
KultPlus: Keni shumë klientë edhe nga Kosova, ka gjasë që Bledar Kola të zbresë deri në Prishtinë, të bëjë menunë në ndonjë restaurant?
Bledar Kola: Në fakt kemi disa kërkesa të tilla por personalisht sipas filozofisë time mendoj që suksesi nuk eshte tek menuja. Ajo cfarë serviret në pjatë është vetëm akti final i një ekosistemi njerëzish, produktesh, vlerash dhe sinergjie. Pra, para një pjate qëndron një orkestër me fermerë, blegtorë, artizane, menaxherë, lavapjatës, kuzhinierë, ku menuja është vetëm “partitura muzikore” dhe krykuzhinieri është një dirigjent që duhet të krijojë një sinergji dhe të sintonizojë me gjithë orkestrën.
KultPlus: Dhe, menuja e juaj ndryshon sipas stinëve, ata që duan të vijnë përgjatë dimrit, çfarë do tu serviret?
Bledar Kola: Në këtë moment jemi në stinën e dimrit, që fillon nga mesi i nëntorit dhe mbaron në mesin e marsit. Në këtë menu mbizotorojnë padyshim frutat dhe perimet e kësaj stine krahas mishit të shpendëve.
KultPlus: Ky vit, çfarë risie do të sjellë tek “Mullixhiu”.
Bledar Kola: Ky vit do të jetë me plot plane dhe sfida. Si fillim do të kemi botimin e një libri gatimi, me një nga shtëpitë botuese më prestigjoze gjermane, botim ky që do të jetë në dy gjuhë: gjermanisht dhe anglisht, më vonë do të kemi realizimin e një dokumentari 30 minutësh nga një kompani filmike franko-gjermane, i cili do të shfaqet në disa media./KultPlus.com