Nesër hapet “Bërthamë”, shpalosen 27 piktura të punuara nga fëmijë me aftësi të kufizuara

26 Dhjetor, 2022 - 10:46 pm

Era Berisha

“Bërthamë”, quhet emërtimi i ekspozitës që nesër do të shpaloset në kryeqytet, e që vjen pikërisht për të shënuar Vitin e Personave me Aftësi të Kufizuar në Kosovë. Duke u nisur nga definicioni i fjalës bërthamë, atëherë kuptojmë se është fillimi i diçkaje apo pjesa kryesore e diçkaje, pas së cilës zhvillohen shtresat e tjera, me ç’rast kjo fjalë shqipe ka zënë vendin e saj edhe në emërtimin e kësaj ekspozite që për synim ka për të njoftuar publikun me punën e mrekullueshme të fëmijëve me aftësi të kufizuara, nëpërmjet temave të përcaktuara, shkruan KultPlus.

Duke qenë se në Kosovë viti 2022 është shpallur “Viti i Personave me Aftësi të Kufizuar”, organizata “Zë – Qendra Logopedike për Trajtim dhe Hulumtim” ose për shkurtë “Zë”, shënon dhe përmbyll këtë vit të mbushur me aktivitete për persona me aftësi të kufizuar përmes kësaj ekspozite me piktura të punuara me fëmijë që kanë aftësi të kufizuara. Të gjitha këto piktura janë punuar përgjatë vitit si pjesë e ‘Art Terapisë’ e cila është ofruar nga organizata “Zë”.

Nëpërmjet ekspozitës, do të shfaqen gjithsej 27 piktura që reflektojnë të brendshmen autentike të secilit fëmijë përfitues, tek shpaloset përmes vijave, formave dhe ngjyrave duke shprehur kështu lidhjen mes vet esencës së të qenurit, identitetit dhe perceptimit. Të ndara në 5 tema të ndryshme si: “Familja”, “Kafsha” (e preferuar), “Vendi” (i preferuar), “Ushqimi” (i preferuar) dhe “Fundviti”, ekspozita tregon për preferencat, dëshirat dhe jetën e fëmijëve të cilët kanë pikturuar.

Në një intervistë për KultPlus, themeluesi dhe drejtori i organizatës “Zë”, Lekë Gjurgjiali ka thënë se gjithsej njëmbëdhjetë fëmijë kanë përfituar nga ky projekt, dhe se entuziazmi i tyre ka qenë në kulm.

“Gjithsej përfitues direkt nga ky projekt kanë qenë 6 fëmijë për Art Terap si dhe 5 fëmijë për Muzikë Terapi. Duke qenë se këto lloje të shërbimeve janë inovative dhe të bazuara në bashkëpunimin e fëmijës me terapistin, produktet e nxjerra nga ofrimi i këtyre shërbimeve kanë qenë tejet origjinale. Të gjithë fëmijët kanë qenë shumë entuziast dhe kanë pritur me padurim kohën kur kanë filluar me këto seanca, ku edhe ky entuziazëm u përcoll me një performancë shumë të mirë nga ta, në të gjitha detyrat të cilat kanë pasur përgjatë këtyre seancave”, tregon Gjurgjiali.

Ndërkaq, për këtë projekt, ai ka potencuar se organizata “Zë” ka ofruar seanca të ‘Logopedisë’ dhe të ‘Muzikë Terapisë’ falas nga profesionistë të licensuar.

“Organizata ka ofruar seanca të Logopedisë dhe të Muzikë Terapisë falas nga profesionistë të licensuar, përgjatë gjysmës së parë të vitit 2022 (Janar – Korrik), ku janë ofruar qindra seanca falas për fëmijët përfitues. Përgjatë gjysmës së dytë të vitit 2022 e deri në fund të vitit, këtyre seancave i është shtuar edhe Art Terapia e mbikëqyrur nga një artiste konceptuale me pseudonimin “Tosti”, seanca këto nga të cilat edhe kanë dalë pikturat të cilat do të ekspozohen në ekspozitën ‘Bërthamë’”, shpalos ai.

Sipas tij, organizata “Zë” është e fokusuar që përpos ofrimit të shërbimeve direkte, të fuqizojë personat me aftësi të kufizuar përmes artit dhe kulturës duke lehtësuar kështu integrimin e tyre në shoqëri, andaj gjithsesi që organizata do të jetë aktive edhe përgjatë vitit 2023 me projekte dhe aktivitete të tilla.

“Duke qenë një organizatë relativisht e re, ndër sfidat tona është edhe përkrahja financiare për aktivitete të tilla, mirëpo pas projekteve të realizuara me sukses gjatë këtyre viteve si dhe aktiviteteve të cilat ka realizuar organizata, shpresojmë se kjo përkrahje do të rritet në mënyrë që të vazhdojmë ofrimin e këtyre shërbimeve si dhe misionin tonë për fuqizimin e personave me aftësi të kufizuar në Kosovë”, përfundon Gjurgjiali.

Ekspozita “Bërthamë”, gjegjësisht projekti është i përkrahur nga Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës, projekt ky që mundësoi ofrimin e ‘Art Terapisë’ dhe ‘Muzikë Terapisë’ për personat me aftësi të kufizuar përmes një sërë aktivitetesh të realizuara përgjatë vitit 2022.

Kujtojmë se hapja zyrtare e ekspozitës do mbahet në hapësirën e Lapidariumit të Muzeut të Kosovës, nesër (27 dhjetor), duke filluar nga ora 19:00 dhe do qëndrojë e hapur për tre ditë me radhë. / KultPlus.com

Të ngjajshme