24 Nëntor, 2018 - 10:00 pm
Gota të rakisë, të verës së bardhë, asaj të kuqe, të likerit, por edhe të ujit, janë pjesë e punës artistike të artistes Dardane Hadri, që së fundi, punën e saj në pëlhurë e ka zëvendësuar me atë në qelq, për të qenë kështu pjesë e shumë familjeve shqiptare, dhe jo vetëm.
Shumë familje shqiptare që konsiderohen të kenë shije më të hollë, tashmë kanë siguruar këto gota të kristalit, të cilat janë punuar me dashurinë e Dardane Hadrit, që inspirimin ka marë nga Bjeshkët e Rugovës dhe nga lëngu i trëndafilit, që e ka shijuar si e vogël prej tezes së saj.
Dardane Hadri ka treguar për KultPlus për këtë pasion që tashmë është prezantuar edhe nëpër Ambasada të Kosovës nëpër shtete të ndryshme të Evropës, dhe se një prezantim i tillë pritet të bëhet edhe nëpërmjet një ekspozite.
Ardianë Pajaziti
Fotografitë: Agon Nimani
KultPlus: Gota të verës së bardhë, të kuqe, të likerit, por edhe ato për ujë, janë pjesë e serisë së punës suaj që tashmë e disa kohë janë duke u përdorë nëpër shumë familje. Si ndodhi që të fillosh me punën artistike, pikërisht në gota?
Dardane Hadri: Para shumë viteve kam punuar me gota, të cilat paraqesin fragmente nga pikturat e mia, për shoqet e mia, mikeshat që ju bëja si dhuratë, por kohëve të fundit pashë që ka shumë të interesuar që të kenë nëpër shtëpitë e tyre këto gota dhe fillova që të punoj me porosi.
Është një dashni e imja për artin, për shumë vite, prej kur i kam përfunduar studimet, gjithmonë jam marë me pikturë dhe gjithmonë e kam transferuar këtë kreativitet në forma të ndryshme, gjithashtu jam marë edhe me keramikë, në kohën kur kam jetuar në Zagreb, në Galerinë time. Dhe mund të them se kjo është vetëm një teknikë tjetër e prezantimit të punës sime artistike.
KultPlus: Nuk njihet ndonjë artist shqiptar të ketë punuar me qelq, pikërisht në gota, që mund të jenë më afër familjeve, si ndihesh për këtë fakt?
Dardane Hadri: Shumë po gëzohem që po i pëlqejnë njerëzit këto gota dhe që po kanë dëshirë ti kenë pjesë të koleksioneve të tyre, sepse është pjesë e ambientit, pjesë e atmosferës, dhe nëse një pjesë e punës sime artistike bëhet pjesë e një familje, për mua është një kënaqësi shumë e madhe, është shumë pozitive.
KultPlus: Përpos familjeve shqiptare që tashmë janë të shumta që kanë blerë këto gota, sa ke arritë që këtë punë artistike ta dërgosh edhe nëpër shtete të tjera?
Dardane Hadri: Edhe në Londër punoj, dhe ka shumë familje që i kanë gotat e mia, i kam dërguar gotat në Indonezi, New York, Paris, Romë e në Stokholm.
KultPlus: Tashmë ke prezantuar disa seri, dhe shihen të kenë ngjyra të vecanta, kanë ndonjë emërtim këto gota?
Dardane Hadri: Po, kategorizohen në disa seri, varësisht prej nuancave dhe ngjyrave që i përdori, ato kanë emërtimet e tyre si: Manushaqja në Agim, Perlat e fshehura, Vjeshta në Grykë, Qelibari i Mëngjesit, Flaka e Ylberit…, varet prej ngjyrave që përdori edhe kategorizohen. Por mund të them se gjithmonë ngjyrat janë ndryshe, sepse kurrë nuk mund ta punoj një seri dy herë, sepse janë të punuara krejt me dorë.
KultPlus: E përmendët që inspirimin e keni marë prej rrënjëve tua, prej vendit ku edhe jeni rritur. Sa ke ndërlidhë promovimin e Kosovës pikërisht me këtë inspirim dhe emërtimin e serive të gotave?
Dardane Hadri: Unë jam formuar në Kosovë, jam rritë në Pejë e në Rugovë, e jeta ma ka sjellë që të jetoj në Londër. Kudo që të shkojmë e marim identitetin me vete, me dashni i kujtoj ato peizashe të bukura dhe kujtimet që mi kanë sjellë ato vende, ato forma mundohem që ti përcjellë në pikturë, por edhe në gota. Gjithmonë e potencoj, me këdo që flas ju them që puna artistike, qoftë në pikturë apo gotë, është pjesë e vendit tim?
KultPlus: Cila teknikë është duke dominuar së fundi në ty, puna në pikturë apo në qelq?
Dardane Hadri: Për momentin jam duke punuar në qelq, e kam zbuluar një dashni tjetër të re, por mendoj se është vetëm një formë tjetër e shprehjes, nga ajo e pikturës.
KultPlus: Tashmë seritë tua kanë edhe ngjyrat por edhe emërtimet e tyre, por duke pasë parasysh se Kosova mund të dhurojë edhe më shumë inspirim në krijime të reja, duke u bazuar edhe në trashëgiminë kulturore, a mund të pritet edhe ndonjë seri tjetër po me këtë qasje?
Dardane Hadri: Unë i adhuroj artizanatet e Kosovës, sidomos detajet prej kostumeve, filigranit, me siguri në të ardhmen do të prezantohem me dicka të tillë.
KultPlus: Duke pas parasysh interesimin e madh për këtë punë artistike, sa po arrin të krijosh në proporcion me kërkesat?
Dardane Hadri: Realizimi i një serie të tillë shumë merr kohë, është shumë proces i gjatë. Më shumë kam kërkesa se sa që arrij të realizoj gota. Punoj shumë edhe në Londër, por edhe këtu, dhe po mundohem të mbuloj kërkesat.
KultPlus: A mendon që të prezantohesh me ndonjë ekspozitë që mund ta prezantosh punën tuaj edhe në pikturë, por edhe në qelq?
Dardane Hadri: Shumë kisha pasë qejf, janë të prezantuara nëpër vende të ndryshme, por jo si tërësi, dicka të tillë ende nuk kam prezantuar, kam prezantuar nëpër ambasada, por jo si ekspozitë personale. Por besoj që ka ardhë koha që të prezantoj punën time me një ekspozitë të vetme.
KultPlus: Për fund, a ka ndonjë seri që të lidhë më emocionalisht me njerzë më të afërm?
Dardane Hadri: Jam e dashuruar në shurupin e trëndafilave, mi kujton momentet në Pejë, kur e kam pirë këtë lëng që ma përgatiste tezja ime. E kam punuar një seri të gotave mu për këtë lëng trëndafili, të cilat rrinë shumë bukur, kur ngjyra e lëngut është rozë, dhe nëse servohen me disa petale të trëndafilave, atëherë duken edhe më bukur. Por, përpos që mora inspirim prej familjes, tashmë puna ime po kapërcen familjen time dhe po shkon edhe nëpër shumë familje të tjera. Unë jam shumë e lumtur që shumë gëzime familjare festohen me punën time artistike./KultPlus.com