Përkthimi, proces i pasurimit të letërsisë

13 Janar, 2020 - 11:13 am

Intervistë me Clare Azzopardi, shkrimtare, përkthyese e letërsisë dhe ligjëruese letërsie në Universitetin Malta Junior College.

Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana

Mimoza Hasani Pllana: Veprat tuaja të shkruara  në gjuhën malteze janë përkthyer në disa gjuhë. Çfarë do të thotë për ju kur vlerësohen, përkthehen dhe pëlqehen tekstet tuaja nga lexuesit e huaj?

Clare Azzopardi: Një libër i përkthyer sjell një rrëfim, personazhe dhe kulturë si të përthyer në pasqyrë. Ai krijon një marrëdhënie në mes të autorit dhe përkthyesit dhe gjithashtu ndërton një dialog të hapur në mes të kulturave dhe gjuhëve. Përkthimi pasuron letërsinë e vendeve dhe ndihmon autorin/përkthyesin të lexoj.

M.: Përveç se jeni autore, keni përkthyer edhe tekste letrare nga anglishtja dhe italishtja  në gjuhën malteze, sa sfidues është ky proces?

C.A.: Natyrisht se është sfiduese, por edhe shpërblyese gjithashtu. Është një shkëputje nga shkrimi, më duhet të them një pushim intensiv dhe përmirësues, si në përjetimin e dy gjendjeve.  Kohët e fundit kam përkthyer vetëm libra për fëmijë (nga gjuha angleze dhe italiane në gjuhën malteze), kryesisht libra me vizatime. Disa prej këtyre librave janë shumë sfiduese për shkak të fjalëve me rimë, pastaj ritmit dhe muzikalitetit të tekstit. Zakonisht janë tekste të shkurtëra, kështu që nëse humbas ritmin këtu dhe aliteracionin atje, shumë lehtë mund të përfundoj në një tingëllim/kuptim mishmash. 

M.: Cilat teknika të përkthimit përdorni?

C.A.: Në veçanti asnjë. Unë kurrë nuk kam studiuar mbi përkthimin, andaj për mua përkthimi është një proces intuitiv, por që nuk do të thotë që nuk bëj ndonjë kërkim/studim. Përkundrazi, duhet të bëjmë kërkime dhe bashkëpunime me përkthyesit e tjerë nëse duam të kemi një përkthim të mirë dhe të besueshëm.

M.: Për aq sa kemi njohuri letërsia shqipe në gjuhën malteze përfaqësohet fare pak, për të mos thënë aspak. A do të thotë kjo se mungon intersimi për letërsië shqipe, apo mungon komunikimi?

C.A.: Me aq sa kam njohuri unë një autor shqiptar ka qenë i ftuar në Festivalin Mediteran të Maltës, por nuk jam e sigurt nëse ndonjë autor maltez ishte ftuar ndonjëherë në Shqipëri. Unë besoj se Immanuel Mifsud ka një libër që është  përkthyer dhe botuar atje, ky është i vetmi që njoh. Nuk them se është mungesë interesimi, më shumë është mungesë njohurishëx dhe mungesë fondesh, ndoshta, e mbi të gjitha mungesë komunikimi. Nuk jam në një pozicion shumë të mirë që të përgjigjem në këtë pyetje. Për një kohë të gjatë kam qenë pjesë e këshillit organizativ të Festivalit Mediteran të Maltës, por tani nuk jam më dhe zgjedhja e autorëve nuk varet nga unë.

M.: Puna juaj letrare është vlerësuar me çmime për shkrim dhe redaktim, sa ju motivojnë vlerësimet e tilla?

C.A.: Po edhe jo. Nuk shkruaj për të marrë çmime. Unë shkruaj sepse dua të shkruaj. Kur vjen ndonjë çmim e mirëpres, por nuk dua të bëjë bujë të madhe për të. Shpërblimet/çmimet më të mira asnjëherë nuk janë titujt, por lexuesit e mi, si të rinjë ashtu edhe të moshuar, të cilat nuk janë më të gjata se disa fjalë ose fjali, të cilat i pranoj me dashuri. 

M.: Duke qenë se shkruani letërsi për fëmijë dhe të rritur, cili është zhanri juaj më i preferuar?

C.A.: Unë shkruaj më shumë për fëmijë. E dua librin me fotografi/ilustrime më shumë se gjithçka. Ndoshta, sepse kjo më jep mundësinë për të bashkëpunuar me ilustrator, kam patur bashkëpunime të mrekullueshme në të kaluarën. Shkrimi për të rritur zgjatë më shumë dhe është më i kërkuar, por unë besoj se është më mirë t`i kultivosh të dyja.

M.: Cili është komunikimi juaj me komunitetin e shkrimtarëve shqiptarë, a keni marrë pjesë ndonjëhere në seminare, konferenca gjuhësore dhe filologjike në Kosovë apo Shqipëri?

C.A.: Jo, ose më sakt jo akoma. Shpresoj të marrë pjesë në të ardhmen. 

Clare Azzopardi, është shkrimtare për fëmijë dhe të rritur. Është udhëheqëse e departamentit të gjuhës malteze në Universitetin Malta Junior College dhe për shumë vite ka qenë anëtare aktive e Inizjamed, një OJQ misioni i së cilës është promovimi i letërsisë në Maltë dhe jashtë. Me Inizjamed, ajo ka qenë bashkëorganizatore e festivaleve dhe punëtorive të letërsisë, shpesh në bashkëpunim me Literature Across Frontiers (LAF). Puna e saj është përkthyer në disa gjuhë dhe ajo është prezantuar në një numër përmbledhjeh përfshirë  Transcript, In Focus, Cúirt Skald, Words Without Borders dhe Novel of the World. Shfaqja e saj L-Interdett Taht is-Sodda (Merlin Publishers) është botuar në gjuhën frënge (Éditions ëThéâtrales) dhe në gjuhën arabe (IACT). Azzopardi ka botuar 2 libra me tregime të shkurta për të rritur, ku të dyja kanë fituar Çmimin Kombëtar të Librit për Letërsi. Përmbledhja e saj e fundit është botuar në gjuhën kroate (VBZ), gjuhën hungareze (Noran Libro) dhe gjuhën arabe (Sefsafa Publishers). Clare Azzopardi ka marrë pjesë në një numër festivalesh dhe më 2015 ajo është përzgjedhur pjesë e Zërave të Rinj të Europës (Europe’s New Voices). Ajo sapo ka publikuar novelën e saj të për të rritur Castillo (Merlin Publishers) dhe momentalisht është duke punuar në novelën e saj të re. Clare Azzopardi është fituese e disa çmimeve në letërsi.

Intervista u shkëput nga libri: Shtegtimi i shqipes në Europë. Autore: Mimoza Hasani Pllana. Botues: OLYMP, Prishtinë, 2019./KultPlus.com

Të ngjajshme