‘Primordial Passion’, kryevepra që flet shqip, Pirro Ruço: Ora simbolizon energjinë, unitetin dhe shpirtin e popullit shqiptar

30 Dhjetor, 2024 - 11:59 am

Vjollca Duraku

“Primordial Passion” është ora e parë e prodhuar në hapësirat shqiptare nga mjeshtri i madh i artit të punimit të metaleve dhe gurëve të çmuar, Pirro Ruço. Ajo nuk është thjeshtë një orë. Konsiderohet KRYEVEPËR, dhe e tillë është. Në një diameter 46.5 milimetra paraqitet identiteti kulturor i një kombi të tërë. Në popull është emërtuar edhe si “Ora Shqiptare” që në një kuptim dytësor personifikon mbrojtjen e Shqipërisë, pasi thellë thellë paraqet një harmoni të paparë të të gjitha trojeve shqiptare, bukuria e së cilës qëndron te dallimet e tyre si në traditë, kulturë, fizionomi dhe gjithçka tjetër që përkufizon secilin rajon.

Përveç, elegancës dhe bukurisë së rrallë të paraqitur në formë skulpturore në miniaturë dhe filozofisë mbi unitetin dhe shpirtin e popullit shqiptarë, unikaliteti i saj qëndron edhe në gërshetimin e mjeshtërisë tradicionale me teknologjinë moderne, si pasojë e një vizioni që e mat kohën me bukurinë e përjetshme,  duke tejkaluar trendet e të përkohshmes.  

“Primordial Passion” flet shqip përmes tik-takeve të saj, të cilat burojnë nga zemra e shqiponjës së stilizuar, e cila qëndron stoike mbi mbretëreshën kohë. Rreth saj, e praruar në ar paraqitet një skenografi folklorike perfekte e dymbëdhjetë vallëtarëve shqiptarë, që përfaqësojnë dymbëdhjetë rajone të ndryshme të Shqipërisë etnike, të cilët përmes kostumografisë autoktone nxjerrin në pah tipologjinë dhe psikologjinë e veçantë të secilës zonë.

Këmbët e shqiponjës përfaqësojnë akrepat e orës, rreth së cilëve qëndrojnë katër instrumentistë që luajnë me lahutë, fyell, gajde dhe çifteli duke krijuar një simfoni perfekte për valltarët që vallëzojnë mbi një mozaik artistik gurësh kuq e zi. E tërë kjo gjendje ruhet përmes një kupole të kristaltë, e cila rri mbi këtë solemnitet kombëtar si mburojë për të mos e dëmtuar nga ‘faktorë të jashtëm’. Ndërsa, korona e kurdisjes që përfaqëson një kapitel të antikitetit ilir, e dekoruar me gjethe të dushkut, paraqet një epokë historike e cila e kurdis rrjedhën e ngjarjeve pasuese dhe të simfonisë shqiptare.

Për të krijuar një kryevepër të tillë sikurse e mjeshtrit Pirro Ruço është e qartë që një personi do t’i duhej një vizion, vullnet, pasion dhe një atdhedashuri e madhe, por mbi të gjitha do t’i duhej të ishte i biri i një babai që ka qenë mjeshtër i madh i shumë zanateve, në mënyrë që kjo mjeshtëri artistike t’i ngjizej në identitet krejt natyrshëm, që nga lojërat fëmijërore në atelenë e punës të së atit, në fshatin Kuqovë.

Në gdhendjen e tij si artist edhe fati e luajti rolin e vet, ngase në kohën kur Shqipëria ishte në një kaos social dhe në një mishmash politik asokohe presidentit i mungonin edhe medaljet dhe dekoratat tjera me të cilat do të jepte vlerësim për një kontribut të caktuar. Kështu, si një artist fillimisht i afirmuar pas krijimit të stampës së Enver Hoxhës përmes një pantografi të cilin e kishte krijuar vetë në shtëpi, si një sajim për t’i shpëtuar internimit, e më vonë edhe si një artist i dëshmuar përmes ekspozitës së parë me punime të arit në Tiranë, argjendtarit Pirro iu dha leja që të merrej edhe me këtë pjesë.

Prej atëherë ai do të perfeksiononte artin e tij shkallë- shkallë për tu shëndrruar në artistin e të gjitha krijimeve që përfshijnë medalje, dekorata, çmime e trofe për të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të Shqipërisë. Në dy dekadat e fundit ai e arriti kulminacionin e tij si artist pasi u specializua edhe në artin e bizhuterisë duke arritur nivele të larta në dizajn dhe teknologji.

Në këtë kulminacion të karrierës së tij, një vizitë e realizuar në Baselworld në vitin 2014, në një nga panairet më të rëndësishme në botën e orëve dhe bizhuterive për të do të paraqiste një pikëkthese të madhe në aspektin e zgjerimit të vizionit të brendit të tij “Pirro”. Mjeshtri i artizanatit aty ishte mrekulluar aq shumë sa zemra dhe mendja e tij i kishin ngelur te mjeshtëria mekanike dhe shpikjet novatore të industrisë së orëve.

“Ky moment ndezi një pasion të ri brenda meje. Fillova të vizitoja çdo panair orësh, duke u përkushtuar në krijimin e një ore që nuk ishte bërë kurrë më parë. Synimi im ishte të krijoja diçka që do të pasqyronte artizanatin dhe pasionin tim të thellë. Investova në makineri të fundit zvicerane dhe fillova eksperimente të reja. Krijimi i një ore që do të pasqyronte gjithçka që unë përfaqësoja ishte një sfidë e madhe, por njëkohësisht edhe një mundësi e jashtëzakonshme”, ka thënë Ruco, duke treguar se kjo eksperiencë në Zvicër e kishte ngacmuar thellë dellin e tij për të krijuar orë për herë të parë në Shqipëri, si dhe një të tillë që nuk ishte realizuar ende në botë, si mënyrë e vetme për të çarë në tregun ndërkombëtar.


“Kjo eksperiencë më frymëzoi të nis një projekt të ri artistik, ku do të krijoja një orë që nuk ishte realizuar kurrë më parë. Me këtë projekt, kam dashur të ndërthur identitetin kulturor shqiptar me vizionin unik të kompanisë sime. Krijimi i kësaj ore, që përfaqësonte këtë sintezë, u bë një qëllim ambicioz që më drejtoi në një udhëtim të jashtëzakonshëm krijues”, ka thënë Ruço, duke shtuar se arti është një pasion që të ngërthen në vazhdimësi nga i cili nuk mund të ndalesh së kërkuari dhe krijuari origjinalitet të bazuar në një masë eterne që rrjedh përmes ndjesive të tua si individ.

Megjithëse ideja për një krijim të tillë unik i ishte shfaqur më vonë, krjimtaria artistike me motive kulturore që e nderon trashëgiminë e popullit, kanë qenë një stil i punës që e kishte përcjellë argjendtarin përgjatë 30-të viteve të tij të karrierës. Kjo përvojë e shtresuar dhe e mjeshtëruar vit pas viti padyshim ka qenë e duhura që ai të krijojë besim te vetja për të krijuar “orën mbretëreshë” dhe për të konkurruar me brendet më të fuqishme botërore, që shpesh janë edhe me prirje komerciale, përmes këtij monumenti identitar.

“Për mua, valltarët folklorikë simbolizojnë energjinë, unitetin dhe shpirtin e popullit shqiptar. Duke i integruar ata në dizajnin e kësaj ore, qëllimi im ishte të sjell në jetë këtë frymë kolektive, e cila është
thelbësore për historinë dhe identitetin tonë. Çdo figurë është konceptuar për të mishëruar psikologjinë dhe elementet unike të këtyre rajoneve, duke i pasqyruar ato përmes veshjeve tradicionale, shprehjeve dhe psikologjisë së secilit portret”.

Dëshira e tij  për të krijuar një orë që do të pasqyronte trashëgiminë kulturore shqiptare në një mënyrë unike dhe artistike u pasua nga një studim i thelluar i traditave kulturore të rajoneve shqiptare dhe i elementeve që mund të përfshiheshin në dizajn. Pas kësaj, ka filluar puna mbi konceptin e figurave dhe detajeve që do të shfaqnin veshjet tradicionale dhe shprehjet e valltarëve folklorikë.

“Pasi koncepti u formua, kaluam në fazën e dizajnit dhe krijimit të prototipit. Gjatë kësaj kohe investova
në makineri moderne dhe teknologji më të fundit zvicerane. Kjo fazë kërkoi shumë kohë për testim dhe përsosje, për të siguruar që çdo detaj të ishte i përsosur”.

Gjatë krijimit të “Primordial Passion”, përballja me sfida të ndryshme padyshim që ka qenë  e pashmangshme, pasi për të ishte një përvojë e papërjetuar më parë. Momentet kritike dhe sfidat kanë qenë prezente deri në ditën e fundit për shkak të detajeve të imta që kërkonin shumë kohë e precizion, si dhe për shkak të problematikave teknike.

Për të ndërtuar mozaikun kuq e zi që shërben si bazë e figurinave është dashur që në tavolinën e punës të preheshin 20 mijë gurë Murano, prej të cilëve janë përzgjedhur 1500, ata më të përshtatshmit për të krijuar një vendosje me saktësi të hatashme në një hapësirë ndërmjet gurëve me tolerancë më pak se 3 mikronë – një nivel precizioni që thekson mjeshtërinë, durimin dhe përkushtimin e punës së tij në plotësimin e mozaikut artistik.

Edhe gdhendja jashtëzakonisht precize e valltarëve folklorikë në një madhësi prej prej vetëm nëntë milimetrash, ka kërkuar një nivel të lartë mjeshtërie dhe vëmendjeje ndaj detajeve, për të siguruar që çdo mikro-figurinë të përçonte denjësisht etnografinë dhe kustomografinë shqiptare.

“Gjatë përballjes me këto sfidë, më janë dashur netë e netë pa gjumë duke bërë kërkime të thella si dhe investime të konsiderueshme në makineri të avancuara zviceriane. Ky proces kërkonte një angazhim të plotë dhe një përkushtim të madh deri në sakrifica, por rezultati në fund ja vlejti. Sfidën më të madhe në këtë projekt e kisha me veten, ku gjithë kohës mendoja si do ta mbyllja këte orë në mënyrën më perfekte”, ka thënë Ruço.

Çdo figurinë ka një lartësi prej 9-10 mm, me detaje të cilat ruajnë origjinalitetin e një vepre skulpturale, ku secila prej tyre ka tipologji dhe kostumografi të veçantë. Ky mikro-mozaik përmban 1500 gurë në tetë ngjyra të ndryshme, të cilat janë pozicionuar gati në perfeksion një e nga një nga artisti Ruco. Kasa e orës përbëhet prej ari të verdhë 18 karatësh me diametër 46.5 milimetra, që së bashku me kristalin harkor prej zafiri të kupolës arrin një lartësi rreth 22 mm. Ora në tërësi karakterizohet nga tre ngjyrëshi arbënor: E artë, e zezë, e kuqe.

“Përfundimi i kësaj ore ka kërkuar shumë angazhim, përkushtim dhe përpjekje për të realizuar çdo detaj, dhe fakti që ia dola ta sjell në jetë një krijim kaq të veçantë është një arritje e madhe për mua. Ndjenja e kënaqësisë është e paçmuar, sepse çdo fazë e procesit ishte një mundësi për të mësuar dhe për t’u zhvilluar si artist. Kjo orë nuk është vetëm një produkt, por një dëshmi e pasionit dhe e përkushtimit tim për mjeshtërinë dhe artin”.

Sigurisht, një realizim kaq i vështirë dhe kaq i jashtëzakonshëm si ky ka impresionuar edhe arenën ndërkombëtare, dhe kjo gjë paraqet një ndjenjë të veçantë krenarie për mjeshtrin Ruco. Gazetarët më të famshëm të specializuar në fushën e horologjisë e kanë vlerësuar shumë nivelin e detajeve dhe mjeshtërinë e orës, si dhe përpjekjen për të përçuar kulturën dhe historinë shqiptare përmes një dizajni të tillë.

“Ora është promovuar në shumë publikime të huaja, gjë e cila më bën jashtëzakonisht krenar. Promovimi i orës në shumë media prestigjioze ndërkombëtare më ka mbushur dhe inspiruar. Ajo që më ka lënë më shumë mbresa janë reagimet që e krahasojnë “Primordial Passion” me orët e markave më të famshme botërore, si për mjeshtërinë dhe precizionin, ashtu edhe për origjinalitetin. Disa ekspertë e kanë cilësuar si orën më emocionuese dhe të papritur të vitit, një zbulim të jashtëzakonshëm që ka sfiduar përceptimet e luksit dhe artizanatit në botën e horologjisë”.

Ora “Primordial Passion” është një vepër unike, e vetëmja në llojin e saj. Vlera e saj është CHF 1,200,000, megjithëse për vetë artistin i cili ende refuzon ta shesë, vlera e saj nuk ka çmim sepse në të janë të përmbledhura pesë vite jetë, punë durim dhe sakrificë. Kjo vepër është menduar për një grup të ngushtë koleksionistësh dhe adhuruesish të veprave të rralla, të cilët çmojnë artizanatin dhe lidhjen me identitetin kulturor.

“Edhe pse kemi pasur disa interesime, ora ende nuk është shitur. Për mua është shumë e vështirë ta shes, pasi për mua ajo është e paçmueshme. Megjithatë, jemi të hapur për mundësi dhe po presim të gjejmë koleksionistin e duhur që do ta vlerësojë me të vërtetë, përveç disa kërkesave serioze që kemi tani”, ka thënë mjeshtri Ruço, i cili për pesë vite i ishte shmangur krejtësisht punës në argjendtarinë e tij, duke ia bartur këtë pjesë bashkëshortes Ortencës dhe së bijës Albës, e cila është e kualifikuar në pjesën e gurëve të çmuar.

Meqë ora është një përfaqësim i artit, historisë dhe mjeshtërisë, Ruco dëshiron që mbajtësi i saj të ndjejë se është duke mbajtur një vepër unike dhe të veçantë, që ka një domethënie të thellë dhe një lidhje me identitetin kulturor. Për më tepër, mjeshtri dëshiron që ata të ndiejnë një ndjesi ekskluziviteti dhe elegance, duke pasur diçka që nuk mund të gjendet askund tjetër.

Nëse “Primordial Passion” do të fliste edhe me zë, do të tregonte për një krijues të përkushtuar ndaj mjeshtërisë dhe artit, që nuk ka frikë të sfidojë veten për të arritur perfeksionin. Do të fliste për pasionin dhe krenarinë që mbart çdo detaj, për dashurinë për krijmtarinë artizanale dhe për dëshirën për të sjellë një pjesë të historisë dhe identitetit në këtë krijim.

“Kjo orë do të tregonte për një individ që beson në fuqinë e artit për të përçuar mesazhe dhe ndjenja që kalojnë përtej kohës dhe hapësirës”.

Pas këtij suksesi të jashtëzakonshëm artisti planifikon të krijoj më shumë vepra unike në të ardhmen. Qëllimi i tij është të vazhdoj të prodhoj ora dhe koleksione që kombinojnë mjeshtërinë tradicionale me inovacionin modern, duke sjellë elemente të reja që i japin zë historisë dhe indentitetit shqiptar. “Çdo krijim do të jetë një vepër arti e personalizuar, që ka si synim të ruajë autenticitetin dhe të ofrojë një përvojë të paharrueshme për çdo klient”, ka thënë Ruço.

Në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar, artisti ka theksuar edhe rolin i krijimeve artizanale që sipas tij është më i rëndësishëm se kurrë, pasi shërben si një kundërpeshë ndaj automatizimit dhe vlerave komerciale. Sipas tij puna artizanale ofron autenticitet dhe vlera emocionale duke krijuar kështu një lidhje më të thellë midis krijuesit dhe konsumatorit- diçka e cila është e vështirë të kopjohet nga teknologjia.

“Teknologjia është një mjet për detyrat teknike, por kreativiteti duhet të mbetet në duart e njeriut. Megjithatë, artizanët nuk mund ta injorojnë plotësisht teknologjinë; por të mësojnë si ta integrojnë atë në punën e tyre për të qëndruar të rëndësishëm në treg. E ardhmja e krijimeve artizanale qëndron në
harmonizimin e inovacionit teknologjik me parimet e përjetshme të mjeshtërisë artizanale duke ruajtur
kështu trashëgiminë ndërkohë që përqafon modernitetin”, ka thënë Ruço.

Për fund, artisti Ruço ka dhënë një këshillë për krijuesit e rinj që aspirojnë të hyjnë në industrinë e orëve, për të gjetur një balancë mes inovacionit teknologjik dhe parimeve të përjetshme të mjeshtërisë artizanale.

“E ardhmja e orologjisë qëndron në harmonizimin e këtyre dy aspekteve. Magjia e një ore nuk qëndron vetëm tek precizioni dhe mekanizmi i saj por dhe tek historia, imagjinata dhe emocioni që ajo përcjell. Ndërkohë që industria vazhdon të evoluojë, është e rëndësishme të përdorim teknikat moderne pa humbur esencën e artit tradicional. Talenti i vërtetë qëndron në komunikimin e elegancës dhe thjeshtësisë, dhe ky është sekret i orologjisë si një formë arti që sheh përpara, ndërkohë që mbetet e lidhur ngushtë me të kaluarën”, ka thënë Ruço./ KultPlus.com

Të ngjajshme