31 Dhjetor, 2020 - 7:00 pm
Ardianë Pajaziti
Ishte vetëm 9 vjeçe. Motra e saj e kishte marr përdore dhe po e dërgonte në drejtim të Shkollës së Muzikës, dhe nuk e kishte kuptuar se hapat drejt atij objekti do të jenë hapa vendimtarë të profesionit të saj jetësor.
Valbona Pula Petrovci, sot një mjeshtre e pianos, profesoreshë në Fakultetin e Muzikës, udhëheqëse dhe themeluese e Shkollës së Muzikës “Amadeus” (Shkolla e parë private e muzikës e themeluar në Kosovë që nga vitit 2002) dhe ligjëruese në AAB, tregon për KultPlus për këtë rrugëtim jetësor i cili kishte shumë sakrificë e mund.
“Motra ime kishte një shoqe që shkonte për piano, dhe asaj i kishte mbete shumë peng që nuk ishte regjistruar vet, dhe duke e vuajtur këtë ‘gabim’, ajo vendosi të më dërgonte mua”, tregon Pula për hapat e parë drejt këtij instrumenti, që vazhdon të mbetet prehje, lumturi e ngushëllim për çdo moment të jetës së saj.
Pula Petrovci kujton se as ajo dhe as familja e saj nuk e kishin menduar se loja në një piano do të shndërrohej në një profesion jetësor, dhe së dëshira e nënës së saj që të shihte Valbonën me mantel të bardhë, mund të zëvendësohej me lojën në tingujt e një pianoje.
Valbona Pula Petrovci kujton angazhimin e saj të madh për të ndjekë paralelisht edhe Shkollën Fillore por edhe atë të Muzikës, njësoj për të vazhduar edhe në shkollën e mesme, ku Pula ka përfunduar edhe gjimnazin dhe shkollën e mesme të muzikës, në drejtimin e pianos.
Dhe brenda kësaj periudhe, ajo pos që shkollohej, në të njëjtën kohë po provonte magjinë e skenës, kohë në të cilën, sipas Valbona Pula Petrovcit, këto paraqitje vulosnin dita ditës se shkollimi i saj në këtë instrument nuk ishte hap i gabueshëm dhe se mund të shërbejë edhe për hapjen e portave të reja.
Dhe një portë e tillë duhej të hapej. Valbona Pula Petrovci kishte ardhë në fazën e studimeve, porse Fakulteti i Muzikës nuk kishte drejtim të pianos.
Se Shkolla e Muzikës nuk kishte drejtim të pianos, dhe se një vajzë e re prishtinase dëshironte të studionte pikërisht në piano, ishin fakte të vitit 1976, por që me vendim të Pajazit Nushit, atëherë ministër i Ministrisë së Arsimit dhe me angazhimin e profesorëve si Engjëll Berisha, Vincenc Gjini e Mark Kaçinari , ishte marr vendimi që drejtimi i pianos të hapej edhe në Prishtinë.
“Drejtimi i pianos është hapur me mua, isha studentja e parë dhe e vetme në këtë instrument, por jam mirënjohëse për vizionin e Pajazit Nushit, i cili bëri këtë hap që t’iu jepte kurajo edhe gjeneratave të ardhshme”, ka thënë Pula Petrovci, e cila shpjegon se duke qenë studentja e parë dhe e vetme e një drejtimi sfidues, shpesh e ka detyruar të punoj shumë më shumë, në mënyrë që të argumentonte se një drejtim i tillë ishte i domosdoshëm për të rinjtë e Kosovës.
Duke qene studentja e parë që hapi drejtimin e pianos, Valbona Pula Petrovci bartë mbi supe edhe një titull tjetër, e diplomuara e parë në këtë instrument po në Universitetin e Prishtinës.
Dhe përvoja e saj gjatë studimeve vlerësohet të jetë briliante, për shkak se për pedagog kishte një pianist rus, një ndër më të mirët e asaj kohe, dhe Pula Petrovci shpjegon se krejt boshllëkun e shkollimit të saj në këtë instrument përgjatë fillores dhe shkollës së mesme, e plotësoi me përkushtimin e madh të Evgeni Koroliov.
“Por këtë profesor e pata vetëm në vitin e parë, pastaj, ai konkurroi në një konkurs ndërkombëtar dhe zuri vendin e parë, konkurs që i dha mundësinë të pranohej si profesor në Universitetin e Hamburgut. Duke vlerësuar angazhimin tim si pianiste, bashkë me gruan e tij më ofruan që të shkoj bashkë me ta në Gjermani, por unë e refuzova. Në rrethanat që ishim, mu duk e pamundur të shkoj e të studioj jashtë, dhe vendosa ti vazhdoj studimet këtu”, tregon Pula Petrovci, e cila vazhdon rrëfimin se edhe më pas ka pas fat me profesorë të tjerë të huaj, prej të cilëve mori mjeshtërinë e një pianisteje.
Dhe përderisa gjatë studimeve ajo përjetoi shumë paraqitje skenike në gjithë Jugosllavinë, ndoqi shumë shkolla verore në shtete evropiane, Pula Petrovci në shtatorin e vitit 1980 diplomohet në Fakultetin e Muzikës, drejtimi i pianos, dhe po në tetor të atij viti punësohet në Shkollën e Mesme të Muzikës. Akoma pa kaluar një vit i plotë nga punësimi i saj në Shkollën e Mesme të Muzikës, Valbona Pula Petrovci punësohet në Fakultetin e Muzikës, e cila vazhdon të jetë aktive edhe në ditët e sotme, si profesoreshë e rregullt e instrumentit të pianos.
Por përderisa stabilizohet edhe në mësimdhënie, situata politike e asaj kohe ka ndikuar në zbehjen e aktiviteteve koncertale, dhe sipas Pula Petrovcit, gjenerata e saj, mu në kulmin e veprimtarisë ballafaqohet me këtë situatë që stopon shkëlqimin e tyre në skena prestigjioze.
Njohja me Enver Petrovcin më ndryshoi krejt jetën
Përderisa po vazhdonte punën e saj si profesoreshë dhe po prezantohej herë pas here edhe me koncerte solistike por edhe me koncerte të tjera të shumta, në të njëjtën kohë, një djalë nga Kosova po bënte karrierën prej një aktori të madh, por jo në Kosovë, por në Beograd.
Enver Petrovci e kishte shok vëllain e Valbona Pula Petrovcit, përderisa kjo e fundit e njihte vetëm si aktor të suksesshëm.
“Enveri kishte një rol të një pianisti në një shfaqje në Beograd, dhe për të mos qëndruar në Beograd që ta mësojë lojën e pianos, ai kishte vendosë që të vinte në Prishtinë për ta ushtruar këtë pjesë pianistike, dhe në të njëjtën kohë të qëndronte edhe me familjen e tij. Me këtë rast e kishte pyet vëllain tim se nëse mund ti ofroja disa orë të pianos, në mënyrë që të ushtronte atë pjesë për shfaqje, unë pranova”, tregon Pula Petrovci për këtë takim, i cili nuk ngeli takim me vetëm disa orë të pianos, por vazhdoi edhe me shumë takime të tjera.
“U takuam, më kujtohet që kur luajta pak për të në piano, i erdhi keq, sepse më tha që është fillestar dhe nëse është e drejtë që një profesioniste si Pula të shpenzojë kohën me të. Por natyrisht që nuk e refuzova. Por ajo që më pengoi, ishte vetëbesimi i tepruar, se kur e pyeta se nëse ka njohuri për pianon, më tha pa hezitim ‘jo, por mësoj”. Më provokoi ajo përgjigje, sepse unë kisha një jetë të tërë që luaja në piano, dhe prap kishte gjëra që mund të mësoja”, tregon Pula Petrovci për këtë takim, e cila shpjegon se edhe pas përfundimit të orëve të pianos, pjesë që njëmend e kishte zotëruar Petrovci, ata të dy vazhduan takimet e shumta që rezultuan të krijojnë një miqësi të ngushtë.
“Një kohë të gjatë mbetëm shokë të ngushtë, shumë përjetime private, por edhe këshilla i ndanim me njëri tjetrin, por pa ndonjë shkëndijë sentimentale. Më vonë, Enveri filloi të më vardisej, dhe pas një lidhje nëntë muajshe ne vendosëm që të martoheshim. Mirëpo, ky vendim ma ndërroi komplet jetën time, sepse unë duhej të transferohesha në Beograd, dhe natyrisht për mua fillonte një jetë krejt ndryshe”, ka thënë Pula Petrovci.
Pula Petrovci filloi jetën me Enverin, por bashkë me Enverin dhe me Valbonën u transferua edhe pianoja e fëmijërisë së Valbonës. Punën në Prishtinë nuk e kishte ndërprerë, dhe përgjatë krejt qëndrimit të saj në Beograd, ajo ka udhëtuar një herë në javë Beograd- Prishtinë dhe anasjelltas që të mbaj mësimet në fakultet.
“Ishte shume sfiduese, sepse tashmë kishim edhe vajzën e madhe, por përgjatë këtyre shtatë viteve sa kam qëndruar në Beograd, asnjëherë nuk kam munguar në mësim”, ka thënë Pula Petrovci, por që në të njëjtën kohë, largimi nga Kosova, krijimi i familjes dhe angazhimet e tjera kishin zbehë pjesën koncertale, zbehje që vazhdonte të shtresonte mungesën e saj në skena pianistike, për të cilën kishte investuar aq shumë.
“Ato vite, kanë qenë vite që Enverin e kam parë në mëngjes dhe kur ka ardhë në mbrëmje. Ka qenë jashtëzakonisht i zënë me role. Ka pas raste që kam luajt edhe rolin e asistentes për t’ia kujtuar se cilën shfaqje ka në mbrëmje, aq shumë shfaqje ka pas përgjatë muajit në repertor”, ka thënë Pula Petrovci, duke kujtuar suksesin e tij në ish Jugosllavi por edhe në aspektin ndërkombëtar.
Duke peshuar se cili duhet të sakrifikohej, Pula kujton se kishte menduar që ajo duhet të sakrifikoj nga karriera e saj, pasi që, Enver Petrovci tashmë ishte një yll i madh.
Por ky vendim, Pula Petrovcin e bën të ndihet mirë edhe sot, sepse, sipas saj, suksesi i Enver Petrovcit e kërkonte një vëmendje të tillë edhe nga ana e familjes.
Shtatë vjet në Beograd, ishin vite shumë kualitative
“Në Serbi, në atë kohë kemi pas një tretman shumë korrekt, ndoshta edhe pse jemi shoqëruar me njerëz të nivelit të lartë artistik, dhe ato shtatë vite në Beograd, i konsideroj si shtatë vite shumë kualitative, pikërisht për shkak të rrethit të ngushtë që jemi shoqëruar”, ka thënë Pula.
Dhe, derisa Enver Petrovci bënte jetën e një aktori të madh në mes të Beogradit, Valbona Pula udhëtonte çdo javë për në Prishtinë për të mbajte ligjëratat, shtëpia e tyre me qira në Beograd ishte shndërruar në një derë të hapur për çdo shqiptar që kalonte nëpër Beograd, apo që kishin nevojë të qëndronin më shumë.
“Në fund të viteve të 80-ta dhe fillim të viteve të 90-ta shumë shqiptarë kanë udhëtuar në Beograd, qoftë transit apo për më gjatë. Ata që qëndronin më gjatë, kryesisht kanë qenë për probleme shëndetësore. Dhe dera jonë ka qenë e hapur për shumë shqiptarë. Për shtatë vite sa kam qëndruar në Beograd, mund të them se nuk di nëse janë tre muaj prej asaj periudhe që kemi qenë vetëm familja jonë, pjesa tjetër ka qenë vazhdimisht me mysafirë. Edhe tash takoj shumë njerëz që më thonë se kanë qëndruar në shtëpinë tonë, por nuk i mbaj në mend, sepse kemi pranuar shumë shqiptar”, kujton Pula Petrovci, e cila shpjegon se disa vite me vonë kishin blerë edhe banesën e tyre në Beograd, dhe atëherë ishte më e lehtë të priste edhe mysafirë.
Por jo gjithçka ishte vaj në atë periudhë, pas përkeqësimeve politike në vend, ajo kujton se kanë pas shumë situata të pakëndshme, pikërisht nga propaganda e tmerrshme që bëhej nëpërmjet medieve. “Ka pas raste që kemi fjetur me tavolinë prapa derës, sepse na ka shkuar mendja deri te më e keqja. Edhe pse, në aspektin profesional nuk kemi pas ndonjë problem”, ka kujtuar ajo, duke specifikuar edhe rolin e Enver Petrovcit në rolin e Car Lazarit, rol që kishte krijuar edhe zhurmë mediatike, duke vënë në thumb regjisorin e shfaqjes se si ka vendosë që këtë rol t’ia ndaj një aktori shqiptar, por edhe të Enver Petrovcit se si ka vendosë të luaj një figurë serbe.
Nuk dëshiroja që vajzën time ta regjistroja në shkollë në Beograd, për këtë arsye u kthyem në Prishtinë
Familja Petrovci në vitin 1992 kishte marë vendimin që ta lëshonte Beogradin dhe të kthehej në Prishtinë.
“Arsyeja e parë e kthimit ishte përkeqësimi i situatës politike, por arsyeja tjetër ishte edhe vajza jonë e madhe. Nuk dëshiroja ta regjistroja në shkollë atje, dhe vendosëm të ktheheshim. Vajzën e kemi regjistruar në shkollë, një muaj pa i bërë tetë vjet, gjë qe e kemi vonuar”, ka thënë Pula Petrovci, e cila ajo tashmë e kishte më të lehtë punën në Universitet, pasi që nuk kishte nevojë më të udhëtonte, përderisa Petrovcit i ishte bërë ftesa për të themeluar teatrin “Dodona”.
Përderisa kjo familje po provonte të ringjitej në vendin prej nga edhe kishin dalë, telashet dhe provokimet nga të tjerët nuk kishin të ndalur. Roli i Car Lazarit në Beograd nuk ishte kuptuar nga disa vetëm si një rol, dhe ky angazhim i aktorit po i nxirrte në pah pasojat. Pula Petrovci kujton se roli i Car Lazarit nxorri në pah absurditete dhe një propagandë denigruese ndaj Enverit, ku pos të tjerave ajo kujton edhe kohën kur për shkak të këtij roli, rektorati i asaj kohe nuk pranoi që Enver Petrovci të merrte pozitën e dekanit, edhe përkundër vendimit unanim të Këshillit Mësimor të Universitetit. Por, sipas Pula Petrovcit, shpesh herë janë provokuar edhe fëmijët e tyre, duke kujtuar se shumë shpesh, vajza e tyre Hana është kthyer duke qarë nga shkolla, pasi që fëmijët e kanë fyer duke i thënë se babain e ka ‘shka’. “Njerëzit që kanë bërë karrierë në Beograd kanë qenë në shënjestër, nuk ka qenë e lehtë”, ka thënë Pula.
Banesën në Beograd na uzurpoi një serb nga Mitrovica, ma vodhën edhe pianon e fëmijërisë
Dhe përderisa kjo familje ballafaqohet me probleme në Kosovë, jo lehtë kalojnë edhe me Beogradin, banesën që e kishin poseduar atje, Pula Petrovci tregon se ia kishte uzurpuar një serb nga Mitrovica.
“Shtatë vjet ka zgjatë gjykimi deri sa e kemi rikthyer banesën, por vuajtja më e madhe që më është shkaktuar nga ai uzurpim është zhdukja e pianos sime, piano që e kam pas nga fëmijëria. Atë më nuk e kam gjete”, ka thënë Pula Petrovci.
Pula Petrovci kujton angazhimin e tyre përgjatë viteve të 90-ta, Petrovci në teatrin “Dodona” e Pula Petrovci në Fakultet të Muzikës, por paraqitjet skenike në piano, në atë periudhë ishin pothuajse të pamundura. Viti 99 kur shënoi edhe përfundimin e luftës, Pula Petrovcin e gjeti në moshën 42 vjeçare. Ajo kujton se magjinë e skenës pianistike ka vite që nuk e përjeton, pikërisht për shkak të angazhimeve të shumta që ka, prej kthimit në Kosovë e deri në ditët e sotme.
Lëvizjet e saj Prishtinë- Beograd, krijimi i familjes, përkushtimi ndaj tyre, rrethanat politike, lufta në Kosovë janë një varg i arsyeve që kanë ndikuar që nga një pianiste skenike të fokusohet në rolin e pedagogut, punë që e bën me një përkushtim shumë të madh.
“Nuk ishte e lehtë të kyçesha në aktivitete koncertale, sepse dalja në skenë bartë një përgjegjësi të madhe, më mungon shumë skena, po në anën tjetër kam një satisfaksion të madh, së paku që përvojën time po e barti te studentët e mi”, ka thënë Pula Petrovci.
Ajo pas luftës ka përfunduar edhe magjistraturën për piano, në Shkup të Maqedonisë, përderisa kujton se përgjatë karrierës së saj, mund të numërohen rreth 60 paraqitje skenike, dhe pas kësaj ka themeluar edhe Shkollën e Muzikës “Amadeus”, institucion që e menaxhon prej asaj periudhe.
Një jetë e tërë me rënie dhe ngritje, me një përkushtim të madh për familje, sidomos për tre fëmijët e saj, për Pulën është një jetë sfiduese por që nuk do ta kishte ndërruar në asnjë variant.
Jeta me Enverin nuk ka qenë e lehtë, por ka qenë atraktive
“Jeta me Enverin dhe angazhimet e tij nuk ka qenë e lehtë, por ka qenë atraktive. Nuk e kisha ndërruar për asnjë jetë. Natyrisht që çdo grua dëshiron që familja ti funksionojë si një sahat, gjë që na kanë munguar për shkak të profesionit të Enverit, por ka qenë një jetë ndryshe, jo jetë si te familjet e zakonshme. Ajo çka më ka munguar, është prania e tij, sepse ka qenë gjithmonë i zënë”, thotë Pula Petrovci, e cila shpjegon se duke parë angazhimin e tyre në botën e artit, ajo mendon se fëmijët e saj janë tremb nga këto profesione. Dy fëmijët e mëdhenj nuk merren me art, përderisa vajza e vogël ka përfunduar aktrimin, dhe Pula Petrovci thotë se goxha i ka ngjarë Enverit.
Duke iu falënderuar profesioneve që i kanë ushtruar, Pula thotë se kanë takuar njerëz me shumë kualitete e me bagazhe profesionale, dhe mu për këtë fakt janë shumë të pasur, edhe pse, pikërisht për shkak të profesioneve kanë pas shumë ngufatje e mbrëmje pa gjumë.
Pula Petrovci që nisi profesionin e pianistes si e vogël, që barti këta tinguj për një jetë të tërë, në fund të kësaj interviste thotë se tingujt e këtij instrumenti vazhdojnë të jenë profesioni, relaksi dhe ushqimi i saj shpirtëror. / KultPlus.com