30 Dhjetor, 2023 - 11:00 am
Flonja Haxhaj
Lindur në Shqipëri, jeta e aktorit Kasem Hoxha, do të ndryshonte rrënjësisht pas eksodit të vitit 1990 kur ai detyrohet të shpërngulet në Gjermani. Jeta në një vend tërësisht të huaj e përballi me sfida e vështirësi, por njëkohësisht, hapi edhe derën më të madhe që ai kishte ëndërruar ndonjëherë, atë të aktrimit, shkruan KultPlus.
Pas një periudhe të shoqëruar me sfida dhe punë të palodhshme, Kasem Hoxha arriti të bëhet një figurë e dalluar në botën e aktrimit, fillimisht në Gjermani e më pas edhe më tutje. Por, për të arritur deri këtu, Hoxha u detyrua të kalojë muret e larta të një sistemi të huaj dhe komplet ndryshe. Megjithatë me vullnet të hekurt, zell, disiplinë dhe karakter shqiptari, ai arriti të përmbushë ëndrrën e tij të bëhej një aktor ndërkombëtar.
Përballur me kufijtë e moshës dhe rregullat e rrepta të shkollave të arteve dramatike gjermane, Kasem Hoxha është një prej shembujve më bindës se pavarësisht të gjitha barrierave, me punë, dashuri e përkushtim mund të arrini gjithçka.
Ndonëse për shkak të shumë rrethanave, rrugën e aktrimit ai nisi në moshën 31-vjeçare, karriera e Kasem Hoxhës tani numëron me qindra filma e seriale të njohur, shumë prej tyre të transmetuara edhe në Netflix, Amazon Prime, Disneyland, Channel+ e shumë të tjera, platforma këto të dëshiruara edhe për aktorët më të njohur në gjithë botën.
Për vështirësitë e adaptimit në një vend të huaj, këmbënguljet për t’u bërë aktor, e deri të sukseset e mëdha në platformat globale, aktori i mirënjohur Kasem Hoxha i ka shpalosur në një intervistë në KultPlus.
KultPlus: Të flasim fillimisht për jetën tuaj, ju u larguat gjatë vitit 1990 pas eksodit në Shqipëri, na flisni për sfidat dhe vështirësitë e emigrimit tuaj në Gjermani dhe jetën që ju priti atje.
Kasem Hoxha: Sigurisht që ka qenë një rrugëtim plot sfida dhe aspak i lehtë. Dua te theksoj këtu, për vetë faktin, qe ne po vinim nga nje regjim post-diktatorial, ku asgjë nuk lejohej në kontakt që kishte lidhje me perëndimin. Kjo e vështiresonte deri në ekstrem ekzistencën dhe rrugëtimin tonë në një vend për ne komplet i panjohur dhe dëgjuar më parë, si Gjermania. Por falë vullnetit të hekurt, zellit të pa krahasuar, disiplines së rreptë, moralit si dhe karakterit tonë të një shqiptari, arritëm jo vetëm t’i perballojmë sfidat nga më të vështirat që hasëm në jetë, por madje edhe t’i sfidojmë ato. Shqiptarët kanë spikatur dhe arritur suksese të jashtëzakonshme në fusha nga më të ndyshmet. Ndjehem shumë krenar për shqiptarët tanë të suksesshëm!
KultPlus: Sigurisht të bësh një karrierë në një vend të huaj është më e vështirë se sa në vendin ku ti ke lindur, na flisni për fillimet tuaja në aktrim si erdhi deri tek përfshirja juaj në këtë fushë, e keni pasur ëndërr gjithmonë apo është diçka që ka ardhë me kohën?
Kasem Hoxha: Sigurisht që është tejet e vështirë të arrish atë që ti ke ëndërruar gjithmonë në jeten tende, në një vend të huaj. Këtu dua të theksoj, që ëndrra vazhdon ende sepse ka akoma dhe shume punë per të bere. Por me shumë punë dhe këmbëngulje, si edhe i bindur dhe i vendosur në atë që ti do, çdo gjë realizohet.
Gjuha gjermane ka qenë gjithmonë “thembra e akilit” për mua pasi si gjuhë është tepër e vështirë të na përshtatet. Kjo edhe sepse unë erdha në Gjermani në një moshë të madhe. Krahas shkolles së artit për dramë dhe teatër, i kisha vënë detyrë vetes, të merja pjesë edhe në seminare dhe punëtori të ndryshme për aktrim siç kanë qenë: Sense Memory, Method Acting, Meisner-Technik, Lee-Straberg & Stanislaëski – Methode, Acting bevore camera, por sigurisht që kerkoja profesorë dhe doajenë të kesaj fushe me përvojë dhe dije internacionale, më teknikë të re për aktrim! Une e dija shumë mirë, që si i huaj në një vend të huaj, ti duhet të japësh më shumë se një vendas, ti duhet të punosh më shumë se ata, doja të isha aq mirë i përgatitur, që kur të më jepej rasti për ndonjë rol, mos ta kishin të lehtë të më refuzonin, pra po ua bëja jetën “sa më të vështirë”.
Erdhi një kohë, që 24 orë në ditë nuk më mjaftonin, per atë qe unë doja të arrija, e ndjeja që kisha shumë kohë për të rikuperuar, nuk isha në momentin e duhur, në kohën e duhur, në moshën e duhur, por isha mbi të dyja këto, kjo e vështiresonte edhe më tepër të pranohesha në ndonjë shkolle arti. Mendoni që në shkollat e artit të aprovuara nga shteti gjerman, aplikimi tek ato lejohej deri në moshën 26 vjeç për meshkuj dhe 24 vjeç për femra e une isha atëherë 31 vjeç. E kuptoni tani sa punë bindëse duhej nga ana ime, që përgjegjësit e shkollave prapë se prapë mbi moshës time për t’u pranuar në shkollën e artit, të mos e kishin më të lehtë të më refuzonin dhe për fat të mirë ashtu shkuan gjërat, më pranuan me një leje të veçantë nga ministria e kulturës gjermane. Falë edhe këmbënguljes së drejtorit të shkollës së atëhershme, Torten Stoll.
KultPlus: Sa kanë qenë të vështira fillimet e tua në këtë industri, a mund të na flisni më shumë për sfidat në të cilat keni kaluar?
Kasem Hoxha: Fillimet apo hapat e para, kanë qenë totalisht një sfidë po aq e madhe. Pasi mbarova shkollën, nuk isha aspak i vetëdijshëm, që tani unë jam aktor dhe dyert janë të hapura për mua, sepse siç e përmenda edhe më siper, nuk të bën aktor vetëm se ke një diplomë në xhep, por duhet shumë punë, pikërisht pasi ke mbaruar shkollën. Aty nis rrugëtimi, çdo gjë nis pothujase nga A-ja sërish! Me dukej tepër e vështirë të fusja këmbë në industrinë e filmit gjerman si edhe internacional. Sigurisht edhe për vetë faktin, qe isha jo gjerman. Duhet të dini që Gjermania ka pasur një publik shumë konservativ, në krahasim me atë të sotmin, ku çdo gjë peshohej në detaje ekstreme, kjo përbënte rrezik, që ti si aktor të përfundoje në nje ‘sirtar-klisheje’ ku vetëm për role negative të angazhonin. Këtë unë nuk e doja, sigurisht qe edhe ato role janë shumë të bukura dhe tejet sfiduese, mirëpo unë nuk doja që pikërisht sepse isha i huaj dhe kisha theks të luaja vetëm këto role! Pra do të duhej sërish edhe më shumë punë për të kaluar këto vështirësi ku duhej të pozicionohesha sa më bindshëm dhe me sukses në një vend të huaj, dhe aq më e veshtirë në fusha të tilla siç është arti, por ketu mendoj edhe per Shqiptare te tjere ndoshta edhe nga Sporti apo edhe fusha te tjera, qe do ta kene pasuar pak a shume po aq te veshtire. Por po qendroj ne fushen ku une tashme jame i etabluar, pra krahas gjuhes qe duhej ne menyre perfekte dhe mundesisht pa theks fare (gje qe ka qene dhe do te jete e veshtire, ta heq komplet, pasi vete gjuha Gjermane, ka nje tonacion komplet ndryshe nga ajo e jona shqiptare), veshtiresi te tjera ju shtuan edhe qe duhej perkrahje, pra te kishe nje agjent, apo te ishe pjestar i disa instuticioneve te rendesishme per ne si aktor, dhe ne te dyja rastet ka qene nje pune extreme po ne vete, per ti arritur edhe keto, pasi pa keto te dyja, do te duhej fat shum i madh apo një rastesi e veçantë, per t’u pranuar këtu në fushën e artit. Tek unë ka qenë një deshirë klasike, të cilën e kam pasur qysh në fëmijëri, ëndrra per t’u bërë aktor edhe pse shanset në Shqipëri për mua ishin të shumëzuara me zero. Pra duhej të ndodhte shumë në jetën time, që të arrija aty ku unë jam sot dhe kjo më gëzon shumë, por me plot vetëdije që duhet edhe më shumë punë per ta mbajtur atë që kam arritur dhe jo vetem kaq, por edhe per t’u përmirësuar vazhdimisht në fushën time, pasi puna për artin nuk ka limite apo kufij, ajo është gjithmonë një proces në zhvillim. Sot gëzoj një respekt dhe mirënjohje në fushën e artit, më lumturon por edhe me bën krenar që jam edhe anëtar i akademisë kinematografike gjermane, jo e lehtë kjo per t’u pranuar, pasi ka disa kritere të forta qe duhen plotësuar. Anëtarësi që lakmohet jo vetëm nga aktorët por edhe nga të gjithë filmëbërësit në përgjithësi, producentë, distributorë e të tjerë.
KultPlus: Të flasim edhe për filmat që transmetohen në Netflix dhe që ju keni marrë pjesë, sa ka ndikuar në zhvillimin e karrierës tuaj pjesëmarrja në këta filma, a mendoni se ka pasur një peshë të madhe?
Kasem Hoxha: Pjesëmarrja në Netflix apo platforma të tjera si Amazon Prime, Apple-Tv, SKY, Disneyland, Chanel+ e shumë të tjera ku une tashmë pothujase për te gjitha këto kam qenë dhe jam i angazhuar, të ndihmojnë për një publik më të gjerë internacional, por që kurrë nuk e zëvendesojnë kinemanë si nga kualiteti por edhe nga publiku që frekuenton magjinë e kinemasë! Por të themi, që kanë ndikuar për të qenë shumë më shpesh i angazhuar në fushën e filmit sesa më parë.
KultPlus: Ju keni qenë pjesë e shumë filmave dhe serialeve përfshirë këtu: Split Homicide, Tatort, Rohbau, Nji Prej Nesh, Bonnie & Bonnie, Professor T, The Albanian Virgin, Skylines e shumë e shumë të tjerë. Cili prej roleve në filmat që ju keni luajtur ju kanë pëlqyer më shumë?
Kasem Hoxha: Rolet janë te gjitha sfida për aktorin, ështe si të thuash kur te pyesin si në pyetjen tuaj këtu, shumë e veshtirë ta veçoja, pasi të gjitha rolet më duken si ata miqtë e shumtë, pavarësisht nga karakteret e tyre, negativ apo pozitiv, por që të gjithë prapë se prapë jane miqtë e mië, ku me të gjithe kam fatin t’i përjetoj se si funksionojnë dhe cfarë ata përjetojnë me mua, kur unë i vë në jetë. Diku më pëlqen roli i babait, diku i atij policor, por edhe i ndonje gangsteri apo rol-aksion, komedi, prandaj nuk kam një rol por qe skam të them se është ky 100% dhe pikë.
KultPlus: Rolet e tua përfshijnë filma të zhanreve të ndryshme, përfshirë këtu edhe filma shqiptarë dhe të huaj. Cili është zhanri i filmave në të cilin ju keni më shumë dëshirë të merrni pjesë?
Kasem Hoxha: Edhe këtu mendoj se do të përgjigjesha po njëlloj, megjithatë mendoj se dua të veçoj më shumë zhanrin thriller, më pëlqen ky zhanër, aktroj me dëshirë për filma të tillë por edhe i shikoj edhe vetë me kënaqesi filma të këtij zhanri. Është zhanër që të mban të mbërthyer deri në fund dhe kur ti mendon që e ke gjetur ‘çelësin’ e historisë, pikerisht aty mbase gabon.
KultPlus: Ju keni qenë pjesë e filmit ‘One of us’ përkrah aktorit tjetër shqiptar Alban Ukaj, një tjetër aktor po ashtu i suksesshëm, na e përshkruani punën me Ukajn gjatë realizimit të filmit?
Kasem Hoxha: Une mendoj dhe besoj se nuk gaboj në atë që them, Alban Ukaj është një aktor brilant. Aktorët si Alban Ukaj janë thjesht një pasuri për të gjitha trevat shqiptare. Unë e kam shijuar shumë punën me Albanin, si edhe me regjisorin e filmit, Ergys Meta, së bashku por edhe me të gjithe kastin brilant, ku gjithashtu dua të theksoj edhe punën e mrekullueshme të të gjithë ekipit të filmit, të mendosh këtu edhe vështirësite që sillte ajo kohë, siç ishte ballafaqimi me pandeminë. Por ja dolëm dhe e kemi harmonizuar në mënyrë përfekte. Albani më është bërë përveç se një koleg i mrekullueshem, por edhe nje mik zemre i vërtetë. I uroj atij vetëm mbarësi dhe suksese kudo qe është i angazhuar.
KultPlus: A mund të na zbuloni projektet në të cilat po punoni tani, nëse mund të na ndani ndonjë detaj për lexuesit?
Kasem Hoxha: Sigurisht! Sapo mbyllem xhirimet për sezonin e parë me tetë episode të komedisë së zezë gjermane ‘ACHTSAM MORDEN’ që do të jetë për Netflix Ëorld, sezonet dy dhe tre do t’i xhirojmë vitin që vjen. Por gjithashtu paralel mbyllëm edhe nje serial po me tetë episode për kanalet franceze, angleze si dhe gjermane, pra ishte nje kooperim midis tre shteteve. Gjithashtu u mbyll me sukses sezoni i parë me gjashtë episode per Amazone Prime, për të cilin, do të vazhdojmë vitin tjetër xhirimet edhe për të realizuar edhe sezonin e dytë. Tani kemi pushimet dimërore dhe pasi të kalojë edhe berlinale 2024 do të fillojmë menjëherë me xhirimet e radhës. Viti 2024 do të jetë me minimum tetë projekte filmash e serialesh.
KultPlus: Si e shihni tani potencialin dhe nivelin e filmave shqiptarë, përfshirë këtu filmat që janë prodhuar së fundi edhe në Kosovë edhe në Shqipëri?
Kasem Hoxha: Filmat shqiptarë në përgjithësi, që janë prodhuar në Kosovë apo Shqipëri, janë filma me potencial të formateve internacionale. Kemi filmëbërës të mrekullueshem në përgjithësi, ketu e theksoj për te gjitha departamentet. Fatkeqësisht filmin shqiptar e pengon vetem një ‘armik’ i vetem, ai financiar. Pa financim te rregullt, ndjehet kudo rënia e kualitetit, sepse ato janë të gjitha të lidhura me njëra-tjetrën. Per fat nuk mungon dashuria, puna dhe sakrifica si edhe historitë për të bërë filma të mirë, por edhe vetëm dashuria dhe sakrifica për filmin nuk mjafton, të paktën për afat të gjate. Shpesh herë ve re, ose te themi më mirë ndodh që filmat përfundojnë në ‘sirtarët’ e produksioneve, pasi mungon financa për PR, për të gjetur distributorët, një motor shtytës ky shumë i rëndësishëm për ta bërë një film sa më shumë të njohur dhe tërheqës për publikun dashamirës vendor dhe ndërkombëtar. Është si të thuash, ke prodhuar një produkt, por asnjë nuk e di që ekziston ky produkt. Këtu gjej rastin t’u bëj thirrje të gjitha instuticioneve përkatëse të mbështetësve të filmit shqiptar, për shumë më shumë financim të kulturës kinematografike. Kultura është ajo që popujt ndajnë midis tyre dhe ne jemi ambasadoret e saj.
KultPlus:Për fund, duke qenë se jemi në prag të përfundimit të vitit, a mund të jepni një mesazh për lexuesit e KultPlus?
Kasem Hoxha: Uroj për të gjithë një vit të ri plot me aspirata dhe frymëzime të reja në jetën e secilit prej nesh, për të dërguar secilin nga ne edhe më larg në rrugëtimin e suksesit. Ju uroj një vit të lumtur plot harmoni dhe dashuri për njëri-tjetrin./KultPlus.com