Safet Kryemadhi: Bota ime është të lexoj dhe të shkruaj

22 Janar, 2021 - 3:00 pm

Elhame Gashi

“Thuhet që për të shkruar mirë duhet lexuar shumë. Dhe është e vërtetë që para se të jem autor, unë në radhë të parë jam një lexues “bulimik”. Është oksigjeni im. A nuk themi që një shtëpi pa libër është një shtëpi që i mungon shpirti?”

Autor i disa librave, asistent parlamentar në Senatin e Belgjikës, profesor në Shkollën e Lartë, këshilltar politik në Qytetin e Brukselit, Safet Kryemadhi vjen për lexuesit tanë me këtë intervistë.

Ditë më parë ju erdhët para lexuesit frankofon me dy botime të reja. Diçka jo e rëndomtë për një autor. A mund të na flisni për këta dy libra dhe tematikën e tyre?

Safet Kryemadhi: Të dy librat, botuar nga botuesi francez Ovadia, kanë tematikë krejtësisht të ndryshme. E para “La Maladie universelle”, “Sëmundja botërore“ është aktuale, bëhet fjalë për një antologji të autorëve të vjetër që kanë shkruar për epidemitë. Gjejmë në të pjesë nga Homeri, Boccaccio, Daniel Defoe, Manzoni, Flaubert, Poe … Për mua, ishte një mënyrë për të përfshirë këtë ngjarje botërore siç është pandemia e tanishme katastrofike Covid, në historinë e gjatë të njerëzimit, duke sjellë dëshmi nga e kaluara. Libri i dytë “ Contes et légendes du pays des aigles” (“Përralla dhe legjenda nga vendi i shqiponjave”) është një përmbledhje e përrallave dhe legjendave shqiptare. Ai vijon nga një libër i mëparshëm “Légendes, fables et contes albanais”, (Legjenda, fabula dhe përralla shqiptare)  botuar më 2015, gjithashtu nga Ovadia.

Ballina e librit mbi legjendat shqiptare

Çfarë paraqet për ju bota e legjendave shqiptare?

Safet Kryemadhi: Faik Konica fliste për “harmoninë e errët dhe të fuqishme” të legjendave shqiptare. Ashtu sikurse këngët epike, ato tregojnë kujtesën, shpirtin dhe imagjinatën e popullit. Për shembull, tregimet që përshkruajnë Besën janë ndër më të mirat e trashëgimisë epike shqiptare. Legjendat formojnë shtresat gjeologjike më të vjetra në histori. Që i paraprijnë kujtesës klasike. Nga ana e tij, Skënderbeu është njëkohësisht një hero historik dhe një personazh legjendar. Ai mishëron Shqipërinë. Legjenda pra, është gjithashtu ajo që u reziston kohërave prozaike. Publikimi i legjendave shqiptare mundëson që publiku frankofon të zbulojë Shqipërinë në mënyrë të këndshme.

Ju keni botuar edhe libra të tjerë, në shtëpinë botuese franceze Ovadia? Cilët janë ata?

Safet Kryemadhi: Pavarësisht nga prania e rëndësishme shqiptare në shtete të ndryshme evropiane, me gjithë zhvillimin turistik që sjellë shumë vizitorë në Shqipëri, njohuritë për vendin dhe historinë e tij janë ende të kufizuara. Ato reduktohen te disa stereotipa që nuk janë gjithmonë simpatike, në emra të sportistëve dhe artistëve të njohur. Me botimet e mia, dua ta sjell lexuesin ta bartë një shikim ndryshe, më të vëmendshëm dhe dashamirës për Shqipërinë. Kështu, kam publikuar një antologji të teksteve nga udhëtarët e huaj (diplomatë, gazetarë, udhëtarë, shkrimtarë, artistë). Derisa, Shqipëria është në Evropë, veçantia e saj e bën atë ekzotike. Për më tepër, unë botova “ Gjurmët e Faik Konicës “, mbi praninë në fund të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të të kësaj figure të madhe shqiptare në Belgjikë, ku ai themeloi dhe drejtoi gazetën “Albania“. Ekziston gjithashtu një përmbledhje e studimeve të vogla letrare “ Shëtitje letrare në Shqipëri ” dhe prezantimi i një romani pak të njohur nga shkrimtari francez Eugène Sue mbi masakrën e Kardiqiotes nga Ali Pasha i Tepelenës, botuar për herë të parë më 1839.

Si ju ka lindur dëshira për të shkruar?

Safet Kryemadhi: Thuhet që për të shkruar mirë duhet lexuar shumë. Dhe është e vërtetë që para se të jem autor, unë në radhë të parë jam një lexues “bulimik”. Është oksigjeni im. A nuk themi që një shtëpi pa libër është një shtëpi që i mungon shpirti? Dëshira për të ndarë leximin tim, zbulimet dhe shijet e mia, ka stimuluar në mënyrë të padukshme dëshirën për të shkruar. Kjo është arsyeja pse unë i paraqita kronikat e mia letrare si ushtrime admirimi për shkrimtarët ose figurat historike.

Falë përkthimeve tuaja në frëngjisht, një projekt me përralla dhe legjenda shqiptare po qarkullon në rrjetet sociale në formë videoje. A do të na flisni pak më tepër lidhur me këtë projekt?

Safet Kryemadhi: Konfinimi (mbyllja) ka çuar në ngërç pothuajse të gjithë botën. Për fat të mirë, aplikacionet dixhitale dhe rrjetet sociale kanë ruajtur në distancë një pamje të jetës shoqërore. Për të mos u dëshpëruar nga e tashmja dhe për të mos mbetur pa bërë asgjë në këtë kohë të pezulluar, miku im, regjisori Zenel Laci, kishte idenë të bashkojë talentë të ndryshëm dalë nga komuniteti shqiptar i Brukselit (Anila Dervishi, Afrim Jahja, Fran Kukaj, grupi muzikor Albrapsodie Trio), por edhe korsikanen (Angélique Ricci) dhe irlandezen (Kate Holman) për të krijuar dhe shpërndarë video të shkurtra të legjendave të zgjedhura nga dy librat që përmenda. Kjo është një punë kolektive nën kujdesin e shoqatës kulturore “ Vox Aquilae” të udhëhequr nga Fran Kukaj dhe Sonila Tuci. Për këto krijime mund të themi, se ato, u japin legjendave, një partiturë subjektive duke kombinuar zërin, muzikën, ilustrimin ikongrafik. Videot janë në dispozicion në Youtube, Twitter, Instagram dhe Facebook. Edhe një herë, qëllimi është, transmetimi i kësaj trashëgimie të pasur kulturore e cila impresionon shumë, ata që e zbulojnë.

A mund të na njoftoni pak më gjerësisht për punën tuaj në Qytetin e Brukselit?

Safet Kryemadhi: Unë në radhë të parë kam qenë asistent parlamentar në Senatin e Belgjikës për gjashtë vjetë. Gjithashtu, kam dhënë ligjërata në lëndën e historisë si profesor i ftuar në Shkollën e Lartë. Që nga viti 2007, jam në Qytetin e Brukselit, ku tani kam përgjegjësinë për të hartuar fjalimet e kryetarit me rastin e konferencave apo ngjarjeve të të gjitha llojeve. Unë shkruaj gjithashtu, shënime të hollësishme për çështjet urbane në përgjithësi. Është një punë stimuluese që kërkon shumë lexim (gazeta, revista, libra) dhe kuriozitet intelektual. Do të thosha që puna ime është të lexoj dhe të shkruaj…

A e vizitoni Shipërinë dhe çfarë ju lidhë me të ?

Kur babai im Bajram Kryemadhi jetonte në Lepushë, mali i Sopotit në rajonin e Librazhdit, (ishte larguar nga Shqipëria komuniste më 1953 për t’u vendosur në Belgjikë më 1956 si refugjat politik), unë nuk kam mundur ta zbuloj vendin dhe familjen, deri nga viti 1990. Gruaja ime, Anida, është nga Përrenjasi, disa kilometra nga kufiri maqedonas dhe qyteti i Strugës. Ajo rrjedh nga të mbijetuarit e rrallë të masakrës së Kardhiqit më 1812, të cilët më pas u vendosën në fushën Domosdovë. Kështu që, ne shkojmë atje shumë rregullisht – deri katër herë në vit – aq më tepër që vajzat tona, Marie dhe Adèle, e adhurojnë vendin dhe ngrohtësinë e familjes. Plani ynë është që shumë shpejt të vizitojmë Kosovën me familje. Nga ana tjetër, unë gjithashtu jam kthyer në Shqipëri si pjesë e misioneve zyrtare për Senatin Belg dhe Qytetin e Brukselit.

Ambasada Shqiptare në Belgjikë ju ka ndarë çmimin : “Personaliteti Fankofon për vitin 2015-të“. Çfarë paraqet ky çmim për ju ?

Ishte një mirënjohje e papritur që më bëri shumë të lumtur. Kur e mora, natyrisht mendova për prindërit e mi që u sakrifikuan për të paguar për ne, studime dhe libra. Për fëmijët e mi, ky çmim, është një dëshmi e kontributit tim modest në promovimin e kulturës shqiptare.

Libri mbi pandemitë

Cili do të jetë projekti-shkrimi juaj i ardhshëm?

Që gjatëkohë kam dëshirë ta shkruaj një libër për Brukselin ashtu siç kam dëshirë të shkruaj një tregim mbi një motiv shqiptar.

Cilin libër jeni duke lexuar ?

Njëri libër ndjek tjetrin. Disa nuk kanë kohë të zvarriten mbi komodinë pranë shtratit. Thjesht mund të citoja jashtë rendit disa tituj që kam lexuar kohët e fundit: një roman të Pajtim Statovcit, romanin Bubulina, kjo figurë arvanitase nga Lufta e pavarësisë greke; një ese mbi “ Ndranghetta “, mafian kalabreze; një roman mbi origamis, një portret  të Patrick Buisson, këshilltar i Nicolas Sarkozy; një biografi të Mustafa Kemal Ataturkut; një tjetër për përfaqësimin e Napoleon Bonaparte-s në letërsinë franceze.

Nëse do të duhej të merrnit një libër të vetëm në një ishull të shkretë, cili do të ishte ai?

Kujdes nga njeriu me vetëm një libër, siç thuhet. Vetmia absolute e një ishulli të shkretë, kohëzgjatja e së cilës, për më tepër, nuk dihet, nuk është e favorshme për lexim të qetë. Leximi është një akt i vetmuar, por që na lidhë ngushtë me botën. Padyshim që do të marr një shtyp ditor në ditën e ikjes për të imagjinuar zhvillimin e ngjarjeve të raportuara.

Librat e autorit Safet Kryemadhi mund t’i gjeni te shtëpia botuese Ovadia : www.leseditionsovadia.com

Informatat me video për përrallat dhe legjendat shqiptare mund t’i gjeni  Youtube Chanel :Vox Aquilae Bruxelles./ KultPlus.com

Dy vajzat e Safetit, Marie dhe Adele në veshje kombëtare shqiptare 

Të ngjajshme