Sead Zimeri: Leximi të bën modest sepse të bën ta kuptosh ndryshimin që ekziston mes teje dhe tjetrit pa e gjykuar atë moralisht

28 Gusht, 2019 - 8:00 pm

Qendrim Badalli

Sead Zimeri është profesor universitar i Filozofisë në Gjermani. Ai ka studiuar në disa shtete jashtë trevave shqiptare si dhe shquhet për angazhimin e tij intelektual për analizimin dhe shpjegimin e problemeve të ndryshme shoqërore në hapësirën shqiptare, sidomos në Kosovë. Në këtë intervistë, Zimeri tregon për librin si mikun më të mirë të njeriut, rëndësinë e librit në formësimin e personalitetit të njeriut dhe kulturën e leximit në vendin tonë, mes të tjerave.

Në cilësinë e profesorit të Filozofisë dhe të një lexuesi të apasionuar, a mund të na tregosh se cila është rëndësia e leximit për një individ, për formësimin e karakterit, për jetën e tij?

Sead Zimeri: Përgjigja ime positive sigurisht është e pritshme pasi që filozofia, për dallim nga çdo disiplinë tjetër, mbështetet kryesisht në idetë e të tjerëve të cilat i gjejmë nëpër libra, por tani edhe nëpër artikuj të revistave akademike. Libri është baza mbi të cilën ngrihet godina e filozofisë, dhe pa të filozofia as që është e mundur sot. Por ky vlerësim edhe pse vlen më shumë për filozofinë, vlen edhe për disiplinat tjera humane që akoma mbështeten në libër. Kjo përgjigje, megjithatë, është për ata që kanë zgjedhur këto profesione dhe janë të detyruar të lexojnë nëse dëshirojnë të korrin suksese në këto drejtime. Por leximi nuk është i rëndësishëm vetëm për filozofët apo letrarët, por është i rëndësishëm për të gjithë ata që e duan veten, që ia duan të mirën vetes.

Unë besoj në misionin humanist të librit, se ai (dhe ajo kuptohet) që lexon e kupton që bota nuk është vetëm ajo në të cilën jemi rritur por që ekzistojnë botëra të ndryshme që sfidojnë të kuptuarit tonë, që na detyrojnë të hapemi para tyre, të reflektojmë për mënyrat tjera të jetës, për botëkuptimet tjera. Ta kuptojmë me një fjalë të ndryshmen. Ndryshimi si i tillë mund të vërehet, aq më tepër sot përmes internetit që na jep një qasje, një pamje për anët e kundërta të jetës. Sot menjëherë sa të ndodhë diçka diku tjetër ne e shohim sikur të jemi në vendin e ngjarjes. Por unë them që kjo ende nuk përbën të kuptuarit e ndryshimit si ndryshim. Na mungon qasja e tjetrit ndaj vetes, e cila nuk mund të lexohet nga jashtë por duhet të artikulohet nga brenda, nga ata që kanë qasje të përvojës. Kjo njohje nuk përfitohet as nga filmat, as nga format tjera të artit, dhe as nga vizitat e vendeve tjera. Ajo fitohet vetëm përmes leximit të përshkrimeve të botëkuptimeve të tyre nga autorët irigjinal. Unë rishtas isha në Islandë dhe mu dha rasti ta lexoj në anglisht veprën e Halldór Laxness, Independent People, për të cilën edhe mori çmimim Nobel. Pasi e lexova librin kuptova diçka më thellë për përpjekjet, vuajtjet, gëzimet, kapitalizmin, botëkuptimet e islandezëve sesa nga vizita ime një javore, e cila megjithatë mbetet sipërfaqësore dhe nuk arrinë ta kuptojë ndryshimin si ndryshim rrënjësor.

Çka po dua të them me këtë? Dua të them që leximi të bën ta kuptosh përvojën e tjetrit, ta kuptosh që të tjerët jo vetëm që jetojnë në vende tjera por edhe e shohin dhe kuptojnë botën ndryshe. Për më tepër, e kupton që botëkuptimi i tyre ështëpo aq i arsyeshëm dhe i bindshëm sa botëkuptimi yt. E kupton po ashtu që botëkuptimi yt nuk është i përsosur, nuk ështē domosdoshmërisht më i mirë se ai i tjetrit, se ka botëkuptime të ndryshme në botë, dhe se ti je i privilegjuar që ke mundësinë për disa momente të shoqërohesh me mendjet më tē ndritura tē kulturave tjera dhe bashkë me ta të eksplorosh botën e tyre. Është privilegj i madh ta eksplorosh kulturën e Islandës përmes penës së Halldór Laxness-it, apo atë të Egjyptit përmes Nexhib Mahfudhit, apo atë Amerikës Latine përmes Gabriel Garcia Marquez-it, apo t’i eksplorosh skutat e shpirtit përmes novelave të Dostoevskit dhe dhimbjet e gruas së braktisur përmes penës së Elena Ferrante-s, apo paragjykimet e filozofisë përmes Niçe-s. Njeriu që lexon vepra të tilla, e kupton që bota është shumë më e madhe se ajo që e sheh në rrethin e tij, se çdo kulturë është kuptimplote. Por kupton po ashtu edhe gjërat e pērbashkëta që kemi me njëri tjetrin. Një njeri që lexon ai nuk mund të bëhet fanatik, sepse shpirti i është edukuar në një frymë të pluralizmit kulturor që e ka të pamundur të mos e konsiderojë kur jep gjykime për të tjerët. Një njeri i tillë është i pasur sepse ai jeton në shumë botëra, me karaktere që vuajnë dhe dashurojnë, inteligjentē dhe jointeligjentë.

A mendoni se në rrethanat e reja globale të post-industrializmit, të teknologjisë dhe virtualitetit, leximi dhe libri po shënojnë rënie në përdorim?

Sead Zimeri: Po, libri ka pësuar rënie sepse sot bombardohemi me informacione nga më të ndryshmet dhe që fatkeqësisht krijojnë iluzionin tek ne që nuk kemi nevojë të lexojmë sepse i dimë të gjitha. Njeriu që i di të gjitha nuk ka nevojë të lexojë. Por ne mund t’i dimë të gjitha në një nivel sipërfaqësor, sikur që kompjuteri i di të gjitha pasi që i magazinon të gjitha informacionet që i jepen por pa të kuptuarit e tyre këto njohuri mbeten pa peshë, dhe nuk shuajnë kurreshtjen tonë natyrore për ta kuptuar botën ku jetojmë.  Informacionet si të tilla janë kaotike dhe çorientuese. Nuk na ndihmojnë ta kuptojmë botën ashtu siç e kërkon kurreshtja jonë. 

Ka kohë që ekziston një mjegull e madhe rreth leximit dhe librit. Edhe njerëz të indoktrinuar me ideologji të caktuara lexojnë libra, si të lexohet dhe ç’është libri i keq?

Sead Zimeri: Ka libra të këqij dhe ato janë helmuese. Por, fatkeqësisht, nuk ekziston kriter që a priori mund të na ndihmojë të dallojmë libin e keq nga i miri. Fillimisht, në moshë të re fëmijët kanë nevojë për mbykqyrje që të pajisen me libra të mirë, e pastaj ata sa të formojnë shijen për libra të mirë vetë do të bëjnë dallimin dhe do të nuhasin që në faqet e para nëse libri ia vlen apo nuk ia vlen të lexohet. Nuk është e mundur t’i largohemi tërësisht librit të keq, por një mendje e disiplinuar përherë lexon në mënyrë kritike. Në fakt, ne duhet t’i mësojmë fëmijët që në moshë të re të shtrojnë pyetje kritike, – pse kështu e jo ashtu? – dhe të mos pranojnë asgjë në autoritet. Krejt poenta e leximit, siç e thash më lartë, është që të na humanizojë duke na vetëdijësuar për pluralizmin kulturor që ndodh jo sipërfaqësisht përmes internetit por përmes shoqërimit me mendjet më të ndritura të njerëzimit. Njeriu që lexon dhe kupton mund të bjerë pre e iluzioneve, mund të mashtrohet, siç ka ndodhë me shumë njerëz, madje edhe filozofë të medhenj si Heidegger-i për shembull, por këto janë raste të rralla, përjashtime nga rregulli që leximi na humanizon sepse na hap disa dritare, disa perspektiva nga të cilat e vlerësojmë veten dhe të tjerët. 

Me aq sa keni njohuri, si e shihni dhe vlerësoni kulturën e leximit tek shqiptarët?

Sead Zimeri: Jam i zhgënjyer tepër me ne shqiptarët. E kuptoj që ne nuk kemi pasur përherë mundësitë për të zhvilluar kulturën e leximit, nuk kemi pasur as libra dhe as biblioteka, por sot libra dhe biblioteka kemi gjithandej e megjithatë nuk lexojmë. Është jashtëzakonisht zhgënjyese po ashtu sepse institucionet tona politike pothuajse aspak nuk i kushtojnë rëndësi kulturës. Pa zhvilluar një kulturë të mirëfilltë leximi nuk mundemi as të zhvillojmë kulturë tolerance ndaj tjetrit, e as të hapemi para botës sepse na duhet një minimum kulturor që fitohet përmes leximit për t’i larguar barrierat e ndarjes dhe urrejtjes që kemi për disa popuj. Për mua, në këtë kontekst, simptomatike nuk është qasja jonë ndaj kulturës sërbe por ndaj asaj turke. Por as kjo ndoshta nuk është aq e rëndësishme sa është i rëndësishëm fakti se një popull që nuk lexon edhe nuk kupton nuk mund të prodhojë asgjë me vlerë. Nuk mund të prodhosh vlerë kur nuk i njeh botërat dhe vlerat tjera, kur nuk je shoqëruar me autorët e saj që ta përcjellin botën e tyre. Nëse më lejohet të flas nga përvoja, shpesh më ka ndodhur që jam keqkuptuar në disa shkrime për të vetmen arsye se ne akoma nuk e tolerojmë dot të ndryshmen, sepse nuk e kuptojmë atë. Madje, edhe kritikat që ia bën një kosovar një shqiptari të Maqedonise apo anasjelltas mirren më shumë si formë e poshtërimit sesa si formë konstruktive e kritikës. Dmth, ne aq pak e njohim botën, dhe si rrjedhojë edhe veten, saqë nuk pranojmë as kritikat minimale që na bëhen nga ndonjë perspektivë tjetër sepse ne nuk e kuptojmë perspektivën tjetër. Mungesa e leximit na bën ta shohim botën vetëm si bardh e zi. Sot kemi kohë të lirë dhe kemi mundësi që nuk i kemi pasur më parë prandaj duhet të fillojmë të lexojmë, që të mund të komunikojmë me njëri tjetrin dhe me të tjerët. Pa lexim nuk ka ndryshim.

Duke pasur parasysh se ju keni jetuar në disa shtete perëndimore dhe lindore, a mund të na flisni shkurt për dallimet mes tyre dhe shqiptarëve rreth kulturës së leximit?

Sead Zimeri: E kam vështirë t’i përgjigjem kësaj pyetje pa u keqkuptuar prandaj nuk do të përgjigjem. 


Në cilën sferë shoqërore mund ta vreni mungesën e leximit dhe cila është zgjidhja që ju ofroni për ta zhvilluar kulturën e leximit në vendi tonë?

Sead Zimeri: Në çdo sferë shoqërore ka mungesë leximi. Por ndoshta filozofia qëndron më poshtë se çdo sferë tjetër pasi që ajo edhe ka një konotacion negativ tek ne si dhe na mungon literatura e duhur filozofike për të lexuar më shumë filozofi. Zgjidhja për daljen nga kjo krizë duhet të jetë politike dhe kulturore. Politikisht shteti duhet të investojë më shumë në kulturë, në sponzorizimin e përkthimit të librave të huaj, si dhe në inkurajimin përmes shpërblimeve të ndryshme të nxënësve që lexojnë. Prindërit po ashtu duhet t’i inkurajojnë fëmijët e tyre që të lexojnë sa më shumë dhe t’i shpërblejnë leximet e tyre me përmbushjen e ndonjë dëshire të veçantë. Po të bëhet leximi shprehi atëherë më nuk kemi nevojë as për inkurajim dhe as për shpërblime pasi që vetë leximi bëhet edhe inkurajim edhe shpërblim. 


Dhe për fund, duke ju falenderuar për intervistën, a është libri miku më i mirë i njeriut?

Sead Zimeri: Absolutisht. Libri është miku më i mirë që posedon njeriu. Ai të mëson për gjithçka por kurrë nuk të moralizon, kurrë nuk të kritikon dhe qorton. Të shoqëron krejt në premisat tua dhe nuk të hidhërohet kur lodhesh nga ai apo kalon në librin tjetër. Mësimi më i madh që unë kam marrë nga leximi është që nuk duhet moralizuar të tjerët por duhet kuptuar e pastaj duhet zgjatur dorën e solidaritetit sepse jo të gjithë kanë përvojat tona, fatin tonë apo mundësitë tona. Leximi të bën modest sepse të bën ta kuptosh ndryshimin që ekziston mes teje dhe tjetrit pa e gjykuar atë moralisht. Ai që arrinë këtë shkallë të vetëdijësimit është, për mua së paku, njeri i përsosur. / KultPlus.com

Të ngjajshme