17 Nëntor, 2024 - 8:04 pm
Era Berisha
Meloditë e një kitare përherë dinë të vijnë si vargje të shtruara nëpër faqet e një libri. Të marrin me vete, si një valle e ashpër dhe e lehtë, duke krijuar një ndjenjë që hidhet drejtë zjarrit si një kërcitje e gishtave. Çdo akord ka një histori të vetën që nisë nga një pasion, një rrahje zemre apo thjesht nga një dhimbje. Tingujt kanë folenë e tyre dhe aty nuk mund të futesh dot po nuk pate ndonjë guxim të mprehtë për t’i shkuar pas. Nëpërmjet notave të ndryshme muzikore, gjithsecili ndjen një dridhje rrotulluese të pulsit që natyrshëm rrjedh në vena sikurse lumenjtë në shtratin e tyre. E ngrohtë, e pamëshirshme, e lirë, e veçantë dhe e rrallë është muzika që krijon kitaristi Agron Peni, i cili së fundi ka publikuar albumin më të ri “Amantia”, nëpërmjet së cilit zgjon të gjitha emocionet e lartpërmendura, shkruan KultPlus.
Emërtimi “Amantia” rrjedh nga qyteti antik ilir në Epirin e Veriut apo Ilirinë e Jugut. Sot ky vend identifikohet me fshatin Ploç, në qarkun e Vlorës në Shqipëri dhe është i njohur për pozitën, rezistencën dhe kulturën që ka. Por, emri gjithashtu vjen si frymëzim nga krijimi i instrumentalit me po të njëjtin emër që ai e pati realizuar në vitin 2020. Ky është albumi i katërt personal mirëpo vjen pak më ndryshe nga të tjerët. Krijimtaria dhe kreativiteti në muzikë, sipas Penit, është dhunti, e frymëzimi duket se i është gjendur kudo nga bota. Pra, secili krijim i tij e ka kohën e posaçme për të dalë në pah.
Dallimi i këtij albumi nga tre të tjerët qëndron tek stili i krijimtarisë dhe aranzhimi. Dy albumet e mëhershme “Solo” me krijime origjinale dhe “Home” me përpunime të këngëve shqipe, janë albume që vijnë vetëm me solo kitarë, pra nuk ka asnjë tjetër instrument përcjellës, ndërkaq tek “Mirage” veprat janë origjinale por ka edhe përcjellje nga disa instrumentistë të tjerë. Por, tek “Amantia”, aranzhimet janë të mbushura me kitarë, me harqe, perkusione e të tjera. Përpos kësaj, tendenca këtu ka qenë që meloditë të jenë shumë më depërtuese tek publiku i gjerë, pa e ngarkuar shumë nga ana teknike (virtuoze).
Fatlind Ferati (basist) është instrumentisti me të cilin kitaristi Peni bashkëpunon vazhdimisht dhe ka shumë koncerte bashkë me të. Meriton Ferizi në fagot konsiderohet të jetë një instrumentist deficit, Gent Hoxha në fyell, konsiderohet shumë i rrallë dhe Kaltrina Berisha në violonçel e cila dallohet si shumë muzikale dhe bashkëpunuese. Këta janë artistët me të cilët ka bashkëpunuar Peni për këtë album.
Albumi më i ri ka gjithsej tetë krijime origjinale që vijnë të kompozuara nga kitaristi Agron Peni. Të titulluara si: “Many questions”, “Longing”, “Downpour”, “Passion”, “Into the fog”, “Path of nostalgjia”, “Elegia” dhe “Amantia”, veprat vijnë në një frymë më eksperimentale se zakonisht. Ky album ka pasur fillin qysh tri vite më herët dhe brenda kësaj periudhe, kanë qenë të panumërta netët që kitaristi Peni dhe producenti Shpejtim Gashi, i kanë përjetuar.
“Fillimi ka qenë pak eksperimental rreth idesë në orkestrim. Perkusionet i kam luajtur unë tek ky album edhe ishte pikëpyetje se si kanë me tingëllu, mandej kur hyjnë disa kitare në orkestrim plus violonçela dhe instrumente të tjera, shumë lehtë mundet me u ngarku dhe me pasë konflikt tek instrumentet mes vete. Përshtatja e orarit për instrumentistët pjesëmarrës, disponimi si dhe miksimi i instrumenteve të tyre e shumë faktorë të tjerë dinë me qenë elemente sfiduese sepse marrin shumë kohë dhe energji por dëshira ime, e Shpejtimit dhe e të gjithë instrumentistëve për me sjellë diçka të bukur ishte më e madhe sesa krejt të tjerat. Titujt e veprave janë në gjuhën angleze për shkak se edhe ky është album ndërkombëtar dhe nga përvojat e kaluara e kam kuptuar që titujt kanë shumë rëndësi nëse janë vetëm shqip apo në gjuhën angleze apo ndërkombëtare. Si gjithmonë, titujve iu kushtoj rëndësi të veçantë që të jenë poetik dhe përmes tyre të merr kuptimin krijimi”, thotë Peni për KultPlus.
Sikurse edhe në albumet e tij të mëhershme, edhe tek “Amantia” shkrihen rryma të ndryshme muzikore, duke dominuar gjithmonë flamenkoja. Nuancat etnike të pasura këtë herë vijnë me melodi melankolike që plotësohen nga një aranzhim i butë dhe modern duke e bërë lehtësisht të pranueshëm dhe të pëlqyer nga dëgjuesi. Në anën tjetër, albumi vjen me mjeshtëri i incizuar nga Shpejtim Gashi. Pas disa incizimeve të mëparshme të tij, kitaristi Peni e ka parë seriozitetin, përkushtimin dhe punën e tij, andaj dhe ka vendosur që ta realizojë një album të tillë dhe e vetmja mundësi ka qenë bashkëpunimi me Gashin.
Punën me Gashin, kitaristi Peni e vlerëson si diçka të bukur, marr parasysh faktin që derën tek producenti e ka pasur të hapur pas asnjë lloj interesi material, vazhdimisht duke i dëgjuar kërkesat e tij dhe duke e përkrahur shumë në këtë lloj muzike, në një kohë jo aq të lehtë.
Albumi është publikuar nga kompania spanjolle “Publimaster” në të gjitha adresat (dyqanet) online dhe ky fakt për kitaristin Peni është tejet i rëndësishëm.
“Është një kompani shumë serioze që ka kriter në përzgjedhjen e artistëve bashkëpunues. Përmes tyre muzika ime që 10 vite depërton jashtë shtetit, ruhet e drejta e autorit atje dhe ka mundësi të shumta për koncerte dhe përfitimi material përmes tyre është shumë më i lehtë”, tregon ai.
Në videon e publikuar në kanalin e tij në YouTube të këngës “Elegia” na shfaqet Peni duke sjellë tinguj të magjishëm me kitarën e tij, të kombinuara me pamjet mbresëlënëse të Kosovës. Bjeshkë e male shfaqen në video për të na bindur se e bukura është arti dhe e tillë është vet natyra. Gishtat i “kërcejnë” në kitarë, janë të pamëshirshëm, të lirë e të pushtuar nga lutja e flamenkos. Telat nxjerrin britmën e tyre dhe fluturojnë të kompozuara si melodi që digjen shkëlqyeshëm.
Të gjitha këngët e tjera në album, po ashtu janë të shoqëruara me video dhe kitaristi Peni për këtë pjesë ka thënë se këtë gjë e ka bërë për shkak se bukuritë natyrore të vendit tonë duhet të prezantohen sa më shumë dhe kjo për të është një akt patriotizmi.
“Bukuritë natyrore të vendit tonë sa ma shumë duhet të ruhen dhe të prezantohen. Me e prezentu bukurinë, muzikën dhe kulturën e vendit tënd është një formë e mirë e patriotizmit. Kjo më së miri mund të bëhet përmes videove të bashkuara me muzikë instrumentale e që në këtë rast unë e kisha këtë mundësi. Në këtë rast, jam shumë falënderues ndaj Elbasan Kryeziut i cili më ka përkrahë në realizimin e shtatë videove dhe Blerdi Malushit në realizimin e instrumentalit Amantia.”
Teksa arrijmë tek fundi i kësaj interviste për KultPlus, kitaristi Peni na thotë se ka marr komente nga më të bukurat e që kanë qenë shumë motivuese. Ai beson se publiku që dëgjon muzikë instrumentale nuk është i madh në numër, por shija e tyre është shumë e rafinuar.
“Nuk është e lehtë me e impresionu një publik të tillë. Ata që e kanë pasë mundësinë deri tash me e dëgju të gjithë albumin edhe pse është shumë herët, duket që janë impresionu, të paktën kështu shprehen dhe unë shpresoj që ashtu është. Gjithmonë mendoj që diçka që rrjedh natyrshëm dhe paraqitet si e tillë, është shumë më e afërt tek ta dhe është shumë origjinale, e njerëzit gjithmonë e duan origjinalitetin e një artisti. Nëse ky origjinalitet është i mbështjellë me profesionalizëm atëherë edhe arrin deri te impresionizmi”, përfundon Peni.
Më poshtë KultPlus ua sjell videon e këngës “Elegia” të albumit më të ri “Amantia”, të cilën e keni rastin ta shijoni e ta përjetoni./ KultPlus.com