9 Tetor, 2024 - 8:32 pm
Era Berisha
Gjëja e parë që krijon njeriu në këtë botë kur lind është lëshimi i zërit. Disa nga këta zëra janë më të veçantë se të tjerët, kanë një timbër të shndritshëm e të bukur që magjeps gjithkënd. Pra, në njëfarë forme është një bekim që i epet njeriut qysh në lindje, dhe sopranoja Vita Guhelli padyshim që është njëra ndër të bekuarit. Me një zë karakteristik, i cili arrin nota të ndryshme, ajo thellë në vete ka një aftësi të pamasë dhe unike. Shumë këndshëm nëpërmjet zërit, Guhelli thumbon atmosferën pa mëshirë, shkruan KultPlus.
Kur një soprano këndon, kordat vokale dridhen dhe skajet e kordave bashkohen, kësisoj lëshohet tingulli nga brendësia. Për të perfeksionuar këta tinguj, duhet shumë kohë, përkushtim, mund dhe një mori ushtrime. Sopranoja Guhelli tashmë ka kohë që ka gjelbëruar zërin e saj drejt maturimit, dhe krejt këtë e ka arritur me shumë pasion dhe dashuri të skajshme. Për fillet e saj dhe për publikimin e albumit të fundit të titulluar “Nana”, në një intervistë për KultPlus, sopranoja Guhelli ka treguar shumëçka.
Gjithçka kishte nisur kur ajo qe pesë vjeçe dhe interpretimin e saj të parë e pati bë me nënën e vetë, të cilës sot ia dedikon albumin më të fundit. Magjia që ajo kishte ndjerë në skenë ka qenë shumë e veçantë, e ka joshë që të bëhej pjesë e pandashme e saj. Si fëmijë, ajo ka pas rastin të këndojë në koncerte të ndryshme shkollore, mirëpo muzika për të tashmë kishte marr tjetër kuptim. Edhe shkollën e mesme e kishte vijuar, fillimisht për piano e pastaj edhe për këndim. Ajo e ka ditur se skena tashmë i kishte futur rrënjët diku brenda qosheve të zemrës së saj.
Këto përvoja të hershme të saj, padyshim që ndihmuan në formësimin e pasionit të saj për muzikën, më konkretisht për këndimin, dhe tash s’kishte më kthim prapa. Ndërsa, instrumenti i pianos, qe një dashuri tjetër që ajo e themeloi në ndërkohë, duke nisur kështu rruga e saj drejt edukimit muzikor profesional. Mirëpo, këndimi mbetet për të, reflektimi më i thellë i shpirtit dhe artit të saj. “Zëri është arti më sublim për të shprehur emocionet dhe ndjenjat.”
Së fundmi, sopranoja Guhelli ka publikuar albumin e saj më të ri, “Nana”, dhe të në njëjtën kohë edhe motra e saj, Vesa Guhelli ka hapur ekspozitën e saj me emrin dhe domethënien e njëjtë. Albumi “Nana” përmbledhë vepra të kompozitorëve shqiptarë, evropianë dhe botërorë si: Manuel de Falla, José María Cano, Massimo Audiello, Enver Shëngjergji, Fernando Obradors, José Ramón Gomis dhe Takahiro Obata.
Këto vepra në aspektin përmbajtësor dhe kompozicional pasqyrojnë siluetën e nënës përmes formës më sublime – Ninullës. Sopranoja Guhelli na ka treguar se objektivi kryesor i këtij projekti është pasqyrimi i një diversiteti kulturor etnik mbarë botërorë përmes veprave të karakterit të ninullave. Pra, ky album na vjen me ngjyrime të ndryshme kompozicionale me qëllimin e krahasimit dhe njohjes së këtij formati kompozicional i cili kryefjalë ka origjinalitetin e muzikës shqiptare dhe muzikën e kombeve të tjera kudo në botë.
Konsiderohet se si një urë lidhëse e diversitetit muzikor është gërshetuar kolona zanore e projektit “Nana” – vepra e një kompozitori shqiptar me veprat e kompozitorëve evropianë e botërorë, të periudhave të ndryshme stilistike muzikore dhe kulturore por të ngjashme në frymën përmbajtësore. Këta kompozitorë sjellin një identitet krijues të reflektuar në lajtmotive autentike por ndër vite me tendenca progresive dhe inovative interpretuese nga interpretues të shquar botërorë.
Duke e njohur dhe studiuar opusin e tyre krijues në përgjithësi, sopranoja Guhelli synim ka pasur që fryma kompozicionale të përkoj me atë interpretuese. Ajo mbetet e mahnitur dhe e befasuar me prezencën e vargut “Nina Nana” në veprat e kompozitorëve italianë dhe spanjollë.
Sipas saj, në aspektin përmbajtësor të vargjeve, ky rrjet ninullash tregon një unifikim dhe gjuhë universale në interpretimin më sublim – i nënës për fëmijën e saj. Po ashtu, projekti muzikor gërshetohet me artin vizual, gjegjësisht ekspozitës me fotografi i titulluar njashtu “Nana”, autore e të cilës është Vesa Guhelli, që i kushtohet fillimisht gruas që i solli dy artistet në jetë dhe sakrifikoi çdo gjë për to.
Bukurije Morina, nëna e tyre, me zërin e saj të bukur, i ka dhuruar atyre një botë të mbushur me nota, tinguj, melodi si dhe ëndrra të cilat tashmë veçse i kanë prekur. Ajo për to, mbetet shembulli më i mirë e gruas dhe nënës. Por ky projekt i cili gërsheton këto dy arte, po ashtu vjen si dedikim për të gjitha nënat kudo në botë.
Albumi “Nana” gjithsej ka shtatë vepra të kompozitorëve të ndryshëm evropian e botërorë. Çdo këngë sjell një diversitet të pasur muzikor duke kombinuar tingujt tradicionalë me elemente të muzikës moderne, për t’i ofruar publikut një përvojë unike dhe të ndjerë. “Do të veçoja këngën ‘Ninulla’ të kompozitorit Enver Shëngjergji, e cila është e vetmja vepër shqipe në këtë album. Kjo këngë, e shkruar 37 vite më parë, ka një rëndësi të veçantë për mua, si nga aspekti personal, ashtu edhe për emocionet që ajo sjell. Enver Shëngjergji, është dekoruar nga Republika e Shqipërisë për kontributin e tij të çmuar me titullin – Mjeshtër i Madh prandaj dhe për mua është një nder i veçantë të interpretoj kryeveprën e krijimtarisë së tij, e cila mbart vlera të mëdha kompozicionale dhe është një perlë e vërtetë ndër veprat e muzikës shqipe”, thotë sopranoja Guhelli.
Interpretimi i veprave klasike dhe studimi i tyre kërkon qartazi një punë të madhe. Është një proces që kërkon shumë për të arritur në perfeksion. Nevojitet një përkushtim serioz që përfshin studimin e gjuhës në të cilën është shkruar vepra, njohjen e diksionit, artikulimin e pastër, studimin e periudhës stilistike si dhe duhet një teknikë vokale të përsosur dhe një formë të mirë fizike. Sipas Guhellit, thelbësore është që interpretimi të përkojë me frymën kompozicionale dhe stilistike të veprës, për të krijuar një performancë të vërtetë dhe të ndjerë. Këto elemente bashkëpunojnë për të realizuar një interpretim të denjë.
Në këtë album janë të përfshira edhe disa vepra të cilat nuk i përkasin zhanrit të muzikës klasike por atij modern me ngjyrime të muzikës xhaz. Për sopranon Guhelli, këndimi me zërin natyral, i ofron asaj një emocion të veçantë dhe një ndjesi autenticiteti që e bën të ndjehet plotësisht në harmoni me disa këngë të caktuara, që kanë rëndësi personale për të.
“Para se të filloja studimet në drejtimin e solo këndimit – muzikës operistike, kam pasur mundësinë të eksperimentoj me zhanre të ndryshme, duke përfshirë muzikën moderne me nuanca xhaz, atë tradicionale italiane dhe spanjolle. Këtë përvojë e kam inkorporuar edhe në albumin tim, ku disa prej veprave, veçanërisht ninullat, kërkonin pikërisht këtë qasje të ndjerë dhe organike, duke krijuar një lidhje më të thellë me çdo tingull dhe mesazh që dua të përcjell”, thotë ajo.
Tutje, ajo ka treguar edhe momentin në të cilin e ka ndjerë se albumi “Nana” me tematikën e caktuar, ka qenë i domosdoshëm për artdashësit e muzikës klasike.
“Artisti e ndjen thellësisht kur një tematikë e caktuar mungon në peizazhin muzikor dhe zgjedh t’i japë asaj zë përmes krijimit të një albumi me frymë të njëjtë stilistike dhe përmbajtësore. Ky proces krijues vjen natyrshëm, si një përpjekje për të plotësuar boshllëqet artistike, duke sjellë në jetë një projekt që flet me koherencë të plotë përmes çdo tingulli dhe fjale. Një album i tillë nuk është thjesht një koleksion këngësh, por një udhëtim i përbashkët artistik dhe shpirtëror, që pasuron botën muzikore me diçka autentike dhe të ndjerë. Në këtë mënyrë, projekti nuk është vetëm një përmbledhje këngësh, por një koncept i lidhur ngushtë që përçon një mesazh të qartë dhe të unifikuar, duke pasuruar skenën muzikore me një kontribut unik dhe të menduar mirë.”
Për të përzgjedhur veprat e caktuara për një album, ekziston një proces që vazhdimisht duhet të burojë nga shija individuale e secilit, për të sjellë diçka autentike, të padëgjuar ndoshta më parë, apo edhe diçka eksperimentale. Por, për sopnraon Guhelli kjo ka qenë jo domosdoshmërisht e vështirë. Për të, i gjithë procesi ka ardhur nëpërmjet shijes artistike, mundësive teknike dhe atyre vokale. Çdo zgjedhje është bërë më shumë kujdes nga ana e saj. Janë marrë parasysh harmonitë mes potencialit të çdo artisti dhe mesazhi që është dëshiruar të përcjellët. Pra, procesi mbetet një udhëtim krijues, ku çdo këngë duhet të reflektojë jo vetëm stilin e saj personal, por edhe thellësinë emocionale që ajo kërkon të ndaj me publikun.
Si duket, tashmë publikimi i albumit “Nana” që përkoi me hapjen e ekspozitës me po të njëjtin titull nga motra e saj, Vesa, është pritur tejet mirë nga të pranishmit në promovimin e albumit në Shkollën e Muzikës “Amadeus”, duke lënë një përshtypje të thellë tek të gjithë ata që e kanë dëgjuar. Përzgjedhja e veprave dhe ideja që qëndron pas albumit, duket se kanë ngjallur emocion dhe admirim, duke e bërë këtë projekt një sukses të veçantë në sytë e publikut. “Jam shumë e lumtur që mund të sjell në vëmendje këngë të cilat reflektojnë kulturën dhe shpirtin shqiptar në një mënyrë të freskët dhe autentike”, thotë sopranoja Guhelli.
Krejt për fund, sopranoja Guhelli ka treguar se momentalisht është e përqendruar në zhvillimin e karrierës si solo këngëtare, me synimin për të sjellë në vëmendjen e publikut, vepra të mrekullueshme shqipe që janë publikuar dhe promovuar shumë pak.
“Besoj se këto këngë përfaqësojnë një trashëgimi të pasur kulturore dhe emocionale, dhe është misioni im t’i rikthej në skenë me energji dhe përkushtim. Kam plane për performanca të drejtpërdrejta dhe publikime të reja, duke i dhënë zë këtyre perlave të fshehura dhe duke krijuar një lidhje të veçantë me publikun përmes artit të pastër shqiptar”, thotë ajo.
Sopranoja Vita Guhelli ka një imazh të qartë të vizionit të saj artistik dhe ky padyshim që është promovimi dhe lartësimi i muzikës dhe vlerave tona kombëtare. / KultPlus.com