17 Shkurt, 2018 - 12:00 pm
Për 16 orë ka punuar në këmbë dhe me kurriz të lakuar, sepse ashtu ishin kushtet e punës. Artisti Shyqri Nimani, figura që ka kaligrafuar në pergamenë “Deklaratën e Pavarësisë”, më 16 shkurt të vitit 2008, për 16 orë kishte pirë vetëm ujë. Dhe në një intervsitë për KultPlus, ka treguar se si nuk ka guxuar të lëshohet as në gëzimin e pavarësisë, por ta përfundonte dokumentin e kërkuar. Ai tregon për ethet që i ka sjellë ky dokument, frikën që nuk do të arrinte ta përfundonte punën e kërkuar, sikurse që tregoi se po brenda atyre 16 orëve mori aritmi në zemër, pasoja që po i vuan tash e dhjetë vite.
“Me vete kam pas edhe Agonin, djalin tim. Për një moment më kujtohet që i jam drejtuar duke shpërfaqë frikën time se nuk do të mund t’ia dal. Mbaj mend se si më dha kurajo, duke më thënë se patjetër do t’ia dalim”, ka thënë ai.
Nimani ka treguar se 15 minuta para orës 15:00, atëherë, kryeministri Thaçi ka ardhë dhe e ka marë dokumentin, duke mbetur artisti i dërmuar në Zyrën e Kryeministrit. Përmend edhe dëshirën e djalit të tij që të shkonin edhe ata në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Por, Nimani tregon se si i dërmuar që ishte, ceremoninë e ka përcjellë nga televizori i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, duke kujtuar edhe atë, se nuk kishte vend për të gjithë në ceremoni. Ai ka kujtuar edhe një detaj tjetër, që për punën e tij, ai nuk është paguar nga Qeveria e Kosovës.
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Kanë kaluar dhjete vite nga koha kur edhe e keni shkruar Deklaratën e Pavarësisë, dhe duke shikuar nga kjo distancë, si e kujtoni atë 16 orësh, që vlerësohet të ketë qenë kohë shumë stresuese për ju?
Shyqri Nimani: Ishte 16 shkurti i vitit 2008, një ditë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Atë kohë, më ftoi kryeministri i atëhershëm i Kosovës- Hashim Thaçi. Më kujtohet shumë mirë, ka qenë ora 21:00 kur ma dhanë tekstin e Deklaratës së Pavarësisë, ku kërkuan nga unë që ta kaligrafoja në pergamenë (lëkurë e viçit). Teksti që ma lëshuan në dorë ishte plot tri faqe të formatit A/4, secili që është artist e kupton shumë mirë stresin tim për ta rrumbullakuar atë punë për 16 orë.
Unë pata pasë një takim edhe më herët, ku ju pata shpjeguar që nëse do të ishte deklarata në formatin A/4, në vetëm një faqe, duhen gjashtë ditë pune që të përfundonte deklarata ashtu si duhej, kurse mua më dorëzuan këtë dokument me tri faqe të plota.
Në momentin e fundit e kuptova se sa shumë ka tekst, dhe u befasova shumë, pastaj teksti që ma dhanë kishte edhe gabime gjuhësore, sepse, teksti ishte përkthyer nga anglishtja, dhe mu desh që edhe me këtë problem të merrem, që tekstin fillimisht ta korigjoja. Sepse, kur fillon të shkruash në pergamenë, aty më nuk lejohet të gabosh.
KultPlus: Pikërisht për realizimin e Deklaratës së Pavarëisë, ju njërën nga zyret e kryeministrit të Koosvës e shndërruat në një atele pune për 16 orë, çfarë kërkese tjetër patën institucionet për përfundimin e Deklaratës së Pavarësisë?
Shyqri Nimani: Përpos që duhej ta përfundoja Deklaratën e Pavarësisë brenda 16 orëve, shefi i protokollit në atë kohë, Abedin Qupeva erdhi me propozimin se nëse mund të ishte edhe Qeveria e Kosovës bashkëautore e Deklaratës së Pavarësisë, sikurse që ma përmendi edhe kontratën.
Natyrisht në stresin e kohës që isha, ishte e pamundur të flisja për këso gjëra teknike. Unë duhej që të koncentrohesha në punë dhe ta përfundoja gjithë atë punë që kisha para vetës.
Edhe përkundër faktit se si popull shqiptar e kemi ëndrruar shumë atë ditë, shpalljen e pavarësisë, unë nuk kam pas kohë të mendoj se sa i lumtur do të jetë populli im, pikërisht kur do të lexohej ky dokumet që do t’ia kumtonte lajmin e shumë pritur, se vendi i tyre përfundimisht do të jetë i pavarur. Ne krejt e dijmë se sa shumë luftë politike, luftarake është dashur që të vijmë deri te ajo ditë e madhe.
Unë i kisha këto ndjenja të brendshme, por për ato 16 orë mu desh ti mbyllja, të mos mendoja, sepse më duhej të kompozoja krejt tekstin, krejt hapësirën, dhe për këtë fakt, fillimisht këtë tekst mu desh ta shkruaj në një letër të thjeshtë, që t’ia jepja kompozimin e më pas të filloja punën në pergamenë.
KultPlus: Padyshim, kjo punë e juaja është një punë historike, një punë që është e mbrojtur edhe nga Trashëgimia Kulturore, dhe një punë që vlerësohet lartë nga të gjithë. Por ju si autor, sa jeni i kënaqur me këtë realizim?
Shyqri Nimani: Do të më mbetet brengë për gjithë jetën, kam menduar që ta ilustroj mirë, sipas doktrinave mesjetare, të ketë inicialet, të ketë ilustrime, por e dija saktë që 16 orë nuk më lejonin këtë dëshirë. Më është dashur të shkruaj me një fond, me një stil, i cili është i bukur, subtil dhe që shkruhet më shpejt, dhe vendosa që ta shkruaja në stilin italik, të renesancës italiane, kur siç dihet, që me këtë fond është shkruar edhe “Formula e Pagëzimit”, dhe pikërisht për këtë fakt, desha ta bëja një ndërlidhje mes asaj periudhe dhe periudhës sonë.
Për 16 orë kam punuar në këmbë dhe me kurriz të lakuar, sepse ashtu ishin kushtet e punës, kam pirë vetëm ujë, dhe asgjë nuk kam menduar përpos që ta përfundoj. Për herë të parë në punën time artistike kam pas frikën që nuk do t’ia dal. Me vete kam pas edhe Agonin, djalin tim, i cili edhe ai është dizajner. Për një moment më kujtohet që i jam drejtuar duke shpërfaqë frikën time se nuk do të mund t’ia dal.
Mbaj mend se si më dha kurajo djali im, duke më thënë se patjetër do t’ia dalim. Kjo punë është shumë riskante, unë kam pas raste të shkruaj edhe më herët në pergamentë, por jo me kaq afat të shkurtër.
KultPlus: Dhe, kur përfundoi ky stres 16 orësh?
Shyqri Nimani: Deklaratën e Pavarësisë e kam përfunduar pesëmbëdhjetë minuta para orës 15:00. Mbaj mend që erdhi kryeministri Thaçi, e panë dhe e morën. Kurse unë mbeta i katandisur deri në fund, i rrënuar nga lodhja. Mbaj mend që djali im më pat kërkuar që të shkonim në sallën e Parlamentit të Kosovës, aty ku edhe do të shpallej pas pak Pavarësia e Kosovës.
I thashë që do ta përcjellë seancën nga kjo zyrë e kryeministrit, sepse edhe isha i lodhur, por edhe nuk isha veshur bukur, pastaj, edhe nuk kishte vend për të gjithë në atë seancë, kështu që e kam përcjellë këtë ceremoni sikurse krejt qytetarët e Kosovës, nëpërmjet televizorit.
KultPlus: Dhe, Deklarata e Pavarësisë u lexua më 17 shkurt të vitit 2008, por pas kësaj, kush mbeti autori i kësaj pune, u plotësua dëshira e Qeverisë së Kosovës që të jenë bashkëautorë të kësaj deklarate?
Shyqri Nimani: Kanë kaluar dhjetë vjet, dhe deri më sot, unë asnjëherë nuk kam nënshkruar asnjë kontratë për punën që bëra. Nëse nuk gabohem, atëherë janë ndarë 600 mijë euro për atë ditë, mjete që janë ndarë për shpenzimet. Kam dëgjuar që shumë autorë kanë marë mjetet për punët që kanë kryer, por unë që shkrova Deklaratën e Pavarësisë nuk mora mjetet. Unë kam dëgjuar se mjetet kanë qenë të ndara për këtë punë, por unë nuk shkova ti kërkoja, por as ata nuk erdhën të më kërkonin. Unë nuk besoj që Hashim Thaçi është në dijeni se nuk jam paguar për punën e bërë, pasi që, ai ka pasë tjera ngarkesa, por të tjerët kanë qenë në dijeni, apo edhe ndoshta mendojnë se jam paguar.
KultPlus: Megjithatë, ne si shqiptarë njihemi se si i lëmë punët për momentin e fundit, mendoni se kjo punë ka pas mundësi që të organizohej më mirë, që të kishe kohën e mjaftuar?
Shyqri Nimani: Deklarata ka pasë mundësi që të shkruhej më herët, por ka qenë edhe problemi te teksti, sepse Pavarësia e Kosovës ishte e kushtëzuar, dhe deklarata, unë mendoj, që nuk është shkruar pa miratimin e ndërkombëtarëve, andaj ka ardhë në momentin e fundit.
Por prapë mendoj se është mëkat, sepse është dashur të më tregonin dy javë më herët. Sepse as Thaçi, por as të tjerët nuk e kanë ditur se mke çfarë përkushtimi duhet të shkruhet në pergamenë.
KultPlus: E përmendët më lartë se nuk jeni i kënaqur me realizimin e Deklaratës së Pavarësisë, është një punë që nuk kthehet prapa, por keni ndonjë ide që do të doje të bëje diçka, që të tregoje se si do të duhej të ishte ky dokument?
Shyqri Nimani: Artisti duhet me qenë i sinqertë, unë i shoh të tjerët se si reagojnë në lidhje me punën time në Deklaratën e Pavarësisë, e lavdojnë, kanë fjalë të mëdha. Por unë vazhdoj ta kem brengë, edhe pse kam bërë shumë, sepse nuk kam pasë kohë më shumë, e sikur të kisha kohë më shumë, jam i sigurtë që do jepja më shumë.
Kushdo tjetër të ishte në vendin tim do ti ndodhte e njëjta, sepse nuk ka pasë kohë të mjaftueshme me atë çfarë kanë kërkuar.
Por unë gjeta ngushëllimin me një shtet shumë më të fuqishëm se ne. E njëjta gjë u ka ndodhur edhe Amerikës, atëherë kur e kanë shpallë pavarësinë.Edhe Deklarata e Pavarësisë së Amerikës është me vetëm një ngjyrë, ngjyrë të zezë, pa ilustrime, kjo pak më ngushllon, ma bën më të lehtë.
Por unë, edhe me kërkesë të bashkëshortes sime, do të realizoj edhe njëherë Deklaratën e Pavarësisë në pergamenë, por natyrisht pa nënënshkrimin e deputetëve. Do ta bëj në mënyrë time dhe do ta dorëzoj që të jetë pjesë e Muzeut të Pavarësisë së Kosovës, këtë gjë do ta bëj që vetëm të mos e kem peng mos arritjen e realizimit të Deklaratës së Pavarësisë në mënyrën më të mirë të duhur. Do ti blej vet pergamenët dhe do të filloj të punoj ngadalë, ashtu si kam dëshirë.
KultPlus: Pikërisht në këtë përvjetor, pas dhjetë viteve, edhe qytetarët e Kosovës do të kenë rastin ta shohin Deklaratën e Pavarësisë nga afër, pasi që do të ekspozohet në ekspozitën e Muzeut të Kosovës, si ndjehesh?
Shyqri Nimani: Po, tash do të ekspozohet Deklarata e Pavarësisë dhe njerëzit do të kenë rastin ta shohin më afër këtë deklaratë, punë që më ka sjellë edhe aritmi në zemër, dhe këtë problem e barti tash e dhjetë vite.
KultPlus: A të kanë ftuar të jeshë i pranishëm në hapje të kësaj ekspozite?
Shyqri Nimani: Jo, nuk më ka ftuar askush.
KultPlus: Gjithë kjo punë, përpos që ta ka ‘dhuruar’ aritminë e zemrës, të ka lënë edhe ndonjë dhuratë tjetër, ke ndonjë gjë në shtëpinë tuaj që të kujton këto momente?
Shyqri Nimani: Të gjitha materialet që i kam përdorë atë ditë i kam në shtëpi, kaligrafet e ndryshme, ngjyrat dhe disa copa të pergamanëve, sikurse që i kam edhe tri faqet A/4. Një ditë do ti dhuroj edhe këto kujtime.
KultPlus: Dhe krejt për fund,një paralele në mes karrierës suaj 55 vjeçare dhe punës në Deklaratën e Pavarësisë, kjo e fundit të ka bërë të famshëm në nivel popullor, por puna artistike është për një pjesë më të ngushtë. Ju personalisht, cilën lartësoni më shumë?
Shyqri Nimani: Po më vjen mirë për këtë pyetje, nuk ma bëri askush për këto dhjetë vite. Unë vitin e kaluar pata 75 vjetorin e lindjes dhe asnjë televizion nuk më ftoi që të bëj diçka rreth karrierës sime artistike. Kurse për këtë përvjetor, që dy javë jam duke dhënë intervista për medie të ndryshme, duke përfshirë edhe të huajat.
Për mua, asnjë rëndësi nuk paraqet fakti që kam shkuar Deklaratën e Pavarësisë, njëjtë do të mendoja edhe sikur mos ta shkruaja. Sepse, unë jam artist, jam pedagog universitar, me rëndësi janë monografitë e mia, karriera ime artistike. Por puna në Deklaratën e Pavarësisë është punë historikë, punë që lë gjurmë dhe punë që ka bërë jehonë më shumë./KultPlus.com