12 Nëntor, 2019 - 3:00 pm
“Çfarë e bën një prodhim artistik, si bëhet njeriu artist?”, shkrimtari slloven Tadaj Golob i largohet luftës, si linjë magnetizuese për letërsinë bashkëkohore dhe tenton të hulumtojë mbi kuptimin e artit dhe rreth asaj që nxit individin të krijojë.
Librin e tij të parë, “Këmbët e derrit” (botim i shtëpisë botuese “Toena”), me të cilin nis të bëhet i njohur dhe fiton edhe çmimin prestigjioz “Kersnik”, e sjell në shqip Nikollë Berisha. Ngjitja e Golob në letërsi qe e menjëhershme, njësoj siç ndodhi me mbërritjen e tij në majën e Everestit, dy ditë pasi u bë pjesë e ekipit mbështetës për Dav Karniçarin (njeriut të parë që zbriti nga maja e Everestit me ski).
Pas “Këmbët e derrit”, ai botoi disa libra të tjerë të suksesshëm, si “Dhëmbi i artë”, “Ku humbi Brina”, “Liqeni”, “Derrat meshkuj” etj. Si për çdo personazh të tij, edhe për Jani Bevkun te “Këmbët e Derrit”, Golob tregon se është mbështetur në personazhe reale, ndërsa zhvillimi i rrëfimit, shpalosja e fundi, kanë si lëndë të parë fantazinë.
Edhe pse dozat e erotizmit në libër kanë ngjallur jo pak debate, shkrimtari shprehet.
“Për sa u përket skenave seksuale në “Këmbët e derrit, jam shumë krenar. Të përshkruhet seksi në mënyrë që të mos duket si pornografi dhe njëherazi që njerëzit të mos qeshin, është shumë vështirë”. Përpos kësaj, për pjesë të tjera që ai i konsideron si “gangsterike”, si ajo e pushkës së prerë, e qeskës së kokainës, shkrimtari tregon se është bazuar në ngjarje reale.
“Këmbët e derrit” është një roman që ju solli shumë sukses. Me të, ju fituat edhe çmimin më të rëndësishëm për letërsi në Slloveni “Kersnik”. Çfarë ju frymëzoi të shkruani një vepër të këtij lloji, me një subjekt gati-gati të pazakontë, i cili, le të themi, ka tërhequr mjaft kërshërinë e lexuesve?
Në të vërtetë, e kam shumë të vështirë ta shpjegoj këtë gjë. “Këmbët e derrit” ka qenë libri im i parë letrar dhe në të unë shtroj pyetjen: Çfarë është arti? Flet për një vizatues të tatuazheve, që ka probleme me kokainën, mungesën e parave, si dhe me personalitetin e tij. Megjithatë, boshti kryesor ku libri mbështetet mbetet: Çfarë e bën një prodhim artistik, si bëhet njeriu artist? Kjo ishte çështja që më mundonte së tepërmi kur vendosa të shkruaj. Nuk e gjeja veten në mesin e atyre që merren tërë jetën me tema “serioze”. Nuk desha të shkruaja për përçarjen kombëtare në Luftën e Dytë Botërore.
Prej 30 vjetësh merreni me alpinizëm dhe keni ngjitur edhe majën më të lartë, atë të Everestit. Ç’mund të na thoni për këtë eksperiencë dhe mbi të gjitha për pasionin tuaj për letërsinë? A kanë këto dy pasione pika takimi?
Po, ekzistojnë shumë pika takimi mes tyre. Vetë ndjesia që përjeton kur gjendesh rrëzë një shkëmbi të madh mbi të cilin dëshiron të ngjitesh, ashtu si edhe kur shkruan fjalinë e parë që do të duhet të bëhet roman, janë të ngjashme. Ka të bëjë me atë ndjesinë e vogëlsisë. Përpos kësaj, angazhimi në sport të hap një dritare të rëndësishme të botës dhe jetës. Në Everest, në fakt, shkova në vitin 2000, si pjesëtar i ekipit mbështetës për Dav Karniçarin, njeriun e parë në botë që zbriti nga maja e Everestit me ski. Dy ditë më vonë, më 9 tetor, edhe unë mbërrita në majë.
Në këtë roman, protagonisti, Jani, përjeton ulje e ngritje të shumta dhe e gjitha është rrëfyer përmes një monologu të brendshëm. A ka elemente të këtij subjekti,që bazohen në jetën tuaj reale, apo është thjesht një trill artistik?
Kur unë shkruaj, kur krijoj personazhet e librave të mi, gjithmonë mbështetem në persona realë. As Jani Bevku, nuk është krejtësisht i trilluar. E kam një mik që flet ngjashëm me të, me një gjuhë tejet vulgare, e që përdor sharje dhe mallkime; as pjesa “gangsterike” e tregimit me pushkë të prerë dhe me qeskë të kokainës nuk është e trilluar. Ndërsa, vetë rrëfimi, shpalosja dhe fundi i saj janë plotësisht prodhim i imagjinatës.
Përgjatë romanit kemi mjaft skena erotike. Raportet, deri edhe më intimet të personazhit me gruan e tij, janë të përshkruara me një gjuhë mjaft të drejtpërdrejtë. Mendoni se gjuha e përdorur e bën romanin të lexohet më shumë? Pra, a ka qenë një zgjedhje e paramenduar ajo e përshkrimit përmes një gjuhe të tillë?
Gjuhën që përdor, gjithmonë ia përshtat personazheve dhe situatave. Shumë njerëz e kanë kritikuar “Këmbët e derrit” për vulgarizimin. Ç’të them…? Po, është vulgare, ashtu siç është edhe jeta e Jani Bevkut dhe jetët tona në përgjithësi. E për sa u përket skenave seksuale – për to, në “Këmbët e derrit”, jam shumë krenar. Të përshkruhet seksi në mënyrë që të mos duket si pornografi, e që njerëzit të mos qeshin, është shumë vështirë.
Subjektin e romanit mund ta lidhim edhe me aktualitetin, me problemet e ndryshme sociale, marrëdhëniet mes një çifti, të cilat agravojnë në momentin e përballjes me trysnitë që shpesh të sjell jeta. Përse zgjodhët një bërthamë të tillë për romanin tuaj, që vërtitet rreth problemeve, vështirësive të një çifti?
Heroi duhet të merret me probleme, përndryshe nuk është hero. Problemet që ka një njeri me familje, pa para dhe pa të ardhme, kuptohet se janë shumë më të mëdha se problemet e një njeriu të pamartuar në një situatë të njëjtë.
Jeni i frymëzuar nga mitologjia greke, sepse në roman hasen tek-tuk motive mitologjike, si për shembull ai i bretkosës?
Më pëlqen shumë mitologjia greke, por ato bretkosa nuk rrjedhin prej saj. Janë ngjarje që vërtet më kanë ndodhur para afro pesëmbëdhjetë vjetësh, kur me bashkëshorten dhe me dy fëmijët e vegjël u shpërngulëm në një banesë–bodrum në periferi të Lubjanës. Në vjeshtë, kur filluan reshjet, para dyerve kishim një mori bretkosash. Më vonë zbulova se shtëpia që kishim blerë, ishte ndërtuar mbi një moçal që nuk mund të thahej. Kjo pjesë e romanit është tejet autobiografike.
Përse zgjodhët titullin “Këmbët e derrit” për romanin tuaj? Menduat se do ta tërhiqte më shumë lexuesin?
Për arsye se Jani Bevku, ndërkohë që mësohej të bënte tatuazhe, ushtrohej me “këmbët e derrit”, të cilat i blinte në dyqanin e mishit. Dhe kur i pa këmbët me ato thundra të shtypura, para sysh iu shfaq rrëfimi i jetës së kësaj kafshe. Dhe ky rrëfim është i egër.
Cili është shkrimtari juaj i preferuar dhe çfarë lloj letërsie lexoni?
I kam pesë libra të preferuar që i citoj kur ma bëjnë këtë pyetje: “Mjeshtri dhe Margarita” e Bulgakovit, “I huaji” i Albert Camus, “Cica në metro” i Raymond Queaneauit, “Shpëtimi” i James Dickeys dhe “Thertorja pesë” e Kurt Vonnegutit. Përndryshe, lexoj gjithçka.
Ç’duhet të përmbajë një shkrim që të quhet letërsi e mirëfilltë, sipas jush?
Duhet të ketë diçka që ta tërheq lexuesin. Rrëfimin, gjuhën, energjinë, elemente që në thelb është e vështirë t’i përcaktosh, pasi çdo njeri i percepton disi ndryshe. Nuk janë të gjithë librat për gjithkënd. As “Këmbët e derrit” nuk është.
Vendi juaj i preferuar për të shkruar?
Shkruaj në shtëpi. Në dhomën e gjumit kam rregulluar një qoshe për të shkruar. Edhe pse kam shkruar edhe në vende të tjera; në banesa, në rezidenca të ndryshme për shkrimtarët, nëpër kafene etj. Mirëpo, jam mësuar me ambientin shtëpiak dhe mendoj se shkrimet e mia më të mira krijohen pikërisht aty.
Përveç romaneve, cila gjini letrare ju pëlqen më shumë dhe a keni menduar ta sprovoni veten në poezi?
E kam provuar, por në këtë botë ka aq poetë të shkëlqyer, sa nuk do t’u përzihesha në punët e tyre. Ne sllovenët kemi më shumë poetë se shkrimtarë të jashtëzakonshëm.
Për ta përmbyllur, donim t’ju kërkonim një këshillë për krijuesit e rinj. Çfarë duhet të kenë parasysh në momentin që shkruajnë?
Asgjë, vërtet për asgjë nuk do të guxoja t’i këshilloj. Të gjitha do të duhet t’i mësojnë vetë, madje edhe nga gabimet e tyre mund të mësojnë. /Panorama.al /KultPlus.com