30 Dhjetor, 2024 - 2:00 pm
Vjollca Duraku
Violina, ky simbol i ndjenjave më të thella që pasqyron bukurinë e shpirtit të njeriut, nuk i shkon për shtati askujt më shumë se sa instrumentistes supreme Sihana Badivuku, e cila mbretëreshën e orkestrës tashmë e ka shndërruar në një zgjatim organik të gjymtyrëve të saj, si një medium për të kanalizuar hyjnoren në tokë përmes pëshpërimave më sublime siç janë tingujt.
E diplomuar në Konservatoriumin “Çajkovski” në Moskë, në një nga institucionet më prestigjioze të arsimit muzikor, nën mentorimin e profesorëve më eminentë botëror, Sihana Badivuku- “Paganini shqiptar” vazhdon të impresionojë publikun në çdo paraqitje të saj. Një virtuoze si ajo që me përkushtim dhe dashuri për muzikën përthith vëmendjen në magjinë e saj skenike, lartëson publikun në vlera të kultivuara ndër shekuj nga më të zëshmit e periudhave të ndryshme të muzikës klasike. Kushdo që nga afër ka rastin të mrekullohet duke shijuar një prezantim të saj, mund ta gjejë veten të përhumbur në pyetjen nëse ajo i përshtatet madhështisë së instrumentit të violinës, apo violina mjeshtërisë së saj artistike asaj?
“E di që gëzimi më i madh në jetën time më ka ardhur nga violina”, është një shprehje e gjeniut Albert Einstein. Si duket thellësinë dhe sekretin e kësaj shprehjeje violinistja Badivuku e paskësh kuptuar shumë herët. Këtë “gëzim” të cilin mund ta ketë përjetuar vet ajo, përmes fisnikërisë së saj është kujdesur që ta pasojë edhe te gjeneratat tjera përmes punës si pedagoge. Që nga viti 1992 ajo është pjesë e Universitetit e Prishtinës, ku përgjatë 31 viteve nga duart e saj kanë dalë një “ushtri” violinistësh që tashmë janë pjesë e dy institucioneve bazë në vend, Filharmonisë dhe Operës së Kosovës. E përveç tyre, si rrjetë janë të shpërndarë edhe mbi 50 profesorë në shkollat e muzikës anekënd Kosovës, filli i së cilës rrjetë gjendet pikërisht te duart e saj të arta.
“Në vitet e hershme të fëmijërisë sime unë isha tepër e mbyllur (introverte) dhe sinqerisht mund të ju them që violina, muzika dhe dalja në skenë gradualisht më hapën si karakter dhe tek në moshën e pubertetit fillova të shprehem shumë më lirshëm, dhe karakteri im edhe në jetë të përditshme të hapet dhe të komunikoj e transformohem në ekstroverte”, ka thënë Badivuku në intervistën e fundvitit për KultPlus.
Rrugëtimi i saj artistik ka filluar qysh në moshën 7-të vjeçare, kur babai i kishte dhuruar violinën e parë. Ndonëse një gjë e tillë mund të ketë filluar edhe më herët, qysh me dëgjimin e tingujve të parë të muzikës klasike në shtëpi, e ndoshta edhe më herët, si një informacion i gatshëm i bartur gjenetikisht nga përvoja e babait të saj violinist profesionist.
“Padyshim, ndikimi i të dy prindërve, nënës sime Pranvera Badivuku (kompozitore për fëmijë, e këngëve popullore dhe zbavitëse ) dhe babait, Hysen Badivuku, (violinist në orkestrën popullore dhe Simfonike të RTP dhe poashtu kompozitor) ishin shtyllë dhe bazë për fillimet e para si dhe për përzgjedhjen e violinës si instrument”, ka thënë Badivuku duke cekur edhe një element të rëndësishëm për kuriozitet të lexuesve, faktin që edhe nëna e saj Pranvera deri në moshën 17 vjeçare ka marrë leksione mbi violinën.
Badivuku, violinistja me talent të spikatur, që ka depërtuar në zemrat e publikut gjithandej nga ka interpretuar tregon se momentet kyçe kur vërtetë e kanë sqaruar vizionin se violina do të bëhej pjesë e rrugëtimit të saj jetësor kanë qenë rezultatet e garave të violinistëve në ish -Jugosllavi, ku është vlerësuar me çmime të Para dhe Absolute në Lubjanë, Sarajevë dhe Herceg Novi, përgjatë moshave 11- 15 vjeçare kur ajo ishte ende nxënëse e shkollës së muzikës në Prishtinë.
Pas një hulumtimi të thellë për shkollat më të mira të violinës, në moshën 16 vjeçare, për shkak të direktivave të regjimit të atëhershëm ajo arriti të regjistrohej në Konservatoriumin Shtetëror “P.I.Çajkovski” në Kiev të Ukrainës, ku mbas një viti me ndihmën e gjyshit të Rita Orës, Osman Bajraktarit, ajo u transferua në Moskë, poashtu në Konservatoriumin “Çajkovski”, aty ku kishte qenë synimi i saj.
Badivuku me krenari tregon që pas këtij transferimi u pranua në klasën e prof.Eugenia Çugajeva, dhe se në provim pranues i është dashur të përballet me emrat e violinistëve botërorë si: Viktor Pikajzen, Igor Bezrodni, Irina Boçkova,V.Belinki,Valeru Klimov, Medvedeva e Zinaida Gilells që konsiderohen personalitete legjendë të pedagogjisë violinistike botërore. Në këtë institucion ka përfunduar edhe studimet Master në moshën 23 vjeçare.
Pas përfundimit të studimeve, ajo u rikthye në atdhe për të dhënë kontributin dhe përvojën e jashtëzakonshme të pedagogjisë e veçanërisht të koncertimit, që mori në Moskë jo vetëm nga ligjëratat por edhe nga koncertet e shumta të yjeve botërore të muzikës klasike. Si studentë e publik ishin rritur profesionalisht duke e “thithur” rrezatimin e performancave të artit kulmor, andaj ajo sot e kësaj dite është ende e patejkalueshme.
Më shumë se sa instrument për të violina paraqet një gjendje të brendshme shpirtërore, e cila zbërthehet nëpërmjet notave muzikore në vartësi të gjendjes emocionale dhe veprave që luan. Sipas shijeve të saj muzikore i pëlqen të performoj Barok, Klasicizëm e Romantizëm, por edhe rryma të tjera të kompozitorëve të shekullit XX-XI, me theks të veçantë veprat e kompozitorëve shqiptarë.
“Violina është identiteti im, religjioni im, shprehja më sublime e shpirtit dhe zemrës, filozofia ime e jetës dhe fuqia ime e cila më ndihmon ti përballoj vështirësitë e shumta që i hasim në jetë si private ashtu dhe ato profesionale”.
Foto: Fahredin Spahija
Mjeshtrja e instrumentit harkor thotë se një interpretim i jashtëzakonshëm dhe i pa paharrueshëm për publikun mundësohet kur artisti në skenë arrin me që me anë të tingullit të pastër, shprehjes emocionale, karakterit të veprës së kompozitorit me shumë lehtësi dhe magnetizëm të depërtojë te shumica e publikut në sallë.
“Komunikimi artist-publik duhet të jetë tepër i veçantë dhe për këtë arsye asnjë performancë dhe frazë muzikore nuk është e “përsëritshme”, secila dallon nga frymëmarrja dhe energjia e “atij momenti” që interpreton artisti në skenën koncertale”, ka thënë artistja që ka impresionuar publikun për 40-të vite në mijëra koncerte të mbajtura brenda dhe jashtë vendit.
Me interpretimet e saj, ku ajo bëhet një me violinën përmes ndjeshmërisë së saj, me emetimin e tingujve të pastër, pa asnjë gabim teknik, përmes një intonacioni të përsosur, dinamike të larmishme dhe me fraza të artikuluara, duke prezantuar vepra të vështira me lehtësi dhe elegancë të paparë SI HANA përmes shkëlqimit të saj vazhdon të jetë e pozicionuar aty ku i takon, në qiellin e vet, e rrethuar me shumë yje. Pos në Kosovë, interpretimet e saj shtrihen edhe në Maqedoni, Shqipëri, Bullgari, Gjermani, Itali, Rusi, Finlandë, Irlandë, Spanjë, Slloveni dhe SHBA.
Gjatë këtyre katër dekadave karrierë, violinistja ka pasur edhe shumë çaste të paharrueshme lidhur me interpretimet e saj, të cilat edhe sot e kësaj dite ruhen të freskëta në kujtesë. “Është një vajzë e vogël shqiptare që luan shumë mirë në violinë” është një fjali që sa herë e kujton ia mbush zemrën plotë, me të cilën një profesor i mirënjohur violine në Zemun ju kishte rekomanduar shumë profesorëve të shkollave të tjera të shkonin me patjetër ta dëgjonin violinisten Badivuku gjatë performancës së saj në një interpretim garues.
Si moment të shënjuar e cilëson edhe interpretimin e saj në gara Ballkanike në moshën 15 vjeçare, ku ka marrë pikët maksimale pas një vendimi unanim nga juria me emra që janë skalitur në historinë e shkollës violinistike të asaj kohe në rajon, të cilët pas duartrokitjeve frenetike të performancës së saj kanë shkuar ta urojnë edhe personalisht.
Edhe koncerti në Vatikan i Filharmonisë së Kosovës me rastin e Shenjtërimit të Nënës Terezë për të ka qenë ndër më të jashtëzakonshmit. “Ishte koncert dhe projekt voluminoz, i cili është inicuar dhe udhëhequr nga producentja Diana Toska. Të gjithë artistët që performuam në këtë atmosferë magjepsëse reflektuam shumë energji të posaçme pozitive e artistike dhe këtë moment dhe ndjenjë të papërshkruar nuk do ta harrojmë”.
Sigurisht, jeta kujdeset që si për çdo kënd tjetër të shtojë një dozë sfidash edhe në jetën e më të talentuarve dhe më të suksesshmëve të kohës.
Dalja në skenë me një gjendje jo të mirë shëndetësore, në koncertin solitik të vitit 1997 “Õsterriesche Rundfunk Philharmonie -Vjenë”; rrëzimi një ditë para koncertit kamertal në Kosova KamerFest 2000, ku iu thyen dy dhëmbë dhe iu deformua nofulla; pauza tre dhe nëntë muajshe para koncertit të Diplomës në ish BRSS si shkak i ftohjes së muskujve të duarve, si dhe koncertimet e shumta ku ka qenë pothuajse pa gjumë 48 orë për shkak të pagjumësisë konstante të djalit të saj me autizëm, janë momente të vështira të karrierës së saj, para të cilave asnjëherë nuk është dorëzuar.
Violinistja thotë se gjatë sfidave të shumta njeriu ndonjëherë mund edhe të dëshpërohet dhe të vërë në pikëpyetje nëse ka bërë zgjedhjen e duhur për profesionin e tij. “Çdo artist i ka përjetuar “dyshimet” por patjetër i hulumtojmë rrugët më të drejta të jetës për të vazhduar më tutje në këtë rrugëtim jetësor artistik.
“Non stop më kumbojnë fjalët e profesoreshës sime E.Çugajeva e cila në raste të vështira më këshillonte “Tani Sihana e dashur, është tepër vonë të mos merresh me këtë profesion, nuk ka kthim prapa sepse ke hyrë në “valle” dhe duhet të vazhdosh më tutje”, ka thënë Badivuku duke shtuar se dashuria pafund për muzikën i ka dhënë fuqi ti tejkaloj “baticat dhe zbaticat e jetës”.
Bashkëpunimet më kolegë janë një aspekt tjetër jetësor që i japin kuptim jetës së saj, në mesin e të cilëve janë: Teuta Pllana, Lejla Pula, Bertrand Giraud,Vaida Kirvelyte, Yesim Gökalp, Desar Sulejmani, Klevis Gjergji, Dhurata Lazo, Shkëlzen Baftiari, Daniela Dikova, Kristina Laço, Zana Badivuku-Basha, Ermir Krantja, Frank S.Dodge, Aristidh Prosi, Antonio Gashi, Blerim Grubi, Fraim Gashi, Mihi Kim dhe Venera M.Kajtazi.
“Ndikim shumë të thellë në zhvillimin tim si violiniste padyshim ka pasur bashkëpunimi profesional 20-të vjeçar me pianistin amerikan, Derek Han dhe pianisten Maja Kastratoviç me të cilën do ta shënojmë 30-të vjetorin e bashkëpunimit gjatë vitit 2025”.
Përvojën e saj me institucionin të lartë të muzikës në vend, Filharmoninë e Kosovës, në të cilin për vite me radhë ka qenë koncert mjeshtër, e cilëson si përvojë të mrekullueshme. Si momente të veçanta të cilat i kanë sjellë ndjenja të thella lumturie kanë qenë interpretimet në koncertet e tre viteve të fundit.
“Mund të veçoj koncertet e tre viteve të fundit me Filharmoninë e Kosovës në Prishtinë e Bankok, me Korin e Filharmonisë së Kosovës me Veprën “Fantasia Concertante” për violinë dhe kor të kompozitorit Rafet Rudi në Prishtinë, Tiranë dhe Romë”, ka thënë Badivuku duke shtuar se edhe interpretimet përkrah studentëve të saj e lumturojnë pafund.
Profesoresha Badivuku me mburrje flet për studentët e saj të cilët vazhdojnë ta bëjnë krenare me paraqitjet e tyre brenda dhe jashtë vendit.
“Jam tejet krenare që këto 31 vite punë pedagogjike në UP ka dalë një “ushtri “e violinistëve, me ish nxënës e studentë të mi që tani janë pjesë e dy orkestrave të institucioneve bazë të Kosovës, Filharmonisë së Kosovës & Operës së Kosovës, por edhe përtej 50 profesorëve në shkollat e muzikës kosovare si pedagoge, ku me mburrje e them që janë produkt i imi i shkollës violinistike kosovare”, ka thënë profesoresha e cila është themeluese e Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës-Kosova KamerFest dhe Konkursit Ndërkombëtar të muzikës klasike-ArsKosova.
Sihana Badivuku në fund të kësaj interviste jep edhe një mesazh të veçantë në prag të Festës së Vitit të Ri 2025, drejtuar brezave të rinj që ëndërrojnë të ndjekin rrugën e saj:
“Ndiqeni intuitën dhe atë çka ju udhëzon zemra juaj dhe reflektoni dashurinë ndaj profesionit (muzikës, artit dhe jo vetëm),hulumtoni dhe fitoni eksperienca jashtë Kosovës me këtë profesion, por më pas kthehuni dhe kontribuoni në Shtetin tuaj Kosovën”, ka thënë Badivuku./ KultPlus.com