31 Dhjetor, 2022 - 9:00 pm
Jeta Zymberi
Përqafoi skena të mëdha evropiane me artin e saj, duke dal nga vendi i fundit në Evropë që themeloi institucionin e Operës.
Përderisa “La Traviata” ishte historia që shënoi lindjen e institucionit të Operës në Kosovës, sopranon e njohur Besa Llugiqi e solli para publikut të saj me një rol që tashmë ajo e kishte mbizotëruar në skena të ndryshme evropiane, shkruan KultPlus.
Ditët e sotme ka një numër të konsiderueshëm artistësh që mbajnë gjallë botën magjike të operës, botë që e ka përfshirë edhe Besa Llugiqin.
Llugiqi, është sopranoja kosovare e cila qysh në fëmijëri e rritur nën tingujt e zërit të së ëmës, muzika ju bë frymëmarrje e lodrat me fëmijët e lagjes i neglizhonte duke i zëvendësuar me improvizimin e koncerteve në shtëpi, qoftë edhe e vetme.
Pasi ka kënduar për vite të tëra në shtëpi, erdhi koha të provojë edhe skenën.
Zëri i saj tani ishte më i pjekur dhe me peshë, gjë që i ka lejuar që qysh në fillet e saj të arrijë sukses të jashtëzakonshëm. Ndonëse edhe aftësitë e saj në aktrim fillimisht ishin disi të kufizuara, ato me kalimin e kohës kanë marrë thellësi dhe qëndrueshmëri.
Llugiqi, sot këndon me tone të argjendta dhe lëviz me hijeshi si një kërcimtare, ajo vjen krejt e natyrshme në skenë duke e rrëmbyer publikun krejt padashje.
Figura e saj e hollë dhe energjia e gjallë janë rezultat i ushqimit të shëndetshëm, aktivitetit fizik, disiplinës së gjimnastikës vokale, por mbi të gjitha e aftësisë së saj të jashtëzakonshme për t’u fokusuar në qëllimet e saj duke ndërtuar një kështjellë të forcës së brendshme.
Besa Llugiqi sot personifikon sopranon ideale: fuqi e madhe vokale, finesë në paraqitje dhe lëvizje vezulluese. Një artiste e paraqitur në skena dhe salla kocertesh të shumta nëpër Evropë, ajo, vazhdon të rritet.
E lindur në Prishtinë, më 1986, Llugiqi është fituesja e Çmimit të Madh të vitit 2013 në Konkursin Ndërkombëtar “Elena Nikolai” në Bullgari. Legato, debutimi i saj operistik në Teatrin Shtetëror të Operës së Tiranës si Liù në “Turandot” në 2011 çoi në angazhime në teatro të shumta operistike dhe festivale ndërkombëtare. Që atëherë, ajo ka bashkëpunuar me muzikantë të nivelit të lartë.
Besa në skenë ka interpretuar rolet e Donna Elvirës në “Don Giovanni”, Lauretta në “Gianni Schicchi”, Mimi në “La Boheme”, Lucia në “Lucia di Lammermoor”, Violetta në “La Traviata” dhe Liù në ” Turandot”. Ajo ka qenë gjithashtu e ftuar për të kënduar “Messe in A” nga Cesar Franck në Austri dhe Itali, si dhe si soliste në “Requiem” të Gabriel Faure në Shqipëri, si dhe “Requiem” të Mozartit në Bullgari. Në vitin 2018 ajo bëri debutimin e saj me Operën Baltike në Gdansk si Thais. Në vitin 2019 ajo debutoi rolin e Ines në L’Africaine të Meyerbeer, duke punuar në rolin e saj me regjisoren Vera Nemirova.
Besa Llugiqi së fundmi u bë sopranoja që mori edhe rolin më të kërkuar të letërsisë operistike, në një nga operat më të mëdha në botë “Faust” e Gounodit, ku debutoi në rolin e Margeritue.
Por gjithë ky rrugëtim e sukses, marrin krejt tjetër kuptim kur asaj i jepet rasti të interpretoj para publikut të saj, para njerëzve me të cilët është rritur e formuar, para artistëve që ajo i vlerëson aq shumë.
Në një intervistë ekskluzive për KultPlus, sopranoja Besa Llugiqi shpalos për lexuesit gjithë kthesat e saj jetësore, momentet dhe njerëzit që ju bën pikë referimi për të ndjekur rrugën e ëndrrave. Por, ajo flet edhe për muzikën, artistin e preferuar dhe teatrin ku ëndërron të interpretojë një ditë, rolin jetësor të cilin e pret t’i afrohet dhe mbi të gjitha angazhimin e saj mes karrierës dhe familjes si mbështetësin e saj kryesor.
KultPlus: Historikisht, me “La Traviata” lindi institucioni i Operës së Kosovës dhe ju bartët personazhin kryesor, atë të Violetës, na trego si e pritët ftesën dhe çfarë rëndësie ka për ju që keni interpretuar në veprën e parë që vuri themelet e këtij institucioni?
Besa Lluguqi: Roli i Violetës ka lënë gjurmë në zhvillimin tim artistik po asnjëherë se kam ndjerë më afër se para publikut tim. Jam e nderuar që kam bartur mbi supe rolin titullar në një ditë të jashtëzakonshme për artin operistik në Kosovë. Akoma njerëzit më urojnë rrugës dhe mua më është dashur kohë që të shkëputem nga gjithë ai emocion.
Një ditë historike për Kosovën por edhe për të gjithë ata që kontribuuan.
KultPlus: Në “La Traviata” në Prishtinë ju ndatë skenën edhe me baritonin Gëzim Myshketa, a është ky bashkëpunimi i parë me një artist shqiptar në një shfaqje operistike, nëse po na shpalos këtë përvojë?
Besa Llugiqi: Me Gëzimin kam pasur fatin të bashkëpunoj edhe në operën “Gianni Schicchi” në Tiranë, një eksperiencë e jashtëzakonshme, Gëzimi përveç se ka kënduar në rolin kryesor, në këtë rast babai i Lauretës, që unë debutoja në atë kohë, ai ishte edhe regjisor i shfaqjes dhe ka bërë një punë të mrekullueshme, sigurisht është një kënaqësi bashkëpunimi me një artist të kompletuar dhe një njeri të mirë siç është Gëzimi.
KultPlus: Me operën “La Traviata” jeni paraqitur edhe më herët në teatro të tjera evropiane, a mund të përshkruash ndjesinë e të qenurit para publikut evropian dhe atij kosovar?
Besa Llugiqi: “La Traviata” është opera që unë e shijoj pa masë si rol dhe interpretim, kam pasur fatin të interpretoj dhjetëra herë dhe është mirëpritur shumë sa herë që e kam interpretuar, por nuk përshkruhen ovacionet e të dyja netëve, njerëzit të përlotur, përqafime e urime që vinin shumë të sinqerta nga publiku e njerëz të artit, e për një numër të konsiderueshëm ka qenë hera e parë në një shfaqje operistike. Më kanë bërë shumë të lumtur, jam plot kurajo, një punë e investim i imi që u shpërblye në mënyrën më të bukur që mund ta imagjinoja.
KultPlus: Keni shkelur në skena mjaft prestigjioze, përderisa në Kosovë keni interpretuar në salla të improvizuara pasi Kosova vazhdon të mos e ketë Teatrin e Operas dhe Baletit, sa ju penalizoi ky fakt gjatë procesit në punë dhe cilat ishin sfidat me të cilat u desh të përballeni?
Besa Llugiqi: Është një urgjencë ndërtimi i një shtëpie operistike, një lehtësim për gjithë komunitetin artistik, një mundësi e mirë për qytetarin që të trajtohet denjësisht në çfarëdo qoftë ajo paraqitje artistike, operë, koncert apo balet. Duhet të ndihemi të civilizuar, mjaftë më me improvizime të skenës e sallës.
KultPlus: I lëm pak anash emocionet e “La Traviata” e i rikthehemi fëmijërisë, na trego pak si nisi lidhja jote me muzikën?
Besa Llugiqi: Si e vogël kam kënduar, kjo sipas nënës sime e cila ka mbjellë një dashuri të madhe për këngën, zëri i saj i bukur më ka përcjellur gjithmonë, këngët që na ka mësuar, pastaj dëshira ime për këngën ka qenë prezente në çdo moment. Unë nuk ju kam bashkangjitur lojërave me fëmijët e lagjes, loja ime ishin koncertet që i zhvilloja në shtëpi, qoftë edhe e vetme.
KultPlus: Çfarë të tërhoqi pas operës, kur ishte ai takimi juaj i parë që ndoshta të dha idenë se një ditë mund të bëhesh soprano?
Besa Llugiqi: Gjithçka lindi në shkollën e mesme të muzikës. Prof. Ahmet Dërguti, një njeri i urtë, profesionist dhe i njerëzishëm, përveç dëshirës për të kultivuar zërin, ai ka kontribuuar shumë duke dhënë shembullin e një njeriu të kulturuar, një mentori të denjë të cilin e madhëronte zemërgjerësia dhe njërzillëku që e karakterizon.
KultPlus: Cili ka qenë momenti më i vështirë në karrierën tënde, dua të them, i vështirë por edhe një kthesë, që solli një ndryshim të madh tek ju?
Besa Llugiqi: Momenti kur papritmas humb personin që të kishte dhënë shumë artistikisht, mentorja ime Christina Anghelakova, ka qenë një humbje e madhe po në të njëjtën kohë një shtysë dhe arsye që të mos dorëzohem asnjëherë. Christinen edhe sot e kam pikë referimi në çfarëdo situate që unë përballem, dhe akoma është prezente ne çdo interpretim që unë bëj sepse kam punuar shumë role me të edhe ato që ende nuk i kam debutuar e që janë në plan t’i interpretoj.
KultPlus: Jeni angazhuar në teatro të shumta operistike dhe festivale ndërkombëtare dhe keni bart mbi supe role të shumta, cili rol nga repertori juaj i gjerë është më i paharrueshëm dhe më kuptimplotë për ju?
Besa Llugiqi: Rolet që kam interpretuar secili në mënyra të ndryshme më ka rritur artistikisht dhe jam shumë e lumtur për gjithë atë repertor që kam interpretuar dhe zgjedhur me kujdes, mendoj që Lucia di Lammermoor është roli që më ka tjetërsuar, më sfiduesi, por rol që pas tij gjithçka për mua ka qenë më e lehtë. Një muzikë e mrekullueshme, një shkollë në vete.
KultPlus: Zëri juaj po rrugëton suksesshëm në vende të ndryshme, por në cilin teatër botëror ëndërroni të interpretoni një ditë?
Besa Llugiqi: Ka shumë teatro që do të doja të shkelja e të dëgjohej zëri im, por do e veçoja “Metropolitan”, kishte me qenë ëndrra ime.
KultPlus: Nëse ju jepet mundësia të përzgjidhni një artist botëror për të ndarë skenën bashkë, cili do të ishte ai emër?
Besa Llugiqi: Jessey Norman, por për fat të keq nuk jeton më, por gjithsesi është pikë referimi për mua, çdo ditë e dëgjoj, është një mrekulli!
KultPlus: Cila është gjëja më e këndshme në profesionin e këngëtares operistike dhe e kundërta?
Besa Llugiqi: Ka shumë gjëra që më bëjnë ta dua këtë profesion, muzika fillimisht, përmbajtja e rolit që interpretoj, njohja e shumë artistëve, atmosfera dhe energjia që japin, sfidohesh konstant dhe kjo më bënë të lumtur, e mban trurin e freskët me gjithë atë muzikë që duhet ta memorizosh. Ka shume benefite, ndërsa e kundërta është regjimi që duhet përpara dhe pas shfaqjes, kujdes në ushqim, ushtrime çdo ditë, investim konstant, adrenalinë e stres, udhëtimet për periudha të gjata e shumë sakrifica të tjera që i has rrugës.
KultPlus: Çfarë do të thotë muzika për ju?
Besa Llugiqi: Muzika për mua është uni im, ushqim i shpirtit, tundim i shpirtit njëkohësisht!
KultPlus: I kthehemi përditshmërisë suaj, çfarë lloj muzike dëgjoni ndërkohë që jeni e çliruar nga obligimet profesionale?
Besa Llugiqi: Më pëlqen shumë të ushtroj në piano, zakonisht një kohë të ditës e kaloj me pjesë pianistike dhe kjo për mua është relaksim.
KultPlus: Ëndrra juaj më e madhe si artiste, ende e pa realizuar?
Besa Llugiqi: Ëndrra ime është të interpretoj Tosca, rolin tim të preferuar, por kjo në kohën kur unë e ndjej që Tosca ime është gati. Kërkon kohë dhe pjekuri.
KultPlus: Si pushoni pas një produksioni të ngarkuar apo pas një sezoni të tërë rraskapitës artistik?
Besa Llugiqi: Me familjen, me vajzën dhe bashkëshortin. Për mua koha me Lune është e shenjtë dhe çlodhëse, ajo e udhëheq ditën time kur nuk jam me angazhime.
KultPlus: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Besa Llugiqi: Shumë koncerte recitale, shfaqje operistike si ‘Faust’, ‘La Boheme’, ‘La Traviata’, si dhe debutimi në rolin e Tatianas në operën “Eugen Onegin” të Tchaikovsky.
KultPlus: Krejt për fund, çfarë këshillash do t’u jepnit këngëtarëve fillestarë, çfarë duhet t’i kushtojnë vëmendje dhe ku duhet të kenë kujdes më shumë?
Besa Llugiqi: Mendoj që duhet të kthehen kah vetja e tyre që investimet të bëhen në zhvillimin e tyre artistik, në njohuri rreth të kënduarit, teknikës dhe interpretimit dhe të sfidohen sa më shumë me role, koncerte e interpretime të ndryshme, pa bërë kompromis më artin dhe punën e tyre. / KultPlus.com