1.3 milionë vizitorë në sitet e trashëgimisë kulturore dhe 2300 evente kulturore në 2024-ën

3 Janar, 2025 - 12:30 pm

Viti 2024 shënoi një rekord vizitorësh në sitet e trashëgimisë kulturore duke arritur në 1,3 milionë vizitorë, ose 30% më shumë se në vitin 2023.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një historik të ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të vitit 2024, ku u regjistruan mbi 2300 evente kulturore, ose mbi 25% më shumë se në vitin 2023.

Një format i rëndësishëm janë në këtë drejtim edhe Javët Kulturore Ndërkombëtare, ku gjatë vitit 2024 kishte 21 shtete pjesëmarrëse. Në kuadër të tyre u organizuan 250 aktivitete me pjesëmarrjen e 360 artistëve.

Shqipëria u përfaqësua po ashtu në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia me “Love as a glass of Water”, ku pavijoni shqiptar u përfaqësua nga artistja Iva Lulashi.

Po ashtu gjatë vitit që lamë pas u finalizuan një sërë investimesh të rëndësishme.

Falë mbështetjes së EU4Culture u rihapën Teatri i restauruar i Kukullave, Muzeu Etnografik i Krujës dhe Muzeu Etnografik i Kavajës.

Po ashtu vijuan punimet për infrastrukturën kulturore në Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura dhe Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.

Në kuadër të rijetësimit të trashëgimisë kulturore u realizua po ashtu projekti Art në Hapësirat Publike, në kuadër të të cilit u realizuan disa vepra si: “Terminal for Tirana”, kuruar nga Tirana Art Lab, artiste Karolina Halatek; “Çelësi Shqiptar”, realizuar nga Alfred Mirash Milot; “Foleza”, realizuar nga Vasil Dhiamandi dhe Krisiko Studio.

Një sërë aktivitetesh u organizuan po ashtu edhe për festimin e 80-vjetorit të Çlirimit të Atdheut.

Viti 2024 u përmbyll me një tjetër lajm të mirë, regjistrimin e K’cimit të Tropojës në UNESCO, si pjesë e listës përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit./ KultPlus.com

Të ngjajshme