21 Janar, 2024 - 3:53 pm
Pas përfundimit të procedurave gjyqësore, 10 nga 18 ikonat e denoncuara të vjedhura në vitin 2008 nga Kisha e Labovës së Kryqit në Gjirokastër, do të kthehen në shtëpi.
Lajmi u bë i ditur nga Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, i cili theksoi se “ikonat janë sekuestruar nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit policor “Cultural Heritage” në vitin 2022 dhe sot janë në ruajtje në ambientet e krijuara nga institucioni ynë”.
Në nëntor të vitit 2022 Ministria e Kulturës, Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Brendshme, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit “Për ruajtjen e përkohshme të objekteve të sekuestruara pjesë e trashëgimisë kulturore”, për të siguruar jo thjesht ambientet e përshtatshme për ruajtjen e tyre, por edhe për një trajtim të specializuar nga punonjësit e fushës.
IKRTK tha se “ky është shembulli më i mirë i bashkëpunimit të suksesshëm ndërinstitucional, në luftën e pakompromis kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, të cilën institucioni ynë e ka kthyer në një mision”./atshh/KultPlus.com