2 Mars, 2025 - 4:00 pm
Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke tërhequr çdo vit një numër në rritje të turistëve, ku pjesa më e madhe janë të huaj.
Edhe pse jemi në stinën e dimrit, rrugët e kalldrëmta, kalaja, monumentet e tjera të kulturës dhe rrethinat e qytetit, janë të mbushura me vizitorë.
Kryetari bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi tha për ATSH-në se “qyteti i Gjirokastrës dhe rrethinat kanë mirëpritur vizitorë gjatë stinës së dimrit ndërsa janë regjistruar 10 mijë turistë. Tashmë në Gjirokastër kemi një zhvillim të turizmit të qëndrueshëm dhe vizitueshmëria shtrihet përgjatë gjithë vitit”.
“Ndërkohë që muzetë e qytetit si ai Etnografik, “Kadare”, “Tuneli” dhe muzeu në “Kala” u vizituan nga 10 mijë vizitorë gjatë muajve janar dhe shkurt”, tha Golemi.
Golemi u shpreh se “fluksi gjithnjë e në rritje i vizitorëve në qytetin e mbrojtur nga UNESCO, po angazhon edhe më shumë strukturat lokale për të pasuruar akoma më shumë guidën turistike, duke e bërë Gjirokastrën një nga pikat kryesore të turizmit në vend”.
Gjithashtu, tha Golemi, zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm po ndikon pozitivisht në ekonominë lokale jo vetëm në bizneset me profil turistik, por në tërësi në aktivitetin ekonomik të rajonit jugor.
Bashkia e Gjirokastrës përveç një numri të madh aktivitetesh po përgatitet për sezonin veror.
“Po përgatisim fletëpalosje për të informuar vizitorët që vijnë në qytet, në të cilat pasqyrohen hartat, pikat turistike, të cilat duhet të vizitojnë, për të lehtësuar lëvizjen e tyre nëpër qytet”, tha Golemi.
Ndër destinacionet më të preferuara për vizitorët në Gjirokastër janë pazari karakteristik, banesat e ndryshme karakteristike dhe muzetë e qytetit, të cilët vazhdojnë të ngelen më të veçantët për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja.
Përgjatë vitit 2024, Gjirokastra u vizitua nga mbi 700 mijë turistë vendas dhe të huaj, duke u cilësuar si një vlerë e spikatur në hartën kombëtare dhe ndërkombëtare të turizmit të qëndrueshëm dhe cilësor. / KultPlus.com