10 vendet që duhet vizituar këtë verë në Kosovë

31 Korrik, 2023 - 4:00 pm

Vera ka nisur dhe bashkë me të edhe pushimet verore, veçmas për mërgatën, ku përveç shkuarjes në gjirin familjar, shprehet edhe dëshira dhe kureshtja se çfarë të vizitojnë në vendlindje.

Revista Albinfo.at kësaj radhe ka përgatitur një mini-guidë të dhjetë vendeve -monumente që nuk duhet t’i humbisni në këtë verë pa i vizituar.

Ciceronja Naile Çekaj nga ”GuideTuristike” (Guide-Ks) ka shpalosur disa vende turistike për lexuesit e revistës Albinfo.at. Ajo shprehet se mërgimtarët në veçanti, e po ashtu edhe turistët e huaj nuk duhet t’i humbasin këto vende pa i vizituar këtë verë.

“Kosova si vendbanim njihet qysh në kohën antike, duke u bazuar në gjetjet arkeologjike në shumë qytete të saj që datojnë që nga parahistoria. Pyetja që marrim shpesh nga tjerët është: “Çka ka me pa në Kosovë”? E pyetja që ju shtrohet juve sot është: sa e njihni Kosovën tuaj? A e dini që Kosova ka gati 60% territor malor? Që mesatarja e tyre arrin mbi 2000 m. Ndoshta keni dëgjuar për ujërat, liqenet e ujëvarat? Po mbetjet ose vendbanimet arkeologjike të hershme parahistorike?  Shpellat dhe objektet e kultit mbi 700-vjeçare? Objektet ku flasin për historinë tonë të lavdishme ndër shekuj? Po qytetet e zhurmshme, ku gumëzhijnë të rinjtë, ku bashkë me një kafe, të shoqëron gjithmonë muhabeti i një miku, ku vendi ynë është vendi me i ri në Evropë me mbi 70% të popullsisë? Ky vend i vogël me një histori të madhe…a nuk ia vlen të vizitohet!? Unë them po, prandaj po ju japim vetëm disa prej shumë atraksioneve turistike që Kosova posedon”, thekson ajo.

Këto janë pyetjet që ciceronia Çekaj fillimisht i ngriti për të zgjuar kurreshtjen e secilit prej lexuesve, për të vazhduar tutje prezantimin e disa prej vendeve më të bukura që zotëron Kosova.

Gryka e Rugovës

Naile Çekaj si destinacion kryesor të parën e listoi Grykën e Rugovës, që sipas saj, ky vend është një mrekulli në vete.

“Gryka e Rugovës pa dyshim është ndër pjesët më të bukura që ka Kosova, ku edhe mund t’i quajmë edhe “si mushkëritë” e vendi tonë. E vendosur veç disa kilometra nga qyteti i Pejës, ky pejzash i bukur që është pjesë e Bjeshkëve me Nam (jo të Nemuna, por që kanë emër për bukuritë e rralla të saj) mbetet si atraksioni kryesor i turistëve vendorë dhe të huaj gjatë gjithë vitit, pasi që gjatë verës shumica i ikin vapës për t’u freskuar në ujërat e Rugovës, e gjatë dimrit duke shijuar borën në qendrën e vogël të skijimit në fshatin Bogë”.

Çekaj tregon se bimësia, shkëmbinjtë, uji dhe pyjet ofrojnë pamje magjepse që mbesin gjatë në mendjen e vizitorëve. Përveç tjerash, në këtë zonë ajo tregon se ky vend është perfekt për ecje, ngjitje, ku mund të shijohen edhe ushqime tradicionale.

Drini i Bardhë

Hiç më pak se Gryka e Rugovës, Nailja tregon se edhe Drini i Bardhë është një nga atraksionet më të bukura që ka Kosova. Ky atraksion gjendet në Radac të Pejës, është ujëvara më e gjatë në Kosovë, e lumi përshkon diku rreth 111 km nëpër territorin e Kosovës dhe bashkohet me Drinin e Zi në Shqipëri.

“Gjatë muajit maj, ujëvara ka prurjen më të madhe të ujit që zbret nga malet e Rusolisë dhe krijon ujëvarën rreth 30 metra, ku ke mundësi ta shohësh e ta soditësh nga afër, nganjëherë bardhësia e madhe e saj u merr sytë turistëve, prandaj edhe e ka emri Drin, nga ndriçimi i ujit, siç thoshin dikur: ‘uji po n’drin (po ndriçon)”, tregon ajo.

Çekaj tregon se freskia e Drinit të Bardhë duket sikur ta mbushë zemrën me gurgullimat e ujit që sapo të afrohesh, të spërkatë me ujë si një shenjë mirëseardhjeje dhe mikpritëse në vendin tënd.

Kalaja e Prizrenit

Tutje, Naile Çekaj për lexuesit e Albinfo.at sugjeron se mërgimtarët tanë mund të vizitojnë edhe Kalanë e Prizrenit, sepse përmban shumë vlera.

“Fillimisht Prizreni si qytet muze ka shumë objekte të trashëgimisë kulturore, ku gërshetohet historia në periudha të ndryshme, ku pavarësisht kohës dhe luftërave, muret qëndruan po aty, duke ruajtur vlera të civilizimeve të ndryshme”, tregon ajo.

Duke qenë se Kalaja e Prizrenit është objekti me i vjetër i qytetit, Çekaj tregon se muret e saj datojnë nga shekulli V, ku rrethoja e mureve që duket sikur ka edhe formën e një zemre njeriu. Kalaja edhe sot akoma qëndron po aty lart në kodër, duke i dhënë jetë qytetit, e duke i bërë njerëzit të bien në dashuri me Prizrenin që në shikim të parë.

“Sapo të zbritni nga kalaja, mund të vizitoni edhe Muzeun e Lidhjes së Prizrenit, Xhaminë e Sinan Pashës, Shatërvanin, Urën e Gurit, Kishën Katolike dhe objekte të tjera përreth”, tregon ajo.

Shpella e Gadimës

Kosova ka edhe pasuri nëntokësore, e disa nga ato mund t’i përjetoni duke vizituar edhe Shpellën e Gadimës, e vetmja shpellë e mermerit në Kosovë.

“Besohet që 13% e territorit të Kosovës është e përbërë nga shpellat, që shumica e tyre mbeten akoma të pazbuluara. Por, shpella e Gadimës jep një pasqyrë të asaj se çfarë fshihet nën tokën tonë, kristale, liqene dhe gurë nga forma dhe ngjyra të ndryshme që vetë natyra i gdhendi ndër shekuj”, tregon Nailja.

Sipas saj, besohet se Shpella Gadimës u zbulua në vitin 1969 nga një fshatar, përderisa po bënte disa punime. Shpella e mermerit ka disa galeri kristalesh të mermerta që shpesh duken edhe sikur akullnaja dhe që njerëzit i kanë emëruar me emra të ndryshëm në bazë të dukjes së tyre.

Qyteti antik i Ulpianës

Pak kilometra nga Prishtina gjendet Ulpiana, aty ku edhe filloi historia e hershme e një qyteti të hershëm Ilir, e që u mbulua nga pluhuri i harresës për dekada, por tani Ulpiana është një atraksion arkeologjik e turistik që në vete gërsheton aq shumë në pak metra katrorë, tregon Çekaj për Albinfo.at.

“Aty mund të shohësh bazilika dhe pagzimore të hershme, aq të hershme sa nganjëherë duken jo reale, por prapë janë të prekshme edhe sot. Shekulli II merret koha kur u themelua si qytet antik dhe është atraksioni me i madh arkeologjik në Kosovë, ku edhe sot e kësaj dite bëhen gërmime për të nxjerrë në pah pamjen e plotë të kësaj mrekullie antike”, shprehet ajo.

Sipas Nailes, eksponatet që janë gjetur aty janë të prezantuara në ekspozitën e përhershme të Muzeut të Kosovës në Prishtinë, e për ta bërë më të plotë pamjen, duhet ta vizitoni edhe kryeqytetin si dhe pjesën e vjetër të Prishtinës, ku takohen antikja dhe modernia përmes objekteve të veçanta të periudhës otomane, komuniste dhe moderne, gjithmonë të mbushura me elemente kulturore shqiptare.

Këto janë vetëm disa vende që  zonja Naile Çekaj  nga Guida Turistike e Kosovës ka përzgjedhur për ju, por ka edhe shumë vende të tjera, si ura, muze, liqene, zona të mbrojtura, që do ta bënin edhe me të plotë udhëtimin tuaj, duke mbushur valixhen tuaj edhe me ca kujtime të bukura të Kosovës tonë të “vogël”, por që ka një zemër të madhe.

Nga ana tjetër, edhe Mentor Beqiri nga “Come and Visit Kosovo”, ka shpalosur një mini-guidë të pesë vendeve – monumente që nuk duhet t’i humbisni në këtë verë pa i vizituar.

“Pa dyshim se Kosova gëzon shumë vende turistike që janë mjaft tërheqëse për zhvillimin e turizmit. Destinacionet e saj turistike kanë potenciale të mrekullueshme natyrore dhe kulturore. Me motivet që ka, ofron mundësi të mira për turizëm, pasi që pozita e saj e mirë bën që të jetë tërheqëse, me shumë vende interesante të ndërtuara nga vetë natyra dhe ato nga dora e njeriut”, tregon ai.

Sipas tij, Kosova është e pasur me komplekse të bukura malore, atraktive dhe me natyrën e saj magjepse për syrin e njeriut. Ai shprehet se Kosova paraqet një thesar të pasur të trashëgimisë kulturore, materiale e shpirtërore të periudhave të ndryshme historike.

“Arkitektura e kullave tradicionale, manastireve, kishave, xhamive, më pas dizajni i odave dhe artizanatëve të shumta bëjnë që veçoritë dhe karakteristikat e tyre të dallohen për nga shumëllojshmëria e cilësive, vlerave dhe rëndësisë së tyre, që për çdo bashkatdhetar do të ishin një rifreskim dhe zhytje në historitë e rrënjëve të tyre”, tha ai.

Shpella e Kusarit

Në vitet e fundit, në qytetin e bukur të Gjakovës po promovohet për vizita Shpella e Kusarit, tregon Mentori nga “Come and Visit Kosovo”. Ajo gjendet vetëm 1 km larg fshatit Kusar.

“Thënë më mirë, në brendësi të këtij fshati, me pamje thuajse pyjore, në rrëzë maleve të Pashtrikut, kjo shpellë ka një oborr karakteristik shkëmbor e të shkallëzuar, që mundëson ecjen e vizitorëve që duan të hulumtojnë brendësitë e kësaj shpelle”, shprehet Beqiri.

Shpella e Kusarit karakterizohet me një terren shkëmbor dhe të gjelbëruar, tek e cila vizitorët mund të ecin deri në brendësi të saj dhe të shijojnë pamjet magjepse gjelbërore që kjo shpellë ofron për vizitorët e shumtë.

Ujëvara e Mirushës

“Jo fort larg Gjakovës, në fshatin Rudë të Malishevës, gjendet Ujëvarat e Mirushës, ndryshe e njohur edhe si Park Regjional i Natyrës, një ndër destinacionet më të bukura që ka Kosova. Kjo zonë karakterizohet me një numër të madh të liqeneve me forma dhe madhësi të ndryshme duke përfshirë 16 liqene dhe 12 ujëvara”, tregon Beqiri.

Me pamjen që e ofron ky vend, të mrekullon me rrjedhjen e ujit pranë natyrës dhe cicërimave të zogjve.

Kalaja e Artanës

Vizita e Kalajës së Artanës është ideja më e mire, sipas Mentorit, që ia propozon çdo turisti.

“Kalaja e Artanës gjendet jo larg qendrës së Kamenicës, me të arritur ju nga distanca mund të shihni fortesën e madhe mesjetare, pjesët e mbetura të së cilës mund të vizitohen edhe sot. Sa më afër që i ofroheni, në murin e jashtëm të kalasë shihet një kryq i madh, i ndërtuar në gurë”, tregon ai.

Kalaja mendohet se daton qysh nga Perandoria Bizantine. Ndërtimi i takon tipit fortifikatë. Kalaja përbëhet nga dy pjesë të ashtuquajtura kalaja e sipërme dhe kalaja e poshtme.

“Po në këtë qytet është edhe Kulla “Kadri Zeka”, një ndër kullat më të vizituara në Kamenicë, e cila ka njȅ arkitekturë të pasur, me vlera historike”.

Liqenati

Mentori tregon se me plot kuptimin e fjalës, Liqenati i Rugovës është parajsa e Bjeshkëve të Nemuna, si vendi ideal për ata që duan ta kombinojnë natyrën dhe notin në ditët e verës së nxehtë.

“Shpeshherë mërgimtarët tanë, nga mungesa e përvojës apo e informacioneve ngurrojnë ta vizitojnë këtë vend, mirëpo duhet treguar se Liqenati është një vend që gjithsecili që posedon veturë, kondicion dhe dashuri për natyrën, mund të shkojë dhe ta vizitojë. Ecja deri aty mund të jetë paksa e lodhshme, mirëpo me të arritur në liqen, ju do të harroni të gjitha dhe do të zhyteni thellë në pamjet përrallore që ofron ky vend”, shprehet ai.

Mbushni mushkëritë me ajrin e pastër të Prevallës

Prevalla është një fshat malor turistik, gjendet 25 kilometra afër Prizrenit.

“Tani që jemi në stinën e verës, Prevalla ka bjeshkë dhe male të bukura si dhe një lumë me shkëmbinj të mëdhenj, ku turistët kanë mundësi të shohin bukuri natyrore nga me të ndryshmet dhe jo vetëm. Ajrin e pastër, të cilin mund ta ndjeni në këtë zone, është e sigurt, pastaj shijimi i ushqimeve të natyrshme dhe mikpritjes, të gjitha këto bashkë të ofrohen në Prevallë”, tregon Beqiri.

Prevalla gjendet në kuadër të Parkut Kombëtar dhe është një ndër vendet më piktoreske që ka Kosova.

Sipas Beqirit, këto janë vetëm disa nga vendet që turistët mund t’i vizitojnë dhe të ndahen të kënaqur gjatë këtij sezoni veror në Kosovë.

“Pushime të këndshme!” / KultPlus.com

Të ngjajshme