10 vjet “Hardh Fest”, nesër nis Festa e Vjeljes së Rrushit

5 Shtator, 2024 - 9:53 pm

Me sloganin “Për kokërr t`qefit”, këtë vit shënohet edicioni jubilar i Festës së Vjeljes së Rrushit “Hardh Fest” në Rahovec.

Bëhet e ditur se kjo ngjarje kulturore ka sjellë turistë e emra të njohur nga skena muzikore, ndërsa qëllimi kryesor mbetet promovimi dhe përkrahja e prodhuesve vendor të rrushit.

“Këtë vit, festa fillon më 6 shtator dhe që do të zgjasë deri më 8 shtator, n`Konak të Rahovecit (te Shtëpia e Verës). Ndërsa ceremonia zyrtare e hapjes së festës nis me fillim nga ora 12:00 me adresimet zyrtare”, thuhet në kumtesën për media.

Tutje bëhet e ditur se edhe këtë vit “Hardh Fest” vjen me shumë risi, aktivitete e muzikë në çdo mbrëmje, por më e veçanta do të jetë pjesëmarrja dhe performanca e një prej grupeve më të njohura në botë, Gipsy Kings, që për herë të parë vijnë në Kosovë.

Një surprizë për publikun është edhe performanca e ish-udhëheqësit të grupit Guns N’ Roses, Bumblefoot.

Sakaq gjatë tri ditëve të festivalit, karakteristikë dhe pjesa më e bukur mbetet festa e vjeljes së rrushit./KultPlus.com

Të ngjajshme