22 Gusht, 2019 - 5:40 pm
Festa madhështore që ndezi qytetin, pesë netët e jashtëzakonshme të traditës korçare
Qyteti i Korçës u kthye në vendin më special këtë gusht në gjithë Shqipërinë. Gjatë pesë ditëve, nga data 14 deri në 18 gusht, Festa e Birrës Korça mblodhi në këtë qytet mbi 100 mijë pjesëmarrës. Numri i jashtëzakonshëm i pjesëmarrësve është nga gjithë qytetet e Shqipërisë, por edhe turistë nga vende të ndryshme, të cilët zgjodhën që ndalesën e tyre ta bënin në Festën e Birrës Korça. Gjatë pesë netëve fantastike me spektakël, art dhe muzikë pjesëmarrësit shijuan birrën simbol të qytetit të Korçës. Festa zhvillohet në Korçë, pasi historia e kësaj birre nis në këtë qytet, por sot mund të thuhet se Birra Korça është një markë kombëtare dhe një produkt që identifikon jo vetëm Korçën, por gjithë Shqipërinë.
91 vite më parë u ndërtua fabrika e birrës së parë shqiptare, birrës Korça dhe të respektuar këtë traditë prej shumë vitesh në këtë qytet organizohet festa e madhe. Në këtë mesgushti tradita e birrës Korça vijoi edhe më bukur se vitet e kaluara në festën e birrës. Simboli i qytetit “Birra Korça” shkëlqeu si asnjëherë tjetër. Pulsi i qytetit u shtua si kurrë më parë. Qindra mijëra njerëz qëndruan në Korçë për një javë të tëre dhe çdo natë u kthye në një festë të vërtetë. Muzika dhe shfaqet artistike i bënë mbrëmjet e zjarrta ndërsa pjesëmarrësit ndoqën çdo natë në 2 skenat gjigande artistet e tyre të preferuar. Mijëra pjesëmarrës që mbushën sheshin para stadiumit “Skënderbeu”, Pazarin e Vjetër por edhe polin tradicional të kësaj feste që është restoranti i njohur i “Birra Korça” kanë festuar duke treguar qytetari dhe duke treguar sesi bëhet qejf me një birrë në dorë. Shumë pjesëmarrës kishin rezervuar qëndrimin e tyre disa muaj më parë pasi e dinin se është vështirë të gjesh vende në Korçë gjatë ditëve të festës më të madhe të vitit.
Festa e Birrës Korça u rrit nga viti në vit duke mbledhur jo vetëm shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, por edhe turistët e huaj që vendosin ne axhendën e tyre Korçën pikërisht për të shijuar këtë festë!
Festa e birrës solli edhe surpriza të tjera. Gjatë natës së dytë të festës u prezantua pija më e re joalkoolike, që i ofrohet konsumatorit shqiptar, ekskluzivitetin e së cilës e ka Birra Korça. ‘Green Cola’ është pije freskuese për të gjitha grupmoshat, me përbërës që vijnë vetëm dhe ekskluzivisht nga natyra. Presidenti i Birrës Korça, Irfan Hysenbelliu e prezantoi këtë pije për të cilën tha se mund të cilësohet një nga pijet më të mira në treg, pasi nuk përmban sheqer industrial. Zoti Hysenbelliu ka besim se ‘Green Cola’, do të ketë një sukses të madh në treg ashtu si Birra Korça dhe se në të ardhmen ajo do të prodhohet në Korçë.
Qyteti juglindor priti qindra mijëra shqiptarë e të huaj që u argëtuan së bashku duke dhënë një shembull, sesi mund të festosh e të argëtohesh në një festë tipike birre. Pjesëmarrësit e festës presin me dëshirë të rikthehen në Korçë për këtë festë dhe thonë se kanë kaluar ditë të paharrueshme plot argëtim Bukuria e festës, shija e birrës Korça, rendi dhe siguria e bënë edicionin e 13 të festës së birrës të paharrueshëm dhe dëshmuan edhe njëherë se Korça e meriton denjësisht të krahasohet me shembujt më të mirë të organizimit të festave në vende të ndryshme të Europës.
Festa e birës u mbyll në mënyrë madhështore, me premtimin se vitin e ardhshëm aktiviteti do të jetë edhe më madhështor, në vijim të traditës së bukur të kësaj feste. /KultPlus.com