100 vjet nga pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve

17 Dhjetor, 2020 - 2:35 pm

Nga Mal Berisha

Lidhja e Kombeve, si një Organizatë Ndërkombëtare erdhi fill pas Konferencës së Paqes të Parisit në vitet 1919–1920. Qëllimi i kësaj Lidhjeje ishte çarmatimi dhe parandalimi i luftërave bazuar në një siguri të përbashkët. Grindjet midis vendeve të ndryshme do të zgjidheshin nëpërmjet bisedimeve, mjeteve diplomatike dhe përmirësimit të mirëqenies globale. Filozofia e Lidhjes ishte e ndryshme me atë çfarë njerëzimi kishte bërë ndër shekuj. Ajo nuk do të kishte ushtri, prandaj mbetej të mbështetej tek forca e armëve e Fuqive të Mëdha, në mënyrë që të detyronte zbatimin e rezolutave të saj, të impononte sanksione ekonomike në raste të caktuara ose të mobilizonte forca ushtarake po ta kërkonin interesat e përgjithshëm.

Në të vërtetë një përpjekje e pasuksesshme ishte bërë në vitet 1899 dhe 1907 për të themeluar një organizatë ndërkombëtare të quajtuar Konfederata e Shteteve të Hagës siç e kishte pagëzuar pacifisti neo-kantian Walther Schücking’. Kjo ide ishte frymëzuar nga Emanuel Kanti në një vepër të tij filozofike të njohur me emrin “Paqa e Përjetshme” – një skicë filozofike e vitit 1795. Ky projekt dështoi për t’i lënë vendin një përpjekjeje tjetër, të ndërmarrë nga Sekretari i Jashtëm Britanik, Eduard Grey në vitin 1915. Ideja e këtij të fundit u përkrah menjëherë nga Presidenti Amerikan Woodrow Wilson dhe këshilltari i tij. Koloneli Eduard M. House. Qëllimi ishte të parandalohej gjakderdhja që po ndodhte në Luftën e Madhe. Formimi i një Lidhjeje të tillë pati në themel të saj Katërmbëdhjetë Pikat për Paqen të formuluara nga Presidenti Amerikan, mbi Vetëvendosjen e Kombeve, nga të cilat pika e fundit thoshte se, duhej të formohej një Organizatë e Përgjithshme Ndërkombëtare bazuar në një marrëveshje të veçantë, me qëllim që të sigurojë garanci reciproke për pavarësinë politike dhe integritetin territorial të shteteve qofshin ato të mëdha apo të vogla. Kjo organizatë u mishërua në atë që njihet si Lidhja e Kombeve, anëtare e 42–të e së cilës u bë Shqipëria, falë mbështetjes së pakursyer të britanikëve.

Roli i Britanisë në anëtarësimin e Shqipërisë

Për të ardhur deri tek anëtarësia e vendit tonë në Lidhjen e Kombeve duhej të ishin patjetër në mbështetje Britania e Madhe dhe SHBA. Ndërsa Eduard Grey e kishte treguar interesin e tij për Shqipërinë në Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1913, në Londër, do të duhej Presidenti Amerikan Wilson që të siguronte ekzistencën e shtetit tonë në Konferencën e Paqes në Paris, 1919. Në këtë akt, rol të rëndësishëm kanë luajtur Vatranët e Amerikës nëpërmjet të delegatit të tyre në Konferencë, Reverend Charles Telford Erickson-i, pjesë e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Turhan Pasha. Kjo jo vetëm do të ruante kufijtë e 1913-ës, por do të hapte rrugën për anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhje. Për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombëve kanë ndikuar dy elementë shumë të fuqishëm:

·         Presidenti Wilson, i cili e mbrojti Shqipërinë në Paris, duke e shpëtuar nga copëtimi që i kishte rezervuar Traktati i Fshehtë i Londrës i vitit 1915;

·         Lobimi i fuqishëm i anglezit Aubrey Herbert, me delegacionin britanik të përbërë ose alternuar prej Lordit Robert Cecil, Lordi Balfour dhe historianit M. Fisher. 

Kështu veprimi i parë e ndihmoi të dytin. Shqipëria paraqiti kërkesën për anëtarësi në dhjetor të vitit 1920. Raportin e nënkomisionit për paraqitjen e kërkesës së Shqipërisë, e mbajti Lordi Robert Cecil, përfaqësues i Mbretërisë së Bashkuar, mik i afërt i Aubrey Herbert-it. Ai në argumentet e veta rreth Shqipërisë tha se, ndonëse kufijtë e Shqipërisë ende nuk janë përcaktuar përfundimisht, fakti që vendi ekziston prej disa vitesh brenda këtyre kufijve, e vërteton ekzistencën e tij si shtet. Ndonjë rregullim i mëtejshëm mund t’i lihej së ardhmes. Lordi Cecil tha se Shqipëria duhej pranuar pasi:

 “Ajo prej virtytit përbënte një komb me dëshirë të njëzëshëm të banorëve të vet.”

Ajo çfarë Lordi Robert Cecil kërkoi në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve nuk gjeti përkrahje për shkak të lakmive të fqinjëve dhe shteteve që i mbështesnin ata. Megjithatë, ai lëshoi një apel të fuqishëm për anëtarësimin e Shqipërisë, i cili pati një efekt të jashtëzakonshëm. Në fjalën e tij ai deklaroi:

“Njohja fillimisht e sjell shtetin e ri në familjen e kombeve e më pas, ai vazhdon të ekzistojë që mos të zhduket prej ndonjë pushtimi apo ndonjë marrëveshjeje të përgjithëshme të atyre që e lakmojnë atë; Qeveritë herë pas here ose i arrijnë qëllimet, ose dështojnë t’i arrijnë, por kur ekziston shteti si shtet, ai mbetet.” 

Falë kësaj këmbënguljeje të Lordit Robert Cecil në Komisionin e Pestë të Asamblesë u deklarua si më poshtë:

“Në tërësi ne jemi të mendimit se megjithëse Qeveria e Shqipërisë nuk është tërësisht në pozitën që i takon, prapëseprapë ajo është një qeveri e cila ka një shkallë të caktuar autoriteti në të gjitha pjesët e vendit dhe padyshim përfaqëson një ndjenjë shumë të fortë kombëtare, e cila shpërfill dallimet fetare. Duket gjithashtu se vendi është i banuar prej një race të pastër shqiptare që flet një gjuhë të përbashkët, atë shqipe.”

Argumentet e Lordit Cecil, si dhe puna e delegacionit shqiptar dhe veçanërisht paraqitja e çështjes shqiptare nga Fan Noli, bënë që Shqipëria të pranohej në Lidhjen e Kombeve më datën 17 dhjetor 1920. Ai në mënyre të veçantë theksoi faktin se:

“Kufijtë e Shqipërisë ishin po ata të caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve dhe ajo konferencë nuk ishte abroguar. Ai theksoi faktin se shqiptarët ishin në zotërim të tërë territoreve, përveç një zone në Korçën e liruar nga francezët dhe pushtuar nga grekët.

Në ndihmë të Shqipërisë nga delegacioni britank doli edhe Mr. H. A. L. Fisher, i cili mbështeti fort ruajtjen e integritetit të Shqipërisë dhe gjeti argumente shumë të forta ligjore ndërkombëtare, se përse Lidhja e Kombeve dhe Konferenca e Ambasadorëve, si dy trupa ndërkombëtarë nuk duhet të ndërthureshin në veprimtarinë e tyre në çështjet e kufijve të Shqipërisë, siç kërkonin fqinjët lakmitarë të vendit tonë. Ai deklaroi tekstualisht:

“Këshilli i Lidhjes së Kombeve e vlerëson si të pakëshillueshëm që të merret njëherësh me të njëjtën çështje”.

Ai shtoi se marrëveshja midis shteteve anëtare e përjashtonte ipso facto marrjen me çështjen e kufijve të Shqipërisë nga ana e Lidhjes së Kombeve. 

Më 4 korrik 1921, Kryeministri shqiptar Vrioni, paraqiti në Asamblenë e Lidhjes një apel ku i kërkonte Lidhjes të mos njihte asnjë shmangie nga kufijtë e caktuar prej Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913. Më datën 2 shtator 1921, u miratua një raport i përgatitur prej Lordit Balfour, ish Sekretar i Jashtëm i Britanisë dhe një ndër arkitektët e Lidhjes së Kombeve. Ai i doli zot Shqipërisë, duke e përmbledhur në tri fraza të përgjithshme tërë thelbin e kësaj çështjeje. Andaj ai udhëzoi:

·         Asamblesë t’i kërkohej nga Shqipëria që të vepronte për përcaktimin e kufijve, ndërsa Këshilli të ndalonte dhunimin e tyre;

·         Çështja e statusit të Shqipërisë të zgjidhej përfundimisht me pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve;

·         Trajtimi i pakicave rridhte jo nga Traktati i Paqes, por nga Rezoluta e Asamblesë së Lidhjes.

Këto ide të Lordit Balfour u pranuan dhe kjo pati një ndikim shumë të madh në mbarëvajtjen e punëve të mëpastajme të Shqipërisë.

Me 4 tetor, në komisionin e gjashtë të Lidhjes, u paraqit një rezolutë nga prej Lordit nga Afrika e Jugut, Robert Cecil për kufijtë, e cila pas shumë debatesh, pas kuintave, kaloi e plotë duke i bërë një shërbim tjetër të madh çështjes shqiptare. Një kombinim i britanikëve Balfour – Fisher – Cecil nën ndikimin e kolonelit Aubrey Herbert, në Lidhjen e Kombeve, zgjidhi shumë probleme që nxirrnin herë grekët, herë jugosllavët, e herë italianët në forma të ndryshme, sa për pretendime territoriale, ashtu edhe për trajtim të pakicave. Kështu u ra dakord për dhënien e shtetësisë çdo banori të Shqipërisë që kishte mbi dy vjet që jetonte aty pa dallim feje apo etnie. Po kështu lejohej përdorimi i çfarëdolloj gjuhe, por shqipja do të ishte gjuha zyrtare. Gjuha amtare sigurohej të përdorej në gjykata dhe fëmijët e minoriteteve të mësonin gjuhën e nënës së tyre.

Shqetësimet në kufi me Jugsllavinë bënë që kabineti qeveritar britanik t’i kushtonte rëndësi të madhe çështjes së Shqipërisë. Është kjo arsyeja pse britanikët shpallën njohjen e Shqipërisë si qeveri de jure e të gjithë shqiptarëve. Këtë akt e pasuan edhe fuqitë nënshkruese të Konferencës së Ambasadorëve: Franca, Italia, Japonia, duke e njohur qeverinë e Tiranës si një shtet konstitucional të pavarur dhe sovran.

Por siç dihet, telashet me fqinjët Shqipërisë nuk iu ndanë asnjëherë. Është përsëri Lordi Balfour, i cili më datën 12 mars të vitit 1922, paraqet në prani të përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre të Komisionit të Lidhjes raportin e mbikëqyrjes së kufijve, në të cilin thotë se:

“…komisioni edhe pse ka vënë re se ka një pakicë greke, (në Korçë) prapëseprapë, vëren se “qyteti është substancialisht i banuar nga shqiptarët dhe është pjesë e tokës shqiptare.”

Anëtarësimi i Shqipërisë mban padyshim vulën e përpjekjeve të patriotëve shqiptarë, por si në çdo moment tjetër të zgjidhjes së çështjeve të mëdha të kombit tonë në shekullin e njëzetë, britanikët gjenden aty. Se si vajti puna me Lidhjen e Kombeve dhe ecurinë e shtetit shqiptar është një temë shumë e gjerë, por nuk mund të lihet mënjanë për asnjë çast kontributi i jashtëzakonshëm i britanikëve dhe pikërisht: Aubrey Herbert, themelues i Komitetit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Edith Durham, Lordit Robert Cecil, Lordit Balfour dhe delegatit britanik H.A.L Fisher.

Përfundimi i Lidhjes së Kombeve

Lidhja e Kombeve funksionoi deri në vitin 1945, kur vendin e saj e zuri Organizata e Kombeve të Bashkuara e themeluar në Konferencën e San Franciskos më datën 24 tetor 1945. Kjo është edhe data kur festohet themelimi i OKB-së. Shqipëria nuk u ftua të merrte pjesë në atë konferencë. Megjithatë, “Vatra” si përherë iu gjet atdheut në krahë dhe dërgoi amerkanin Charles Telford Erickson, i cili gjatë gjithë jetës së tij aq aktive pro-shqiptare, e “bombardoi” me letra Presidentin Truman për të drejtën e Shqipërisë që të ishte pjesë e kombeve të qytetëruara. Shqipëria, u pranua vetëm më datën 14 dhjetor 1955 si anëtare e Kombeve të Bashkuara. Sot objektivi kryesor i diplomacisë shqiptare dhe i tërë shtetit shqiptar është anëtarësimi i shtetit tjetër shqiptar, Republikës së Kosovës në këtë organizatë. / KultPlus.com

Të ngjajshme