21 Tetor, 2022 - 11:43 pm
Në Tiranë është mbajtur Konferenca për 100-vjetorin e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Kanë qenë pjesëmarrës profesorë, specialistë e kërkues shkencorë, punonjës dhe ish punonjës të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar si edhe përfaqësues të institucioneve gjeologjike të Kosovës.
Në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë përshëndeti zëvendëskryetari, akademiku Vasil Tole.
“Janë të rrallë institucionet e shtetit shqiptar që të kenë një histori arritjesh dhe suksesesh si Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, arritje të cilat i ka vendosur në këto 100 vite në shërbim dhe në të mirë të zhvillimit ekonomik e social kulturor të Shqipërisë”, u shpreh akademiku Tole.
Puna e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar ka krijuar një përvojë e traditë shkencore e administrative të jashtëzakonshme për vendin tonë e më gjerë, e po ashtu një grup shkencëtarësh, administratorësh dhe punonjësish elite që do të nderonin çdo vend që do t’i kishte.
Me pas akademik Tole shprehu respektin e mirënjohjen për themeluesit e këtij shërbimi, ata që krijuan dhe drejtuan zyrën e mineraleve në Ministrinë e Punëve Publike e të Bujqësisë gjatë viteve 1920-1925, e posaçërisht gjeologun italian Xhovani Ineichen dhe kryegjeologun çeko-austriak dr. Ernest Nowack, SHGJSH që vijoi këtë traditë më 1952 si strukturë organizative më vete, më pas Drejtorinë e Përgjithshme të Gjeologjisë me njësitë kërkimore përkatëse e cila u shndërrua në Komitet Shtetëror të Gjeologjisë, të gjithë ata që më 1960 krijuan Drejtorinë e Përgjithshme të Gjeologjisë në kuadrin e Ministrisë së Minierave e të Gjeologjisë, për të ardhur deri në vitin 1998, kohë kur Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për shërbimin gjeologjik Shqiptar”, në bazë të të cilit SHGJSH zhvillon veprimtarinë e vet.
Sot Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, ka realizuar një sërë reformimesh, të cilat kanë krijuar një strukturë të aftë e bashkëkohore, që ka bërë që Shërbimi Gjeologjik Shqiptar të jetë pjesë integrale edhe e Shërbimit Gjeologjik Europian.
100-vjetori është një datë që të jep garanci më të mëdha për t’u përballur me sfidat e së ardhmes në këtë sektor strategjik, sfida që kanë të bëjnë me fuqizimin e instituteve të specializuara të projektimeve për shfrytëzimin dhe përpunimin e gjeoresurseve, në mënyrë të veçantë të mineraleve tradicionale të kromit, bakrit, hekur-nikelit, serës e qymyreve të naftës dhe gazit./atsh/ KultPlus.com