23 Shkurt, 2023 - 8:30 pm
Biblioteka e Gjirokastrës është një ndër më të vjetrat në shkallë vendi.
Përgjatë një shekulli ajo ka shërbyer si qendër për leximin dhe promovimin e librit por edhe për nxitjen e jetës kulturore në qytetin e gurtë.
“Biblioteka “Apostol Meksi” është një ndër bibliotekat më të vjetra në Shqipëri dhe sivjet bën 100 vjet. Biblioteka “Apostol Meksi” ka një fond të pasur prej 120 mijë ekzemplarësh që janë tituj të ndryshëm librash dhe periodikësh,” – u shpreh Ervina Saliaj, përgjegjëse e bibliotekës.
Biblioteka ofron një fond të pasur librash për lexuesit e moshave të ndryshme duke përfshirë edhe botimet e vjetra. “Historia e Skënderbeut” botuar në vitin 1898 në gjuhën shqipe, në Bukuresht është ekzemplari më i vjetër i saj.
“Ne për çdo datë festive kombëtare ose ndërkombëtare ne organizojmë gjithmonë aktivitete dhe paraqitim gjithmonë ekspozita për datat e shënuara. Gjithë lexuesit kanë mundësinë që ti prekin, që ti shohin dhe ti lexojnë,” – tha Saliaj.
Synimi i stafit të bibliotekës është tërheqja e lexuesve të rinj, pasi vitet e fundit interesi për librin ka rënë ndjeshëm.
“Të rinjtë e sotëm nuk lexojnë absolutisht fare dhe do t’ju rekomandoja që të lexonin sa më shumë,” – u shpreh një nxënëse.
Aktualisht biblioteka e Gjirokastrës numëron rreth 3 300 lexues të moshave dhe profesioneve të ndryshme.