10 Shkurt, 2021 - 3:32 pm
Në këtë 104-vjetor të lindjes së shkrimtares së parë shqiptare Musine Kokalari, stërmbesa e saj, Linda Kokalari rrëfen jetën e saj në Muzeun Historik Kombëtar. Ajo bën gjithashtu apel, që veprat e saj të përfshihen në kurrikulat shkollore
“Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund ti persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj”.
Ky është qëndrimi i shkrimtares së parë shqiptare Musine Kokalarit (Adanë, 10 shkurt 1917 – Rrëshen, 13 gusht 1983) në gjykatë, mbi akuzat që i rëndonin për nënshkrimin e programit antikomunist të hartuar për “instalimin e një sistemi demokratik”, pas së cilit u dënua me 16 vjet (1946-1961) burg.
Ndërsa, në këtë 104-vjetor të lindjes intelektualja shqiptare përkujtohet nga stërmbesa e saj, Linda Kokalari në Muzeun Historik Kombëtar.
“Është një kënaqësi e madhe, që e gjithë qëndresa e saj kujtohet, duke qenë shembull i vetëdijes në qëndresë”, thotë Linda Kokalari.
Kurajën qytetare të Musine Kokalarit, Linda Kokalari e cilëson si një mendim demokrat të gruas shqiptare asokohe, por përpos vuajtjeve që i shkaktoi regjimi komunist gjatë 40 viteve përndjekje, ajo e ka rrëfyer pëmes veprave të saj
“Vepra e saj flet vet, ajo ka shkruar çdo gjë. Në mënyrë të tillë, që kushdo që vjen më pas të informohet mbi të. CCdo gjë ka lënë ajo, mjafton që ta bëjmë të ditur”, vijon më tej stërmbesa.
Stërmbesa rrëfen se ka ardhur koha që vepra sa Kokalairt duhet të studiohet edhe të përfshihet e plotë në kurrikulat shkollore
“Ajo ccka është më e rëndësishme për mua dhe neve si familje, është që figura dhe vepra e saj të futen në kurrikula shkollore, sepse sa më shumë kalon kohë aq më shumë brezant harrojnë. Është e rëndësishme që të dihet, se megjithë terrorin e pashoq që ka qenë ka qenë dikush që ka qëndruar. Edhe kjo ka qenë një vajzë e re, e bukur, që i ka qëndruar përballë pa pas frikë”, thotë Linda Kokalari.
Dosja e Musine Kokalarit u hap në 100-vjetorin e saj të lindjes, ndërsa pasardhësit janë ende në pritje të ndërtimin dhe muzealizimin e shtëpisë në Gjirokastër
“Është një shkollë, është dhe një rrugë që mban emrin e saj, por ne shpresojmë që në të ardhmet të bëhet edhe ndërtimi e muzealizimi i shtëpisë në Gjirokastër”, tha drejtori i MHK, gjatë takimit në muze.
Musine Kokalari u rrit mes librave me rrëfenja dhe përralla, mes muzikë tradicionale në vendlindjen e saj, në Gjirokastër. Ajo kreu institutin “Motrat Qiriazi” dhe shkollën e mesme “Nana Mbretëneshë”. Ndërsa, studimet e larta i bëri në Fakultetin e Letërsisë në La Sapienza në Itali.
Pas 16 viteve që kaloi në burg, regjimi e internoi në Rrëshen. Torturat morale, fizike edhe psikologjike ishin të mëdha deri në 13 gusht të vitit 1983, që mbylli sytë, megjithatë sipas Linda Kokalarit, e keqja nuk e rrënoi dot.
“Ajo që mua më ka bërë shumë përshtypje, është mirësia e saj. Ajo ka qenë e rrethuar nga e keqja gati 40 vjet, por kjo e keqe nuk e dërrmoi dhe nuk e rrënoi dot. Nuk e bëri as të keqe, sepse sytë e saj deri në fund ishin të mirë”, përfundon Linda Kokalari.
Disa nga veprat e Musine Kokalarit janë: “Kolla e vdekjes” (1937), “Siç më thoshte nënua plakë”, “Reth vatrës” apo “Si lindi Partia Socialdemokrate”. /Shqiptarja.com / KultPlus.com