28 Prill, 2021 - 1:25 pm
Federata Panshqiptare “Vatra” ka pasur si mision historik mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si edhe ka ndërmarrë përsipër lobimin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës. Shoqëria “Vatra” u themelua zyrtarisht më 28 Prill 1912.
Takimi i parë për të sjellë së bashku të gjitha organizatat shqiptare amerikane në një federatë ishte zhvilluar më 24 dhjetor 1911 në Boston me nismën e shoqatës “Besa – Besë”.
Në këto takime ishin të pranishëm: Faik Konica, Fan Noli, Kristo Floqi, Marko Adams, dhe Paskal Aleksi. Të dhënat zyrtare të komisionit të bashkimit citojnë: “Ne bëjmë thirrje për të formuar Federatën Pan Shqiptare të Amerikës nga bashkimi i shoqatave të mëposhtme: “Besa – Besë”, “Flamuri i Krujës”, “Shoqëria Kombëtare” dhe “Dallandyshja”.
Ne këtë mbledhje historike u emërua një pleqësi e përkohshme prej këtyre zotërinjve. Sekretar At Fan Noli, arkëtar Llambi Chikozi, menaxher i gazetës “Dielli” Kristo Kirka, organizatorët e degëve të federatës: Faik Konica dhe Kristo Floqi. Mbikëqyrës së gazetës “Dielli”: Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasili. Federata Panshqiptare “Vatra”, u njoh prej shtetit të Masacusetit dhe mori kartën më 13 qershor 1912.
Një muaj para bashkimit, në mbledhjen e 24 marsit u diskutua edhe emri i federatës. Gjithsecili paraqiti emra të ndryshëm. U propozuan emra të tillë si “Plugu”, “Parmenda”, “Kastrioti”, “Skënderbeu”, “Përlindja” etj., por asnjëri prej tyre nuk u pëlqye. Fan Noli, me elokuencën e tij, arriti t’i bindte delegatët që federata e sapolindur të pagëzohej me emrin “Vatra”.
“Vatra”, shkruante “Dielli”, është emri i shoqërisë së re të bashkuar, është emri me të cilin shoqëria federale e re, për të parën herë, shfaqet si një shoqëri e organizuar, e përgjithshme, e kolonive shqiptare të Amerikës.
Emri i plotë i shoqërisë së re të bashkuar do të ishte Federata Shqiptare e Amerikës “Vatra” (në anglisht: “The Albanian Federation of America “Vatra”). Duke sjell në shprehje argumentet që Noli paraqiti për emërtimin e Federatës Shqiptare të sapokrijuar, në një artikull redaksional të gazetës “Dielli” të datës 4 prill 1912 thuhej:
“Përmbi gjithë kombet e tjera, shqiptari ka më tepër të drejtë të përdorë fjalën “Vatra” si të tijën. “Vatra” fjal’ e butë, e qetë, po me sa të madh kuptim! P.sh,: Ku pi sisë rritet, flet dhe formohet si njeri me ndjenja e zakone shqiptari? Ku njeh njeri-tjetrin dhe pastaj Kombin dhe Atdheun e vet? Ku dëgjon më të bukurat tregime për historinë dhe fisnikërinë e tij? Ku ëndërron për punën, lumturinë e fatbardhësinë e tij? Ku e ka qendrën Shqiptari? Përse rron, punon, mundohet, përpiqet, lufton dhe më në fund vdes?
Për vatrën dhe gjithë për vatrën! Edhe kur themi “Vatra” nuk përmendim vetëm atë copë vend tek bëjmë zjarr e mblidhemi rrotull tok, po e marrim me një kuptim më të lartë e më të shënuar si rrënjën e kombit, si burimin e çdo idealizmi. Shqiptari luftën për Kombin e tij e quan “Luftë vatre”.”
Ky emër u miratua zyrtarisht në mbledhjen për bashkim të 31 marsit 1912, me këtë emër ajo hyri në histori. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com