27 Mars, 2021 - 6:59 pm
Zihni Sako është autori i njërit prej teksteve të parë të folklorit në shkollat e larta. Ndër veprat letrare të tij janë novela “Bereqeti”, “Ditë të gëzueshme”, disa vëllime me vjersha për fëmijë, vëllime me tregime etj.
Ka lindur në Gjirokastër më 27 mars 1912. Ka kryer studimet e larta për filologji në Universitetin e Athinës në vitet 1931 – 1936 dhe më pas u kthye në Atdhe ku ka punuar fillimisht si mësues në fshatrat e Gjirokastrës, Korçës e Beratit dhe më vonë në vitet ’40 në Gjimnazin e Gjirokastrës që sot mban emrin e Asim Zenelit.
Me pushtimin e vendit në vitet e para të tij vazhdoi punën si mësues dhe më vonë kaloi në mal partizan në çetat e Gjirokastrës ku ka qenë komisar i tyre. Ka kryer një veprimtari të gjerë patriotike duke luftuar deri në çlirimin e vendit.
Mbas mbarimit të luftës iu kthye punës dhe ka qenë për disa kohë sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit,pastaj ka shkuar në Moskë ku ka dhënë mësimin e gjuhës shqipe në Universitetin e Moskës dhe më vonë u kthye në Shqipëri fillimisht në Institutin e Shkencave ku ishte sekretar dhe drejtues i sektorit të folklorit./ KultPlus.com