28 Nëntor, 2021 - 10:15 am
Sot mbushen 109 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë erdhi pas përpjekjeve gati 500 vjeçare të popullit shqiptar nga perandoria osmane, e cila pushtoi trojet shqiptare, 10 vjet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, më 17 janar 1468.
Përpjekja për çlirim e popullit shqiptar dhe popujve të tjerë evropian nga perandoria osmane, nuk janë ndalur asnjëherë deri në dëbimin e saj më 1912-të.
Përveç trojeve shqiptare, Perandoria Osmane për disa shekuj kishte të pushtuara edhe vendet e tjera të Ballkanit, si dhe tentojë të marrë edhe Austrinë, ku pas një lufte dy mujore me Vjenën, më 1683 pëson humbje të mëdha dhe tërhiqet.
Në vitin 1684 u krijua një koalicion kundër osman me emrin “Lidhja e Shenjtë”. Në koalicion merrnin pjesë Austria, Polonia, Venediku, Malta dhe pas dy vjetësh hyri edhe Rusia.
Pas kësaj, ushtria austriake përparoi në Bullgari dhe në tokat e shqiptarëve. Në Prishtinë forcat austriake u pritën nga 5000 kryengritës shqiptarë, kurse në Prizren nga 6000 kryengritës të tjerë shqiptarë.
Shqiptarët luftuan përkrah austriakëve. Këto beteja përfunduan me fitoren e ushtrisë osmane. Pas këtyre disfatave, me austriakët u tërhoqën nga Kosova mjaft kryengritës. Faktin e largimit të mjaft kryengritësve nga Kosova e shfrytëzoi më vonë monarkia serbe e cila krijoi legjendën e së ashtuquajturës “shpërngulja e serbëve” nga Kosova dhe popullimin e saj prej shqiptarëve.
Përpjekje e madhe e popullit shqiptarë ishte edhe pas luftës së re Ruso-Turke (1877-1878). Rusia se bashku me Austro-Hungarinë në Budapest, më 15 janar 1877, nënshkruan një marrëveshje e quajtur si Marrëveshja e Budapestit. Sipas tyre, Austro-Hungaria do të qëndronte asnjanëse në luftën ruso-turke. Si shpërblim ajo fitonte të drejtën të pushtonte ushtarakisht Bosnjën dhe Hercegovinën, kurse fati i sanxhakut të Novi Pazarit (Pazarit të Ri) do të caktohej me një marrëveshje të veçantë që do të lidhnin Peterburgun me Vjenën. Perandoria dualiste zotohej të mos i prekte Rumaninë, Serbinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi, të cilat Rusia i mbante si territore të zonës së saj të ndikimit. Perandoria Ruse do të kënaqej me aneksimin e Besarabisë në Ballkan dhe të Batumit në Kaukaz. Por, në rast se Perandoria Osmane do të shembej krejtësisht, Bullgaria, Rumania dhe Shqipëria do të bëheshin shtete autonome; Kreta, Thesalia dhe Epiri do t ë aneksoheshin nga Greqia, kurse Stambolli me rrethinën e tij do të shpallej qytet i lirë.
Megjithatë, duhet pranuar se marrëveshja e Budapestit, pavarësisht nga këto aspekte negative, ishte akti i parë diplomatik ndërkombëtar që pranoi në parim idenë e krijimit të një shteti shqiptar. Kjo ide ishte e Austro-Hungarisë, e cila u nis nga interesi për të krijuar në Ballkanin Perëndimor një barrierë kundër ekspansionit serb drejt Adriatikut e Maqedonisë.
Më 10 qershor 1878 shqiptarët u mblodhën në Prizren dhe formuan Lidhjen e Prizrenit. Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë. Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të kongresit të Berlinit, i cili më shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, në përpjekje për t’u larguar nga sundimi osman.
Më 10 qershor 1878, në Prizren u bashkuan katër vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.
Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë gjatë fuqitë e mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia.
Copëtimi i parë i trojeve shqiptare u realizua pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për të shpërblyer Malin e Zi me Plavën e Gucinë. Gjatë kësaj kohe, iu kaluan Serbisë zonat e Toplicës, Prokuples, Kurshumlisë, Nishit, Vranjes dhe Leskovacit. Popullsia shqiptare në këto zona u përzu me dhunë, dhe e gjithë u spastrua etnikisht, duke krijuar 70 000 refugjatë shqiptarë që u vendosën në Kosovë e 60 000 të tjerë që u vendosëm në zonën që sot është në Maqedoni. Kongresi i Berlinit i dha Malit të Zi edhe tokat tjera shqiptare, qytetin e Tivarit dhe Podgoricën.
Përpjekja e popullit shqiptar u shua më pas me mosnjohjen e trojeve nga Kongresi i Berlinit dhe luftën e popullit shqiptar kundër perandorisë osmane, e cila rezultoi me copëtimin e Shqipërisë dhe mbetjen e pjesëve tjera nën perandorinë osmane.
Lufta e popullit shqiptar nuk u ndalë deri më 1912, ku në Vlorë u shpallë pavarësia e Shqipërisë dhe përfundimisht populli shqiptarë dëbon nga trojet e veta perandorinë osmane.
Pas kësaj u mbajt Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1912-1913 e njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër”, i cili ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia). Këto fuqi u mblodhën në dhjetor 1912. Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane, duke e copëtuar edhe njëherë dhe duke marrë dy të tretat e trojeve shqiptare.
Më poshtë shihni hartën e propozimit të qeverisë shqiptare, propozimit të Francës, Rusisë dhe Ligës së krijuar Ballkanike ( Bullgaria, Greqia , Serbia dhe Mali i Zi), si dhe vendimin e marrë nga konferenca e ambasadorëve.
Harta me propozimet e Qeverisë së përkohshme të Vlorës për hartën e Shqipërisë, propozimet e Francës, Rusisë dhe ligës së Ballkanit ( Serbia, Bullgaria dhe Greqia) si dhe kufinjt e tanishëm të propozuar dhe miratuar nga konferenca e Londrës ( ky territor tani quhet Shqipëri). / KultPlus.com