13 Tetor, 2020 - 5:55 pm
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka përkujtuar sot 109-vjetorin e lindjes së poetit tonë kombëtar Migjenit.
“Vargjet e poetit tonë kombëtar, Migjeni, janë një urgan i përhershëm frymëzimi dhe kushtrimi, që burojnë nga dhimbjet dhe vuajtjet e njerëzve të thjeshtë, të cilët nuk e durojnë dot shtypjen dhe padrejtësinë”, është shprehur Meta.
“Ato simbolizojnë grushtin e fuqishëm të revoltës mbarëpopullore në çdo kohë, kundër së keqes, mjerimit, padrejtësisë, shfrytëzimit, dhunës, korrupsionit, arrogancës dhe mashtrimit politik”, ka theksuar Meta.
“Sot, në 109-vjetorin e lindjes së Migjenit, vargjet e tij vijnë më aktuale se kurrë. Të ardhmes europiane të vendit, i është vendosur para një “Mal që s’bëzanë” sterrë i zi, i ngritur mbi shkatërrimin e shtetit dhe dinjitetit njerëzor, mbi korrupsionin e llahtarshëm dhe përdhosjen e çdo vlere kombëtare”, theksoi Meta.
Por, ka shtuar Meta, “veç shprehjes së dhimbjes e revoltës, Migjeni ynë i madh ka konstruktuar në vargjet e tij edhe shpresën për një të ardhme të denjë kombëtare dhe njerëzore që është gati dhe po vjen shumë shpejt”.
Meta ka cituar vargjet e Migjenit, duke thënës se, “aq bukur ajo shprehet në vargjet”:
“Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote”./ atsh/ KultPlus.com