25 Dhjetor, 2020 - 1:40 pm
Janë bërë 111 vite që nga lindja e gjuhëtarit dhe albanologut të ndjerë, Selman Riza, shkruan KultPlus.
Selman Riza u lind më 25 dhjetor 1909, në Gjakovë, teksa shkollimin e vazhdoi në Shqipëri, në shkollën “Naim Frashëri” të Tiranës dhe Liceun Kombëtar të Korçës.
Në vitin 1932, fitoi një bursë për të ndjekur studimet në Universitetin e Tuluzës në Francë ku brenda tre vjetësh kreu dy fakultete. Gjatë viteve 1932-1935 mbaroi Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Franceze dhe Fakultetin e Drejtësisë.
Me 28 nëntor 1939, në demonstratën madhështore të organizuar në Korçë, në Ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë, Selman Riza u arrestua e u burgos, prej policisë fashiste sepse ishte kundër pushtimit Italian.
Në korrik të vitit 1942 kthehet në Kosovë ku me anë të veprimtarisë së tij politike synonte që përmes Lëvizjes Antifashiste, të cilën e kryesonte, të bëhej bashkimi i Kosovës dhe bashkimi i trojeve shqiptare në Maqedoni, me Shqipërinë.
Vetëm disa ditë pas kthimit në Shqipëri, arrestohet e burgoset në Tiranë. Me kërkesën e Jugosllavisë, tre muaj pas qëndrimit në burgun e Tiranës, Selman Riza transferohet në burgun e Prishtinës, për t’u dënuar e gjykuar si “anti-jugosllav”.
Pasi kthehet për herë të fundit në Shqipëri nën diktaturën komuniste, e largojnë nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, si “mbeturinë borgjeze” dhe e çojnë si ciceron në Muzeun e Beratit e më tej në bibliotekën e qytetit dhe në 1970 e nxjerrin në pension të parakohshëm.
Disa nga veprat e tij janë: “Tri monografina albanologjike” Tiranë,1944, “Fillimet e gjuhësisë shqiptare” Prishtinë,1952, “Gramatika e sërbo-kroatishtes”, Prishtinë,1952, “Pronorët e shqipes”, Tiranë,1958, “Pesë autorët më të vjetër të shqipes”, Tiranë,1960, “Emrat në shqipen”, Tiranë,1964 etj.
I kaloi vitet e fundit në Tiranë, nën mbikqyrjen e Sigurimit ku ndërroi jetë në 16 dhjetor 1988. / KultPlus.com