22 Janar, 2025 - 11:30 am
111 vjet më parë Ismail Qemali dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit të parë të Shqipërisë. Studiuesi Evarist Beqiri, i cili më herët ka shkruar librin “Themeluesi, Lidershipi i Ismail Qemalit”, sjell fakte historike që lidhen me këtë akt.
Më 2 janar 1914, vetëm pak ditë para dorëheqjes së tij nga kryesimi i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Ismail Qemali i shkruajti një letër prefektit të Elbasanit, Aqif Pashës. Evarist Beqiri thotë se, në këtë letër Ismail Qemal Vlora analizonte me një qartësi mbresëlënëse situatën politike në vend dhe tregonte rrugën drejt së ardhmes: “Shqipërinë e shpëtuam, i bindëm tërë mbretëritë ta pranojnë se Shqipëria siguron ekuilibrin ballkanik dhe prandaj është e domosdoshme për paqen botërore të Evropës dhe me ndihmën e perëndisë, nuk ka mbetur vend për ndonjë rrezik që të na shqetësojë në të ardhmen. Por për ne ka mbetur vetëm një çështje që na shqetëson: ne nuk e durojmë dot njëri-tjetrin dhe, e mirë apo e keqe, çdo gjë që bëjmë në anën tonë, has në vështirësi dhe sjell pasoja”.
Dorëheqja e Ismail Qemalit krijoi një boshllëk, i cili nuk mund të mbushej nga administrata e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Ismail Qemali së bashku me familjen e tij u largua nga Vlora drejt Italisë e më tej në Francë. Pavarësisht situatës dramatike, ai nuk e humbi optimizmin dhe e shikonte largimin si të përkohshëm. Ai i këshilloi njerëzit e tij që të vazhdonin të bashkëvepronin me njëri-tjetrin “se një ditë do të vinte ora e bardhë e fatit të Shqipërisë”.
Studiuesi Evarist Beqiri sjell dhe tekstin e plotë të procesverbalit ku pasqyrohet zyrtarisht dorëheqja e Ismail Qemalit: “Sot, më 22 janar 1914, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit u mblodh në prani të Shkëlqesisë së Tij Ismail Qemal Beut. Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, i bindur se rruga e vetme për t’i dhënë fund përçarjes dhe anarkisë, që sundon në vend është krimi i një qeverie të vetme për të gjithë Shqipërinë, dhe, meqë në rrethanat e tanishme ky qëllim mund të arrihet vetëm nëse ai e kalon pushtetin në duart e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit si përfaqësues i Fuqive të Mëdha, në prani të ministrave të tij ia përsëriti Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit kërkesën e paraqitur më parë, që ky Komision të marrë përsipër këtë detyrë dhe të marr pushtetin në duart e tij. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit çmon me respekt ndjenjat atdhetare nga është nisur Shkëlqesia Ismail Qemal Bej në veprimet e tij, e pranon këtë delegim pushteti dhe, me autorizimin përkatës të Fuqive të Mëdha, merr përsipër në emër të qeverisë që përfaqëson administrimin e Shqipërisë. Nënshkruar: “Ismail Qemali, Nadolny, Petroviç, Krajewski, Harry Lamb, Leoni, Petriaew.”
Bashkëpunëtori besnik i Ismail Qemalit, Aqif Pashë Elbasani, i dërgoi një telegram ku shkruhej: “Gjesti atdhetar i Shkëlqesisë Suaj u shton një fletë lavdie shërbimeve të larta atdhetare të bëra nga ju. Meritoni nderime dhe me këtë rast adhuroj Shkëlqesinë tuaj.”
Ismail Qemali u largua nga Vlora dhe shkoi për të pushuar pak kohë në Nicë, për t’u rikthyer sërish në Shqipëri në maj 1914. Ai ishte zhgënjyer me zgjedhjen që bënë Fuqitë e Mëdha, në caktimin e një sovrani anonim, megjithatë e mbështeti atë./ KultPlus.com