“111-vjetori i Konferencës së Londrës”, njohja ndërkombëtare e Shqipërisë dhe lindja e çështjes së Kosovës

29 Korrik, 2024 - 9:27 am

Konferenca e Ambasadorëve në Londër, u hap më 17 dhjetor të vitit 1912, pak ditë pasi që në Vlorë të jetë shpallur pavarësia e Shqipërisë. Aty duhej të vendosej për fatin e saj, pa marrë parasysh se vendi qe pushtuar nga të gjitha anët: në Veri nga ushtritë malaziase, në Verilindje nga ato serbe dhe në Jug nga Grekët. Përjashtim këtu bënin dy qytete shqiptare: Shkodra në Veri dhe Janina në Jug ku forcat osmane dhe ato shqiptare të rrethuara bënin rezistencë.

Jusuf Buxhovi

Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ndonëse pa ndonjë përgatitje paraprake e natyrshme në raste të tilla, filloi me dy qëndrime të ndërtuara që më parë, të imponuara nga diplomacia austro-hungareze dhe politika e saj, të cilat po ashtu ishin në përputhje me interesat e Lidhjes Trepalëshe. Dhe ato ishin:

a) njohja e ekzistencës së Shqipërisë, pa marrë parasysh statusi që duhej t’i caktohej, dhe

b) vendet ballkanike fituese të luftës me Perandorinë Osmane, duhej të shpërbleheshin me territore, por jo në përmasa me kërkesat e tyre të plota, meqë kjo ngatërronte dhe madje rrënonte interesat e fuqive të mëdha europiane, ato të Lidhjes Trepalëshe, sidomos të Vjenës dhe Romës, të cilat nuk ishin të interesuara që ngopja e shteteve sllave të Ballkanit të shkonte në dëm të interesave të tyre, meqë ashtu forcohej edhe ndikimi rus në këtë pjesë të rëndësishme. Po ashtu, bërjen e Shqipërisë shtet e shihnin në (mos) përmbushjen e apetiteve të ndërsjella për shtrirje sa më të thellë në Ballkan, të cilat Shqipëria i pengonte.

Kundër forcimit të ndikimit rus në Ballkan ishte edhe Britania e Madhe po edhe Franca, që ndonëse luftonin çfarëdo përfitimi të Austro-Hungarisë në këto zhvillime, nuk mund të lejonin që ajo të përfitonte nga gjendja e re. Nga ky pozicionim, Britania e Madhe, e cila mori përsipër rolin e “shpëtimtarit të paqes” që duhej të arrihej nëpërmes balancimit të interesave të Fuqive të Mëdha, u vu në mbrojtje të një Shqipërie, e cila ishte e vetmja në gjendje që t’i ndihmonte këtij qëllimi, që për politikën e Londrës kishte rëndësi të madhe. Këtu në të vërtetë ndodheshin edhe gjasat e mbijetesës së saj.

Për Shqipërinë, megjithatë, kishte rëndësi njohja e ekzistencës së saj qysh në fillim, pa marrë parasysh si do të bëhej kjo, meqë aty ndodhej edhe çelësi i zgjidhjeve të shumë çështjeve të tjera, që lidheshin drejtpërdrejt me fillimet e normalitetit, i cili nuk mund të rikthehej pa largimin e ushtrive të vendeve pushtuese, të cilat mbanin peng pjesën më të madhe të vendit nën rrethanat e gjendjes ushtarake. E rëndësishme, po ashtu ishte, që të shkëputeshin që të gjitha lidhjet me Perandorinë Osmane, në mënyrë që hipoteka e saj të mos e ngarkonte të gjente vendin midis shteteve europiane. Si u pa në fillim, kjo jo vetëm që nuk ndodhi, po nisi edhe t’ia rëndojë kapërcimin nga Lindja në Perëndim. Rusia, madje, kishte deklaruar se “ishte edhe në interes të vendeve europiane e edhe të vetë Shqiptarëve që të ruanin lidhjet me Perandorinë Osmane nga shkaku i pranimit të tyre në masë të islamit, i cili kishte ndikuar dhe ndryshuar edhe mentalitetin e tyre si popull”!

Edhe Franca, nuk ishte gjithaq larg këtij mendimi, sado që arsyetimet e saj nuk ishin të natyrës “së civilizimeve”, por thjeshtë praktike, meqë sipas disa vlerësimeve që kishte nga diplomatët e saj në Stamboll “organizimi shtetëror i Shqipërisë dhe administrata e saj gjithsesi duhej ruajtur diçka të traditës së gjatë shtetërore osmane, meqë ata në të kishin luajtur një rol të rëndësishëm”.

Në seancën e parë, Konferenca e Ambasadorëve, më 17 dhjetor 1912, nën kryesinë e Sër Eduard Grej (Edward Grey), vendosi që Shqipëria të ishte autonome nën sovranitetin ose suzerenitetin e Sulltanit dhe nën garancinë e kontrollin ekskluziv të gjashtë fuqive të mëdha. Konferenca ngarkoi Austro-Hungarinë dhe Italinë të studionin dhe t’u propozonin fuqive të mëdha projektin mbi organizimin e shtetit autonom shqiptar.

Në lidhje me kufijtë Konferenca vendosi në parim që Shqipëria autonome të kufizohej në Veri me Malin e Zi e në Jug me Greqinë. Me këtë vendim, duke caktuar si fqinj të veriut Malin e Zi, Fuqitë e Mëdha ia mbyllnin rrugën Serbisë për të dalë në Adriatik me anën e aneksimit të territoreve në Veri të Shqipërisë. Roli i Austro-Hungarisë këtu do të jetë vendimtar, meqë kështu përjashtohej mundësia që Serbia të dilte në det, dhe kjo mund të bëhej me anën e aneksimit të pjesës veriore, siç kishte ndodhur në të vërtetë, kur ushtritë e saj kishin depërtuar nga Shëngjini e deri në Durrës që ushtarakisht të paraprinin këtë pretendim. Nga ana tjetër, Serbisë iu njoh e drejta të kishte një dalje tregtare në det nëpër një skele shqiptare të lirë dhe asnjanëse. Ajo do të përdorej me anën e një hekurudhe ndërkombëtare, nën kontrollin europian dhe nën mbikëqyrjen e një force të posaçme ndërkombëtare, me liri transiti për gjithë mallrat, duke përfshirë këtu edhe municionet e luftës. Të nesërmen, më 18 dhjetor, këtij vendimi iu nënshtrua edhe qeveria serbe.

Kur jemi te formulimi nismëtar i Konferencës së Ambasadorëve në Londër i 18 dhjetorit 1912, pra kur Shqipëria do të shpallej autonomi nën sovranitetin ose suzerenitetin e Sulltanit, me interes për atë fazë për Shqipërinë ishte theksimi i garancive dhe i kontrollit ekskluziv të gjashtë Fuqive të Mëdha ndaj saj, gjë që kishte rëndësi dhe Qeverisë së Vlorës do t’i shkojë përshtati. Sepse, Fuqitë e Mëdha i ngarkonte me përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të mbikëqyrjes së gjendjes në gjithë vendin, të cilën qeveria e Vlorës nuk mund ta bënte edhe po t’i jepej mandati i qeverisjes, siç do t’i ngarkojë edhe me përgjegjësinë e largimit të ushtrive pushtuese jashtë vijave që Konferenca do t’i caktojë si kufi të Shqipërisë pa marrë parasysh sa dhe si ata ishin të natyrshëm.

Me këtë, do të fillojë koha e mbajtjes së Shqipërisë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, me disa faza, e cila vendin nuk do ta nxjerrë nga terapia e krizës në të cilën do të gjendet, por njëherësh do t’ia heqë rrezikun e zhbërjes si shtet, siç dëshironin dhe vepronin fqinjët e saj.

Edhe duke u anashkaluar çështja e sovranitetit ose suzerenitetit të Sulltanit, përderisa do të hiqet fare me vendimin e 29 korrikut 1913 kur Konferenca e Londrës, më në fund, do të pranojë projektin për organizimin e shtetit shqiptar, sipas të cilit Shqipëria shpallej principatë autonome, sovrane e trashëgimore, me ç’rast i hiqej çdo lidhje suzereniteti me Perandorinë Osmane, megjithatë ky vendim la jashtë shtetit shqiptar dy qendra të rëndësishme të saj: Kosovën dhe pjesët e Maqedonisë nën Serbi dhe Janinën me rrethinë nën Greqi. Humbja e këtyre pjesëve, nga diplomacia evropiane, veçmas ajo austro-hungareze që mbronte interesat shqiptare, u pa e zhdëmtuar nga mbrojtja e Shkodrës, pasi që ajo të jetë pushtuar nga Mali i Zi, të cilën ia dorëzoi Esad Pashë Toptani, në kohën kur Konferenca e Londrës ndodhej në një fazë delikate të caktimit të kufijve të shtetit të ri shqiptar.

Vendimet e Konferencës së Londrës legjitimuan ndërkombëtarisht shtetin shqiptar, ndonëse të përgjysmuar, por njëherësh promovuan edhe “Çështjen e Kosovës”, që si e tillë do të mbetet problem i hapur ndërkombëtar për afër një shekulli.

(Shkëputur nga libri “Kosova – histori e shkurtër”, Prishtinë, 2021)./KultPlus.com

Të ngjajshme