9 Shtator, 2020 - 4:40 pm
Si sot 111 vjet më parë, mbylli punimet Kongresi i Elbasanit, i mbajtur më 2-9 shtator të motit 1909. Pjesëmarrës në kongres ishin gjithsej 35 delegatë nga intelektualët më në zë shqiptarë, nga brenda dhe jashtë vendit si përfaqësues të shoqërive patriotike.
Arkivi Qendror Shtetëror publikoi sot disa nga dorëshkrimet e vendimeve të Kongresit të Elbasanit që ruhen në fondin nr. 102 të këtij institucioni.
Ky kongres i hapi rrugën shkollimit laik në trevat shqiptare dhe vendosi të themelohej në qytetin e Elbasanit një shkollë e mesme pedagogjike e cila u quajt shkolla Normale, për përgatitjen e mësuesve të cilët do të punonin në zhvillimin e arsimit kombëtar.
Aty u vendos për sistemin e shkollave shqipe, mënjanimin e shkollave në gjuhë të huaj dhe për drejtshkrimin e gjuhës ku si shembull u dha përdorimi i dialektit të Elbasanit si ai që përafron më tepër me dialektet e tjera.
Kongresi i Elbasanit hodhi bazat më të rëndësishme të zhvillimit të arsimit kombëtar. Ai u thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut.
Kongresi vendosi të themelohej në Elbasan, në vjeshtën e 1909-ës, një shkollë e mesme pedagogjike (Normale) shqipe me gjashtë klasa, që do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe dhe do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare. Atsh / KultPlus.com