7 Shtator, 2023 - 7:04 pm
Aleks Buda e pa për herë të parë dritën e diellit më 7 shtator 1911, në një nga shtëpitë e lagjes Kala të Elbasanit, në familjen e Taqi Budës, përfaqësues i qytetit të tij në kongreset e Manastirit dhe Elbasanit dhe mbështetës i Normales së mirënjohur të qytetit.
Historian i shquar, profesor, kryetar i parë i ASHSH. Lindi në Elbasan në një familje të njohur intelektuale. Shkollën fillore e kreu në Leçe (Leçe, Itali), të mesmen në Zalcburg (Salzburg, Austri), studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë (dega filozofi-letërsi) të Universitetit të Vjenës (1929-1935). Më pas (1939-1943) punoi si mësues në Liceun e Tiranës e në atë të Korçës.
Në vitet 1945-1946 qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Me formimin më 1955 të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, Aleks Buda si një ndër organizatorët e tij dhe punonjësit shkencorë më me përvojë, themeloi Sektorin e Historisë së Mesjetës dhe me këtë hodhia bazat e medievistikës shqiptare. Qe një nga themeluesit e katedrës së historisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë të Universitetin të Tiranës. Më 1973 u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, detyrë që e mbajti deri në fund të jetës.
Veprimtaria kryesore e tij ishte studimi i historisë, veçanërisht në fushën e historisë mesjetare shqiptare dhe të Rilindjes Kombëtare. Ai është bashkautor dhe redaktor përgjegjës i tekstit të “Historisë së Shqipërisë vëllimi I” dhe autor i disa studimeve për periudha të ndryshme të Historisë së Shqipërisë, sidomos për atë të “Skënderbeut” për etnogjenezën e popullit shqiptar si dhe autor i shumë shkrimeve publicistike. Buda ka shkruar edhe hyrjen 18-faqeshe të botimit të veprës së Marin Barletit, “Rrethimi i Shkodrës”, e cila u përthye nga Henrik Lacaj dhe u botua në Tiranë në vitin 1962.
Është bashkautor i Vëllimit II “Historia e Shqipërisë”, botuar në vitin 1965 dhe dha ndihmesë të çmuar në konceptimin e udhëheqjen shkencore, dhe si kryeredaktor në hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985), e para vepër enciklopedike shqiptare.
Është nderuar “Mësues i Popullit”, “Çmimin e Republikës së Shkallës së Parë”, “Urdhrin e Lirisë” etj. Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar me “Medaljen e Madhe të Artë” (1990), medalja më e lartë që jep Austria për shtetasit e huaj. Këshilli i qarkut të Elbasanit e ka nderuar pas vdekjes (2002) me titullin “Qytetar Nderi”. /KultPlus.com