23 Shtator, 2024 - 12:28 pm
Sot janë bërë 115 vite nga lindja e kompozitorit, dirigjentit dhe etnomuzikologut shqiptar, Lorenc Antoni, shkruan KultPlus. Ai ka lindur në Shkup, më 23 shtator 1909 në një familje katolike dhe është kushëri i Shën Nënë Terezës (Gonxhe Bojaxhiut).
Që nga fëmijëria është aktivizuar në ansamble të ndryshme muzikore të shqiptarëve. Ka studiuar privatisht muzikë në Shkup dhe Beograd. Pas shkollimit në Fakultetin Filozofik të Shkupit kthehet në Ferizaj, dhe më pas ngre të parën shkollë të ulët dhe të mesme muzikë “Josip Sllavenski” në Prizren më 1948.
Po në këto vite drejton si dirigjent edhe korin e shkollës muzikore, atë të shoqërisë kulturore artistike “Agimi” si dhe orkestrën simfonike të qytetit të Prizrenit. Pas këtyre viteve vazhdon të merret intensivisht me kompozime, dirigjime të veprave, veprimtari pedagogjike etj.
Në fushën e studimit të folklorit, Lorenc Antoni vlerësohet se i pari mblodhi dhe botoi shtatë vëllime të muzikës popullore shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Moravës Jugore të shoqëruar me analiza etnomuzikologjike mbi gjithë këtë lëndë që është transkiptuar po prej tij.
Ka kompozuar edhe muzikë, ndër to dallohen kompozimet vokale. L. Antoni konsiderohet edhe si kompozitori i brezit të parë të kompozitorëve të Kosovës. Sipas Prof. Engjëll Berishës, në përgjithësi veprat e Lorenc Antonit bazohen në idiomën muzikore popullore shqiptare. Veçojmë këtu “Kanga e Rexhës” e cila respektohet dhe dëgjohet edhe në ditët e sotme . Gjithashtu ai bëri përpjekje për hapjen e shkollës së parë të muzikës më 1948 në Kosovë
Ai vdiq në Prishtinë, më 21 tetor të vitit 1991/KultPlus.com