23 Korrik, 2024 - 10:02 am
Kongresi i Dibrës, i quajtur gjithashtu Kongresi kushtetues i përbashkët shqiptaro-osman u mbajt në 23-29 korrik 1909 në qytetin e Dibrës.
Kongresi u sponsorizua nga qeveria osmane xhonturke nëpërmjet Komitetit Qendror xhonturk “Bashkim e Përparim”, me qëllim që të ndikonte me mjete paqësore te shqiptarët për një qëndrim sa më besnik të këtyre ndaj qeverisë osmane.
Megjithatë, një pjesë e mirë e patriotëve shqiptarë pjesëmarrës në kongres refuzuan kategorikisht që të nënshkruanin symbyllur rezolutën e propozuar nga komiteti, dhe krijuan një komision të përbashkët me xhonturqit, vendimet e të cilit, edhe pse ishin në thelb për besnikërinë e shqiptarëve ndaj Perandorisë Otomane, përfshinë për herë të parë disa masa që lejonin që shqipja të bëhej gjuhë zyrtare në Perandori dhe të mund të jepej mësim nëpër shkolla shtetërore.
Interpretimet e historianëve për vendimet dhe rëndësinë e Kongresit të Dibrës janë te dyfishta: nga njëra anë ato theksojnë pamjaftueshmërinë e këtyre vendimeve për qëllimet e Lëvizjes Kombëtare dhe përftimet që pati qeveria xhonturke nga ato, nga ana tjetër pranohet rëndësia e këtij kongresi në bashkimin e shqiptarëve dhe në prodhimin e rezultateve konkrete në plan kombëtar brenda perandorisë.
Pas 6 dite pune Kongresi, në mbledhjen e tij të fundit më 28 korrik, miratoi një program tjetër prej 17 pikash, të përgatitur nga Komisioni e të përbërë prej dy pjesësh: pjesa e parë, prej 5 pikash, që gjatë diskutimeve u quajtën “nene të bashkimit” ose “bashkimtare”, përfaqësonte programin e paraqitur nga xhonturqit me disa ndryshime që iu bënë në Kongres, nën trysninë e delegatëve shqiptarë.
Në këtë pjesë shprehej uniteti i të gjithë osmanlinjve dhe besnikëria e shqiptarëve ndaj osmanizmit, vendosmëria e tyre për të respektuar regjimin kushtetues, për të mbrojtur me armë në dorë qeverinë kushtetuese, në rast se do të kërcënohej nga jashtë ose nga ata që brenda vendit do t’u shërbenin ideve të huaja; kërkohej gjithashtu që gjithë shqiptarët të kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Kjo pjesë e programit, me gjithë ndryshimet që pësoi në Kongres, ruajti në thelb karakterin e saj xhonturk. Në pjesën e dytë të programit, të përbërë nga 12 pika, të cilat gjatë punimeve të Kongresit u quajtën “nenet dytësore ose të nevojshme” (për shqiptarët), megjithëse në mënyrë mjaft të moderuar, u përfshinë disa nga kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e rrymës kombëtare shqiptare.
Një pjesë e mirë e masave që përfshiheshin këtu kishin të bënin me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik e kulturor të vilajeteve të Turqisë Evropiane. Parashikohej ndërtimi në këto vilajete i hekurudhave dhe i rrugëve automobilistike; tharja e kënetave dhe sistemimi i lumenjve; krijimi në Turqinë Evropiane i shkollave normale turke për mësues dhe i shkollave të larta për tregti e mjeshtëri (profesionale), në të cilat të mësohej filozofia fetare, morali islam e Kurani; ngritja në një nga qendrat e Turqisë Evropiane e një universiteti turk; likuidimi i menjëhershëm i “Shoqërisë së duhanit të Perandorisë Osmane” (“Régie des tabacs…”) etj.
Krahas këtyre përfshiheshin edhe disa masa të veçanta për Shqipërinë. Kërkohej që të “hapeshin në Shqipëri, ku arsimi është më i prapambetur, shkolla fillore, të mesme dhe të larta për tregti e mjeshtëri, ku gjuha shqipe të mësohej lirisht në kufijtë e dëshpëruar”. Mësimi i gjuhës shqipe dhe sasia e orëve për të i liheshin për t’i caktuar çdo lokaliteti të veçantë.
Masat e veçanta për Shqipërinë, edhe pse krijonin mundësinë për mësimin e gjuhës shqipe, ishin larg kërkesës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për themelimin e shkollave kombëtare shqipe dhe për futjen e mësimit të detyruar të shqipes në shkolla. Vendimi që u mor në lidhje me alfabetin e gjuhës shqipe, për të përdorur “lirisht alfabetin turk ose shqiptar”, ishte gjysmak dhe u çelte rrugën xhonturqve e gjithë kundërshtarëve të alfabetit shqip për të penguar e për të luftuar përhapjen e shkrimit shqip.Megjithatë, sipas disa dijetarëve masat e veçanta patën rëndësi historike për gjuhen shqipe, pasi për herë të parë u arrit zyrtarizimi i gjuhës shqipe në perandorinë Osmane. / KultPlus.com