25 Mars, 2025 - 11:00 am
Teatri Kombëtar do të sjellë në prill, si premierë absolute, një vepër interesante me pjesëmarrjen e 12 aktorëve nga më të njohurit e skenës shqiptare, nën regjinë e Albert Mingës.
Shfaqja titullohet “12 burra të zemëruar”. Në qendër qëndron një akuzë, 12 perspektiva të ndryshme dhe një vendim i vështirë që mund të ndryshojë gjithçka.
Se çfarë ndodh pas dyerve të mbyllura të drejtësisë, publiku besnik i Teatrit Kombëtar do të mund ta zbulojë në 5 shfaqjet që do të jepen në ArTurbina në datat 9, 10, 11, 12 dhe 13 prill.
Në shfaqje do të interpretojnë Viktor Zhusti, Niko Kanxheri, Alfred Trebicka, Sokol Angjeli, Ligoraq Riza, Myzafer Zifla, Neritan Liçaj, Lulzim Zeqja, Besmir Bitraku, Florian Agalliu, Donald Shehu, Igli Zarka.
Shfaqja ngrihet mbi veprën me të njëjtin titull të dramaturgut amerikan Reginald Rose. “12 burra të zemëruar” u vu në skenë për herë të parë në San Francisko në vitin 1955. Debutimi në Broadway erdhi 50 vjet pasi CBS transmetoi shfaqjen, më 28 tetor 2004, nga Roundabout Theatre Company në Teatrin American Airlines, ku u dhanë 328 shfaqje./atsh/KultPlus.com