12 Gusht, 2022 - 1:53 pm
30 pes – Kleopatra VII Philopator, sundimtare e fundit i dinastisë egjiptiane Ptolomeu kryen vetëvrasje, thuhet, me anë të një kafshimi gjarpëri. Kleopatra njihej për bukurinë fizike dhe efektin ndaj burrave të shquar (Jul Cezar e Mark Anton). Megjithatë, Plutarku tregon se çka e bënin Kleopatrën tërheqëse ishin “mendja, dhe ëmbëlsia e zërit të saj”.
1480 – Beteja e Otrantos: trupat osmane presin kokat e 800 të krishterëve që nuk pranuan të konvertoheshin në Islam; (Këto viktima u kanonizuan nga Papa Françesku më 12 Maj 2013). Sulmi ndaj Otrantos ishte pjesë e planit për pushtimin e Italisë. Fushata osmane udhëhiqej nga Gedik Ahmed Pasha. Për shkak të mungesës së ushqimeve, Gedik Pasha u kthye me shumicën e trupave në Shqipëri, duke planifikuar për të vazhduar fushatën më 1481. Por pas vdekjes së sulltan Mehmetit II, planet ndryshuan. Sulltani pasardhës, Bejazid II, nuk kishte besim tek Gediku; e burgosi, dhe më më 18 nëntor 1482 e vrau. Origjina e Gedik Ahmet Pashës mbetet kryesisht e panjohur. Disa burime pohojnë se ishte shqiptar, të tjera burime thonë se kishte prejardhje greke ose serbe.
1624 – Kardinali Richelieu (1585-1642) u emërua kryeministër i Francës nga Mbreti Luigj XIII. Në Francë, luftrat rezultuan në rritjen e taksave; kjo, e kombinuar me menaxhimin e dobët të financave nga ana Richeliesë, e varfëruan thesarin dhe shkaktuan pakënaqësi ndaj sundimit të tij. Por në politikën e jashtme, Kardinali Richelieu, nxiti tregtinë e lirë dhe organizoi kompanitë për të zhvilluar tregti në Inde dhe Kanada. Ai ishte mbrojtës i arteve dhe themelues i Akademisë Franceze. Ndër veprat e tij letrare janë Kujtimet (1650) dhe Ditari Politik (1688).
1851 – Amerikani Isaac Singer regjistron patentën për makinë e tij qepëse. Isaac Merritt Singer (1811 – 1875) ishte shpikës, aktor, dhe sipërmarrës. Ai bëri përmirësime të rëndësishme të makinës qepëse dhe themeloi firmës Singer Sewing Machine. Shumë kishin patentuar makina qepëse para Singerit, por suksesi i tij bazohej në thjeshtësinë e makinës për përdorim shtëpiak, si dhe blerjen e saj me këste. Isak Singer ishte gjithashtu prind i të paktën 24 fëmijëve, me gra të ndryshme.
1865 – Kirurgu britanik Joseph Lister u bë mjeku i parë që përdori dezinfektues gjatë operacionit. Emri Lister tingëllon i njohur – prej tij rrjedh Listerine, dezifenktant i gojës (gargarë), shitet me shishe; mund të përdoret në çdo kohë, dhe jo vetëm një herë në ditë.
1898 – Hawaii u aneksua nga Shtetet e Bashkuara – më 1900 u bë territor amerikan. Sulmi japonez në bazën detare në Pearl Harbor (Hawaii) më 7 dhjetor 1941, ishte drejtpërdrejt përgjegjës për hyrjen e Amerikës në Luftën e Dytë Botërore. Në vitin 2008, Barak Obama, lindur në Hawaii, u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara.
1966 – Turneu i fundit për grupin Bitëlls filloi në Amfiteatrin Ndërkombëtar në Çikago; dhe John Lennon kërkoi publikisht falje për thënien e tij të mëparëshme se “Bitëllsat ishin më popullorë se Jezu Krishti”.
1972 – Trupat e fundit luftarake amerikane lënë Vietnamin. Në vitin 1972, negociatat e fshehta të paqes, udhëhequr nga Sekretari i Shtetit Henry Kissinger u zhvilluan, dhe një marrëvshje u nënshkrua në Paris më 27 janar 1973. Por trupat veriore të Hanoit vazhduan luftën kundër Jugut deri më 9 prill 1975, kur arritën afër Saigonit. Presidenti i Vietnamit së Jugut, Nguyen Van Thieu dha dorëheqjen më 21 prill dhe u largua. Gjenerali Duong Van Minh, presidenti i ri, e dorëzoi Saigonin më 30 prill, duke i dhënë fund një lufte që mori jetën e 1.3 milionë Vietnamezëve dhe 58.000 amerikanëve.
1992 – Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja ranë dakord të formojnë një zonë të tregtisë së lirë dhe të krijojnë bllokun më të madh tregtar në botë: Marrëveshja njihet me akronimin NAFTA.
1998 – Bankat zvicerane ranë dakord të paguajnë 1 miliardë e 250 milionë dollarë për të zgjidhur paditë e ngritura nga të mbijetuarit e Holokaustit dhe të trashëgimtarëve të tyre. Bankat kishin mbajtur miliona dollarë të depozituara nga viktimat e Holokaustit dhe të afërmit e tyre para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore – për shkak se shumë nga depozituesit kishin vdekur në kampe përqëndrimi nazist ose familjarët e tyre kishin humbur numrat e llogarive, paratë e tyre mbaheshin të bllokuara në banka. /KultPlus.com