15 Gusht, 2024 - 9:58 am
Sot mbushen dymbëdhjetë vjet nga vdekja e ish-kryetarit të PDSH-së në Maqedoni, Arbën Xhaferi.
Ai u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare, pasi vuante nga sëmundja e Parkinsonit, e cila ishte edhe arsyeja e tërheqjes së tij nga politika. Ishte deputet i Parlamentit të Maqedonisë që nga viti 1994, ku synonte krijimin e një sistemi dy dhomësh në institucionin ligjvënës. Në kohën e konfliktit të armatosur në vitin 2001, partia e tij ishte në pushtet.
Ishte një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, por me zvarritjen e zbatimit të saj, ai synonte një marrëveshje të re midis shqiptarëve dhe maqedonasve.
Arbën Xhaferi u lind në Tetovë më 24 janar 1948. Ka punuar në redaksinë e Kulturës të Televizionit të Prishtinës dhe në fillim të viteve 90, ishte rikthyer për të jetuar në Tetovë, ku në vitin 1994 themeloi Partinë për Prosperitet Demokratik Shqiptar, e cila më pas ndryshoi emër në Partia Demokratike Shqiptare. / KultPlus.com