8 Prill, 2024 - 1:44 pm
Për nder të Ditës së Kushtetutës, sot, YIHR KS ka mbajtur aksion para Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në këtë aksion janë shpërndarë 120 kopje të Kushtetutës së Kosovës tek 120 deputetët e deputetet e Kuvendit – jo si dhuratë e as si dokumente të thjeshta në letër, por si rikujtim i fuqishëm për deputet e deputetet tona rreth asaj se çka garanton dhe mbron kjo Kushtetutë – vlera të përbashkëta demokratike dhe parime të palëkundura të drejtësisë, barazisë dhe lirisë.
KultPlus ju sjell deklaratën e plotë nga YIHR KS:
Sot, në Ditën e Kushtetutës, mbajtëm aksion para Kuvendit të Kosovës me vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur të drejtat e njeriut për të gjithë pa dallim. Aktivizimi ynë nuk është thjesht simbolik; është një thirrje për veprim, një kërkesë për llogaridhënie dhe një deklaratë e përkushtimit tonë të palëkundur për drejtësi dhe barazi.
Sot jemi mbledhë para Kuvendit të Kosovës dhe me veti kemi sjellë 120 kopje të Kushtetutës së Kosovës për 120 deputetë e deputete – jo si dhuratë e as si dokumente të thjeshta në letër, por si rikujtim i fuqishëm për deputët e deputetet tona rreth asaj se çka garanton dhe mbronë kjo Kushtetutë – vlera të përbashkëta demokratike dhe parime të palëkundura të drejtësisë, barazisë dhe lirisë.
Ndërsa qëndrojmë në Kuvendin e Kosovës, ne nuk mund të injorojmë realitetet e zymta me të cilat përballet shoqëria ynë. Diskriminimi, margjinalizimi dhe padrejtësitë sistematike vazhdojnë të jenë prevalente duke cenuar mirëqenien, dinjitetin dhe të drejtat e grupeve më të margjinalizuara të shoqërisë. Femicidi po vazhdon, dhuna në baza gjinore dhe seksuale po vazhdon, homofobia po vazhdon, padrejtësitë e panumërta janë perreth nesh, dhe shteti ynë po hesht, insitucionet tona bashkë me ata në krye po heshtin. Kushtetuta ynë po injorohet, përkundër faktit që qartë liston vlerat dhe të drejtat e secilit.
Eshtë edhe më tragjike të mendosh që kjo Kushtetutë po shkilet nga vetë Kuvendi i Republikës së Kosovës, dhe deputetet që gëzojnë të drejtat dhe privilegjet e kësaj Kushtetutës.
Pak javë më parë, me 1 mars 2024, në Ditën Ndërkombëtare për Zero Diskriminim, ne, si YIHR KS në bashkëpunim më 4 organizata jo-qeveritare që merremi me mbrojtjen e të drejtave të njeriut CEL Kosova, CSGD, QKSGJ, dhe Civil Rights Defenders kemi paraqitur një Padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe një Ankesë në Institucionin e Avokatit të Popullit, për shkak të cënimit të dinjitetit dhe diskriminimit të personave LGBTIQ+, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të datës 16 mars 2022.
Padia dhe Ankesa janë paraqitur kundër Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kundër deputetes znj. Labinotë Demi-Murtezi.
Këtë ditë të Kushtetutës, ne ritheksojmë që lufta jonë për barazi dhe liri, për zhdukje të diskriminimit vazhdon më shumë se kurrë. Ne refuzojmë të mbyllim sytë, dhe refuzojmë të pranojmë fjalë dhe sjellje denigruese, diskriminuese dhe cënuese nga deputetët të cilët thirren ne emër të po të njejtës Kushtetutë që e përbuzin.
Prandaj, i bëjmë thirrje çdo deputeti e deputetje që të dëgjojë qartë thirrjen tonë, të respektojnë betimin e tyre në detyrë dhe të përmbushin detyrat e tyre kushtetuese për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut për të gjithë. Kërkojmë transparencë, llogaridhënie dhe veprim vendimtar përballë padrejtësisë. Ne kërkojmë masa legjislative që çmontojnë sistemet e shtypjes, dhe luftojnë kundër keqpërdorimit të foltores së Kuvendit të Kosovës.
Dita e Kushtetutës nuk është vetëm një ditë festimi; është një ditë për kërkim të llogaridhënies, një ditë reflektimi dhe një ditë e vendosmërisë së përtërirë për të ndërtuar një të ardhme të barabartë për të gjithë. Do të sigurohemi që të ndjekim të gjitha masat ligjore në dispozion për të gjithë ata që ndërmarrin veprime anti-Kushtetuese.
Ne besojmë fuqishëm që vetëm përmes veprimit kolektiv, solidaritetit dhe vendosmërisë së palëkundur ne mund ta përmbushim me të vërtetë premtimin e Kushtetutës sonë dhe të ndërtojmë një shoqëri ku çdo individ mund të jetojë me dinjitet, liri dhe barazi. / KultPlus.com