14 Tetor, 2019 - 9:00 am
Organizata “Mbretëresha Teutë” dhe “Albanian Exellence” kanë bashkuar programin në një datë të vetme, dhe si të tilla do të zbresin në një mbrëmje artistike në Prishtinë, njëra nga Zagrebi dhe tjetra nga Tirana. Në një intervistë për KultPlus, Flora Nikolla, drejtoresha e Albanian Exellence ka zbuluar mbi ekspozitën “121 foto në 121 jetë suksesi”, që do të prezantohet më 16 tetor në Prishtinë, por edhe për organizatën “Mbretëresha Teutë”, e cila do të vlerësojë punën e disa grave, sidomos atyre që kanë punuar ngushtë me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
KultPlus: Po vjen ekspozita e 121 grave të suksesit në Prishtinë, pas një rrugëtimi në shumë vende të tjera, më saktë, sa prezantime të tilla janë realizuar deri tash?
Flora Nikolla: Më 16 tetor, 121 zonja të suksesit shqiptar të hulumtuara dhe të përzgjedhura nga Albanian Excellence në një ekspozitë dhe në një album fotografik, do të jenë së bashku në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë , pas një rrugëtimi që nisi në qershor në selinë e Presidentit të Republikës, Ilir Meta , për të vijuar në pika kyce të shqiptarizmës sonë, si në Strugë (Maqedonia e Veriut ), Preshevë (Republika e Serbisë), ashtu dhe në qytetet perferike të Shqipësë si Patosi dhe Pogradeci i përralluar. Emëruesi i përbashkët i këtij udhëtimi, është dhënia e ideve dhe mesazheve fisnike të mirësisë femërore për vijimësinë e më të spikaturës në shoqërinë tonë të shqiptarizmës por edhe të shoqërisë së globalizuar të cilës në tërësinë tonë si komb i përkasim në të pesë kontinentet. Në këtë kuptim, ky udhëtim i zonjave të suksesit, ka ndryshuar nga qyteti në qytet nga udhëtimi në udhëtim, duke krijuar sot një mozaik ngjarjesh, idesh, projektesh të cilat do të zënë udhë në vitin 2020, viti që po troket . Ndaj them se, Ekspozita “121 foto në 121 jetë suksesi “, nuk mbeti kurrësesi, në suazën e formalitetit që ka një ekspozitë në tërësinë e saj. Absolutisht Jo … !!! Ajo shkoi e po vijon që të shkojë edhe më tej me ide që lindin e pasurohen udhës, dhe që në fund të fundit na bashkojnë e na bëjnë më të denjë si komb, në këtë shekull ku protagonizmi dhe pragmatizmi qëndrojnë mirë, kokë më kokë me njëri –tjetrin.
KultPlus: Kur do të mbahet ekspozita në Prishtinë ?
Flora Nikolla: Ekpozita “121 foto në 121 jetë suksesi” do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, më 16 tetor në oren 20.00. Një grup zonjash do të na bashkohen në këtë vjeshtë në të 16-tin tetor në Prishtinë, ku do të organizohen Ditët e Mbretëreshës Teutë, dhe kur kjo ekspozitë është inkorporuar aq bukur në këtë aktivitet , në saje të një mirekputimi absolut mes drejtuesve të të dy shoqatave respektive. Shumica e pjesmërrësve në këtë aktivitet shumëdimensional, do të jenë nga kryeqendra e Kosovës, por shumë të tjera do të vijnë nga Shqipëria, ashtu dhe nga shtete të tjera ku ata punojnë. Së bashku do të jenë edhe tek Mbretëresha Teutw, ashtu dhe te Albanian Excellence. Kështu së bashku do të jenë edhe te e shkuara e lavdë e Shqiptarisë edhe te e tashmja e Shqiptarisë. Së toku do ti mbledh dhe do ti bashkojë Prishtina e shqiptarizmës! Së toku do të jenë më të hijshme në një amfiteatër origjinal fotosh . Së toku do të jenë më të forta për të thënë njëzëri : “Ti nuk je vetëm “Së toku do të jenë më të bashkuara për të thënë : “Ne jemi me Preshevën”, sfida e fundit që Albanian Excellence ka marrë përsipër për vitin 2020.
KultPlus: Është një ndër ekspozitat e rralla që ka përfshirë gra nga të katër anët e botës, ku janë përfshirë gra të profileve të ndryshme, si ndiheni për këtë kurorëzim të kësaj pune kaq të madhe?
Flora Nikolla: Po, është e vërtetë që kjo ekspozitë përmbledhë një numër të madh zonjash që përmbyllen në shifrën 121. Pse 121 ??? Sepse Albanian Excellence , është krijuar në vitin e 100 të shtetit shqiptar(2012) dhe gjithmonë në aktivitetet e saj do ta këtë gjithnjë këtë numër emblematik me vetë … 21 … ? 21, ka të bëjë me shekullin që jetojmë sigurisht, por dhe me Memorandumin e nënshkruar në Nju Jork në shtator të vitit 2016 “Të jesh grua në shekullin e XXI “. Firma e parë e këtij memorandumi, ka qënë firma e Presidentit të Republikës së Shqipërisë së asaj kohë, Shkëlqesisë së tij , zotit Bujar Nishani e pasuar në firmëzim nga të paktën 70 zonja suksesi që ishin prezente nga e gjitha hapësira shqiptare në mbremjen Gala të organizuar në Symphoni Space në Manhattan, e cila promovoi librin “Zonjat shqiptare në Nju Jork “, ideuar dhe realizuar nga Albanian Excellence. Pra ne jemi në organizimin e të gjitha aktiviteteve kushtuar zonjave të suksesit , pas nënshkrimit të këtij memorandumi të vitit 2016.
KultPlus: Në këtë ekspozitë janë përfshirë zonja që për kriter ka qenë suksesi i tyre, e që shumicën prej tyre nuk i keni takuar personalisht, po keni parë punën e tyre nga larg, kjo është një vulë suksesi për këtë përzgjedhje. A të ka mbet peng që nuk ka qenë numri më i madh?
Flora Nikolla: Dua të theksoj se nga krijimi i Albanian Excellence , deri më sot janë botuar 10 libra me personazhe mbarë shqiptare, që përvijojnë suksesin. Një bazë shumë e mirë e kësaj ekspozite kanë qenë zonjat që janë intervistuar gjatë këtyre viteve dhe që kanë ardhur në aktivitetet e AE, një grup tjetër, janë zonjat që morën pjesë personalisht në Konferencën Ndërkombëtare kushtuar grave të suksesit që u zhvillua në prill në Tiranë dhe ku u nënshkrua Aleanca e Gruas së suksesit shqiptar, po një grup tjetër pjesmarrës në këtë ekspozitë, janë zonjat instrumentiste që bëjnë pjesë në orkestrën zyrtare të Albanian Excellence (me instrumentistë të shquar shqiptarë në botë, e krijuar vitin e kaluar nën kujdesin e Presidentit Meta). Po ashtu ka dhe një grup gazetaresh që bëjnë pjesë në jurinë, që do të japin dy cmime në mbrëmjën Gala që do të mbyllë vitin 2019, të përcaktuar si viti i gruas nga AE, në Mbrëmjen Gala, “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”. Pjesa tjetër kanë qenë zonja të njohura përmes botës virtuale që sot të jep aq shumë informacion e që në ndonjë rast të barazon edhe njohjen personale përmes asaj virtuale. Peng? Suksesi vijon të formëzohet edhe në këto momente që flasim. Ndjesë për shumë zonja që spikasin sukses e që për një apo një arsye tetër, nuk i kemi përfshirë. Sigurisht misioni sapo ka nisur dhe ne vitin 2020, kemi rezervuar të tjera surpriza për botën e madhe të suksesit grua!
KultPlus: Po pas Prishtinës, cfarë rrugëtimi do të ketë kjo ekspozitë?
Flora Nikolla: Besoj do të vijojmë në Zagreb me Ditët e Mbretëreshës Teutë që organizohen atje në Nëntor, më pas do të jetë prezente kjo ekspozitë, si epilog i këtij rrugëtimi në natën e madhe të 12 dhjetorit kur, në ish Hotel Sheraton, do të organizohet Gala-ja e madhe “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”, spektakël i cili do të shpallë 12 zonjat që do të marrin stafetën e këtij titulli të madh për vitin 2020. Do të jetë një natë magjike plot vezullim femëror dhe plot ndricim suksesi. Ju siguroj .
KultPlus: A do të ketë format tjeter prezantimi i grave të suksesit, në një të ardhme të afërt, duke zgjeruar këtë listë nëpër vite?
Flora Nikolla : Po sigurisht misioni do të vijojë , por do të dëshiroja ta lija surprizë për vitin 2020. Faleminderit.
KultPlus: Ekspozita fillimisht është hapur në Presidencën e Shqiperisë me prezencëm e zotit Ilir Meta, një mbështetje e madhe pa dyshim, po ka patur figura të tjera të rëndësishme që e kanë mbështetur këtë ekspozitë?
Flora Nikolla: Po ka qenë një mbështetje absolute , mbështetja e Presidentit Meta dhe një pasdite shumë e bukur për të gjitha zonjat pjesmarrëse. U ndjenë aq mirë në kopshtin presidencial ku ishin vendosur fotot e zonjave, ato u njohen, u takuan, biseduan , bënë foto së bashku. Më pas na kanë mbështetur në Pogradec, ishte gusht, koha e ndërrimit të drejtuesve të bashkive . Por në fakt na mbështetën të dy zotërinjtë, dhe zoti Kapri dhe zoti Xhakolli, (qesh ), ishte eksperiencë shumë e bukur . Por po ashtu na ka mbështetur para disa ditëve, kryetarja e bashkisë së Patosit , znj. Rajmonda Balilaj, e cila është pjesë e ekspozitës, na mbështeti në organizimin e një aktiviteti mbresëlënës në qytetin e saj që ajo di ta administrojë aq mirë. Shumë detyra kemi marrë përsipër edhe në Patos për vitin 2020. Por po ashtu dhe Olsa Poshka , e bëri pjesë të festivalit të saj teatror këtë ekspozitë duke ngjitur të gjitha fotot e zonjave në skenën e këtij teatri… Ah sa bukur ishte , e kujtoj me shumë mall atë ditë në Strugë, ashtu edhe pëshëndetjen e Minsistres shqiptare të Kulturës. Por mrekulli ishte dhe Presheva, ky skaj i kombit tonë, Ardita Behluli, me qetësinë e zellin e saj, kishte organizuar aq bukur cdo gjë për ekspozitën por edhe për zonjt pjesmarrëse të ardhura nga të gjitha trojet amtare në Preshevë . U ndjemë bukur, kur nënshkruam me Komunën e Preshevës, memorandumin e bashkëpunimit për vitn 2020, të cilin e kemi shpallur , viti i Preshevës nën siglën “Ne jemi me Preshevën “. Puna në fakt ka nisur tashmë , jemi në udhë të mbarë për të organizuar një koncert humanitar me këngëtaren e mirënjohur Eda Zari, ashtu dhe për ngritjen e disa fondeve për botimin e dy librave me fëmijë talentë deri në 14 vjec nga Lugina e Preshevës e disa ide të tjera që serish po i lë surprizë për më pas për ti treguar tek ju, nisur nga një bashkëpunim i frytshëm që kemi me Kult Plus, një media shumë serioze në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare dhe për këte ju falenderoj me zemër.
KultPlus: Dhe për fund i kthehemi prapë Prishtinës, kush do te jetë nikoqir i kësaj mbrëmje dhe sa do të zgjasë ekspozita në kryeqytetin e Kosovës?
Flora Nikolla: Si e shkrova më lart, do të jetë Biblioteka Kombëtare, Albanian Excellence ju përgjigj ftesës së Mbretëreshës Teutë për tu bashkuar këtu. Dhe ne jemi këtu me dëshirën e madhe për të sjellë këtë ekspozitë. Është vetëm dëshira të jemi bashkë, paparë fondet që në këto aktivitete janë të domosdoshme. Mbërritja në Prishtinë, për mua , përbën një ngjarje të madhe , e para sepse na solli në Prishtinë një zonjë, pjesë e kësaj ekspozite , një zonjë që i përket botë se medias dhe artit, e cila prej 15 vitesh nderon duke bashkuar zonjat e suksesit shqiptar. Ajo është zonja Shenida Bilalli , e cila organizon në këtë mes vjeshte me diell, përvjetorin e 15 të Klubit të Grave shqiptare ashtu edhe 3 vjetorin e themelimit të Klubit Ndërkombëtar “Mbretëresha Teutë”, duke nderuar viktimat e dhunës seksuale të Luftës në Kosovë në vitin 1999, përmes këtij organizimi ku do të ndajë cmime dhe për zonjat që kanë punuar në përkrahje e rehabilitim të kësaj shtrese të shoqërisë së Kosovës. Së dyti më solli dashuria ime e madhe për këtë vend, që si gazetare e kam përjetuar në shumë etapa të rritjes së saj, nga pranvera e vitit 1999. Qindra reportazhe kam shkruar për Kosovën në momente shumë të vështira të ekzistëncës, mijëra lajme kam transmetuar gjatë punës sime si kyeredaktore në Agjencinë Shtetërore të Lajmeve, ashtu dhe po aq bukur kam shkruar skenarin e dokumentarit historik “Shqiptarët”, prodhim i Radio Televizionit Shqiptar. Të gjitha së bashku përbëjnë një ndjesi aq të bukur që kam për Kosovën, ndaj dhe ardhja e ekspozitës e cila bart suksesin e zonjave tona kudo janë, e bëjnë më të qenësishme dashurinë për tokën e Kosovës dhe për njerëzit e saj, ashtu edhe më ngazëllyese këtë fakt shëmbëllyes kur jemi së bashku për të qënë mes nesh me dashurinë e madhe njerëzore e cila duhet të na drejtojë në cdo hap tonin./KultPlus.com