17 Maj, 2024 - 9:31 am
Sot bëhen 129 vite nga lindja e shkrimtarit Haki Stërmilli, shkruan KultPlus.
Haki Stermilli ka lindur në Dibër më 17 maj të vitit 1895. Ai ishte shkrimtar, gazetar, kryetar i shërbimit sekret shqiptar në vitet 1923-’24 me dekret të Ahmet Zogu, partizan në Luftën e Dytë Botërore, anëtar i KANÇ-it, përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare.
Në shkrimet e tij ai trajtoi tema me të drejtat e shqiptarëve të ngelur jashtë kufijve të shtetit shqiptar, republikanizmit dhe të drejtave të femrave.
Stërmilli ishte autor i tre romaneve, mbi 30 tregimeve të shkurtëra, pesë pjesëve teatrale, dy ditareve dhe disa dyzina artikuj publicistikë. Vepra e tij më e njohur është Sikur t’isha djalë të cilin e shkroi 1936.
Veprat tjera të tij ishin Dibranja e mjerueshme (1923), Dashuni e besnikri (1923), Agimi i lumnueshëm (1924), Burgu (1935), Sikur t’isha djalë (1936), Fyelli i Dibrës përmbledhje që u botua në serinë “Visaret e Kombit” (1944), Trashëgimtarët tanë (1950) ndërsa pas vdekjes u botuan ditari “Shtigjet e lirisë” (1966) dhe “Kalorësi e Skënderbeut” (1968).
Romani Sikur të isha djalë është ndoshta i vetmi roman “më i shitur” me ribotimet periodike nëpër vite. Romani është një apoteozë e fuqishme artistike për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të femrës në veçanti.
Ai zgjoi kërshëri dhe luajti një rol të pazëvëndësueshëm në masën e lexuesve në të gjitha trevat shqiptare. Në vitet ’30, në vitet ’50 dhe deri në dhjetëvjeçarin e parë të shek. 21, romani ka njohur mbi 12 ribotime: në Tiranë, Prishtinë e Shkup, duke shënuar një rekord të paarritshëm në historinë e letrave shqiptare. Romani “vë gishtin” në një lëmi të ndjeshme në jetën shoqërore shqiptare – tragjizmin e jetës së femrës.
Ai vdiç në Tiranë më 17 janar 1953/KultPlus.com