10 Shtator, 2024 - 12:45 pm
Në Tiranë ka nisur edicioni i 6-të i Festivalit të Muraleve dhe njërin prej artistëve e gjejmë duke hedhur ngjyrat në një sipërfaqje të konsiderueshme të një pallati 5 katësh pranë Vasil Shantos. Pasi ka shëtitur në 10 vende të ndryshme të botës, artisti francez Matthieu Koga vjen në Shqipëri për të bërë pikturën e tij murale të radhës me motive florale që mbizotërojnë në punimet e tij.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri për të bërë pikturën time murale pasi kam ndaluar në më shumë se 10 vende. Motivet florale janë një karakteristikë e imja, po aq sa edhe loja që bëj më ngjyrat, duke i dhënë më shumë jetë fasadave të ndërtesave”, shprehet Koga.
Ka tre ditë që ka nisur punën aty, ndërsa thotë se i duhen edhe dy ditë të tjera për të finalizuar tërësisht pikturën e cila do të ketë këtë pamje.
“Më kanë mbetur edhe dy ditë. Është pak e vështirë për mua për shkak të teksturës së fasadës, por po ia dal që mos më humbin detajet e punës që kam ideuar”, thotë Koga.
Por Matheiu Koga nuk është i vetmi. Janë përzgjedhur edhe 13 artistë prej të cilëve 8 i kanë mbyllur pikturat e tyre, siç është edhe kjo murale kushtuar shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadaresë që ndërroi jetë 2 muaj më parë.
Vetë kuratori i festivalit Helidon Haliti duke iu përshtatur tematikës “A është e ardhmja Inteligjenca Artificiale”, ka zgjedhur të sjellë një murale të tij, ndërsa risi quan pjesëmarrjen më të madhe të artistëve gra.
Gjithsej në Tiranë tashmë numërohen mbi 80 piktura murale që nga nisja e këtij festivali./tema/KultPlus.com