14 Nëntor, 2024 - 2:34 pm
Në kalendarin e ngjarjeve të shënuara të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sot është Dita Botërore e Diabetit.
Në nivel global, rreth 422 milionë të rritur jetonin me diabet në vitin 2014, krahasuar me 108 milionë në vitin 1980. Prevalenca globale e diabetit është pothuajse dyfishuar që nga viti 1980, duke u rritur nga 4.7% në 8.5% në popullatën e rritur. Kjo pasqyron një rritje të faktorëve të rrezikut të lidhura me mbipeshën ose obezitetin.
Gjatë dekadës së fundit, prevalenca e diabetit është rritur më shpejt në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme sesa në vendet me të ardhura të larta.
Diabeti është shkaku kryesor i verbërisë, dëmtimit të veshkave, goditjes në zemër, goditjes në tru dhe amputimit të gjymtyrëve të poshtme. Ushqimi i shëndetshëm, aktiviteti fizik dhe shmangia e përdorimit të duhanit mund të parandalojnë ose vonojnë diabetin e tipit 2. Përveç kësaj, diabeti mund të trajtohet dhe pasojat e tij të shmangen ose të vonohen me mjekim, kontroll të rregullt dhe trajtim për komplikime.
“Diabeti dhe mirëqenia” është tema e Ditës Botërore të Diabetit për dy vitet ne vazhdim. Me aksesin e duhur në kujdesin ndaj diabetit dhe mbështetjen për mirëqenien e tyre, të gjithë personat me diabet kanë mundësinë të jetojnë mirë.
Diabeti është një sëmundje kronike, e cila shfaqet kur pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë, ose kur trupi nuk mund ta përdorë në mënyrë efektive insulinën që prodhon. Kjo çon në një përqendrim të shtuar të glukozës në gjak (hiperglicemia).
Diabeti i tipit 1 (i njohur më parë si diabeti i varur nga insulina ose diabeti i fëmijërisë) karakterizohet nga mungesa e prodhimit të insulinës.
Diabeti i tipit 2 (i quajtur më parë diabeti jo i varur nga insulina ose diabeti i të rriturve) shkaktohet nga përdorimi joefektiv i trupit të insulinës. Shpesh rezulton nga pesha e tepërt trupore dhe pasiviteti fizik.
Diabeti gestacional është hiperglicemia që shfaqet për herë të parë gjatë shtatzënisë./atsh/KultPlus.com