23 Shkurt, 2023 - 11:19 pm
Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, 141 vende votuan sot pro paqes në Ukrainë dhe ripohuan mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka vlerësoi se kjo është një dëshmi e qartë që veçon dhe dënon Rusinë.
“Krenar për Shqipërinë si bashkësponsorizuese e kësaj rezolute”, tha Xhaçka në një postim në rrjetet sociale.
Më herët, në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Xhaçka tha se Shqipëria mbështet plotësisht rezolutën “Parimet e Kartës së OKB-së që qëndrojnë në themel të një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”.
“Kjo është arsyeja se pse ne besojmë se kjo Asamble duhet të votojë në mbështetje të kësaj rezolute dhe të bëjë të qartë mbështetjen për një paqe të drejtë në Ukrainë në përputhje me parimet e Kartës së OKB-së, e cila duhet të garantojë sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, që shtrihen në ujërat e saj territoriale. Në të njëjtën mënyrë, ne kundërshtojmë ndryshimet jomiqësore të paraqitura nga Bjellorusia. Ato nuk përfaqësojnë një përpjekje për të kontribuar për paqen, por një përpjekje për të mbrojtur agresorin”, tha Xhaçka në fjalën e saj./KultPlus.com