6 Dhjetor, 2019 - 11:45 am
Gazeta “Washington Post” numri i parë i së cilës është botuar më 6 dhjetor të vitit 1877, është njëra nga më të mëdhatë në Amerikë që vazhdon të botohet në Uashington, shkruan KultPlus.
Deri më tani “Washington Post” ka fituar 47 çmime Pulitzer, kurse gazetarët dhe reporterët e saj ndër vite kanë fituar shumë çmime të rëndësishme. Kah fillimi i viteve ’70 reporterët Bob Woodward dhe Carl Bernstein u bënë të njohur për raportimin e tyre rreth skandalit “Watergate”, ndërsa pas këtij raportimi dha dorëheqje Presidenti Richard Nixon.
Kjo gazetë konsiderohet ndër kryesoret jo vetëm në Amerikë, por edhe në mbarë botën. Ajo ka të vendosura zyra në shumë vende të botës si në Bejrut, Pekin, Bogotë, Hong-Kong, Jerusalem, Londër, Meksiko Siti, Moskë, Nju-Delhi, Paris e Tokio. “Washington Post” si gazetë është dalluar për raportimin politik dhe mbi punën e Shtëpisë së Bardhë.
Që nga maji i vitit 2013 qarkullimi mesatar i gazetës për ditë ishte 474, 767 sipas Byrosë së Auditimit të Qarkullimeve duke u bërë kështu gazeta e shtatë më e madhe në Amerikë për nga qarkullimi. /KultPlus.com