12 Tetor, 2023 - 2:00 pm
Më 12 tetor 1879 u themelua në Stamboll Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip me nismën e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve.
Kryetar i Shoqërisë ishte Sami Frashëri, kurse anëtarë qenë një grup patriotësh të kohës, disa prej tyre ndër më të njohurit e Rilindjes, si Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Hasan Tahsini, Koto Hoxhi, Zija Prishtina e të tjerë.
Synimi kryesor i Shoqërisë, siç e thotë edhe vetë emërtesa e saj, ishte shtypja dhe shpërndarja e librave shqip. Pas ndalimit të veprimtarisë së Shoqërisë nga autoritetet osmane, selia e saj u shpërngul në Bukuresht, ku në vitin 1886 u ndërtua dhe shtypshkronja e synuar, për shtypjen e librave shqip.
Me alfabetin e Stambollit u shkruan dhe u shtypën një sërë librash prej Sami Frashërit, si: “Abetare e gjuhës shqip” (1886), “Shkronjëtore e gjuhës shqip” (1886), “Dheshkronjë” (1888).
Në po këtë shtypshkronjë u shtypën dhe librat e parë të Naim Frashërit, që zënë vend kryesor në letërsinë shqipe të shekullit XIX./ atsh / KultPlus.com