11 Qershor, 2023 - 4:34 pm
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) kanë shfaqur sot ekspozitën e titulluar “Lidhja e Prizrenit”.
Në këtë aktivitet të organizuar me rastin e 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, DPA-ja dhe ASHAK-u risollën në vëmendje prapavijën, orvatjet dhe synimet e kësaj organizate me karakter politik, përmes paraqitjes së dokumenteve të vyera.
Të pranishëm në këtë aktivitet qenë Drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Ardit Bido, kreu i ASHAK-ut, Hysen Azemi, dashamirës të historisë dhe qytetarë të shumtë.
Mes materialeve arkivore të ekspozuara në Sheshin e Dëshmorëve, gjendeshin thirrja drejtuar gjithë shqiptarëve për kundërshtimin e copëtimin të trojeve të vendit, si edhe memorandumi dërguar Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, përmes të cilit kundërshtohen vendimet e Kongresit të Berlinit.
Ndërsa ditën e djeshme, më 10 qershor 2023, u mbajt në Manastir Konferenca e VII-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës, që erdhi në vazhdën e një tradite solide ndërveprimi mes institucioneve bashkëpunuese, DPA-së, ASHAK-ut, Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH).
Ekspertë dhe studiues të arkivave të këtej dhe përtej kufirit diskutuan mbi problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionin e punës së arkivave në realitetin e sotëm./atsh/KultPlus.com